Deputeti i Bundestagut gjerman, Thorsten Frei, i cili i përket partisë CDU/CSU, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ka shprehur qëndrim kritik lidhur me reformat në Shqipëri.
Ai ka thënë se Shqipëria ka bërë pak përparim në çështjen e Vettingut dhe në zbatimin e reformave.
“Problemi kryesor është së politika Shqiptare implementon nën presion nga komuniteti ndërkombëtar vetëm reformat e domosdoshme. Në letër, Shqipëria ka një nga sistemet konstitucionale më të mira në Europë. Por, fatkeqësisht, vetëm në letër.
Në përgjithësi, korrupsioni është akoma i përhapur. Procesi i Vettingut po ecën shumë ngadalë. Vetëm një grusht i vogël gjykatësish janë kontrolluar gjatë procesit. Ka shumë lidhje të pazgjidhura midis qarqeve të larta drejtuese dhe krimit të organizuar.
Politikanët shqiptarë ndikojnë mbi njerëzit, kurdoherë që të jetë e mundur. Për shembull, në procesin e marrjes në punë në sektorin publik. Fatkeqësisht, dikush ka mendimin se reformat janë bërë vetëm si rrjedhojë e kërkesës së Bashkimit Europian dhe sepse Bashkimi Europian e kërkon këtë gjë”, është shprehur ai.
Frei ka thënë se ai e ka humbur durimin të merret me politikanët shqiptarë.
“Me pak fjalë, unë e kam humbur besimin që politikanët po e ndërtojnë axhendën e tyre, sepse reformat janë të mira për vendin e tyre dhe për gjithë popullin në Shqipëri.
Aksidentalisht, unë gjithashtu e kam humbur durimin e nevojshëm politik për t’u marrë me politikanët shqiptarë. Kjo nënvizohet edhe si pasojë e sharjeve dhe fyerjeve ndaj kolegut tim, Gunter Krichbaum, po aq dhe nga sjellja e qeverisë dhe përfaqësuesve të opozitës në parlament.
Në vend të politikës konstruktive, diskretitimi dhe tallja ndaj opinioneve të kundërta është bërë shpesh shënjestër e goditjeve të pakuptimta”, është shprehur ai.
Frei ka theksyar se Gjermania nuk do të lejojë hyrjen e Shqiupërisë në Bashkimin Europian para se ajo t’i përmbushë të gjitha kriteret e Kopenhagës.
“Me respekt të thellë e them se është vetëm në dorë të Shqipërisë të vazhdojë rrugën në drejtim të Bashkimit Europian. Gjermania nuk do të lejojë, me çdo çmim që të jetë, hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian pa u plotësuar dhe përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, është shprehur deputeti gjerman.
Një nga përkrahësit më të mëdhenj të Shqipërisë dhe sistematikisht partizan i flaktë i avancimit të shpejtë të vendit tonë drejt BE-së, deputeti i Bundestagut Thorsten Frei, shfaqet teje i zhgënjyer për atë çfarë po ndodh në vendin tonë.
Dikur një nga shtytësit më të mëdhenj për hapjen e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë, ai sot ka humbur besimin te Shqipëria zyrtare dhe nuk e fsheh lëndimin, për sulmet e pa precedent të orkestruara nga mediat pranë qeverisë në Tiranë ndaj kolegut Krichbaum.
Deputeti i njohur, i cili i përket partisë, CDU/CSU Thorsten Frei, deri pak kohë më parë ka qenë një nga zërat më aktivë mbi procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë, por duket se pas zhvillimeve të fundit dhe informacioneve të detajuara që i kanë mbërritur Bundestagut, edhe ai është futur në radhët e “skeptikëve”.