Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, paralajmëroi Rusinë për rrezikun e një gare të re armësh, që do të nxitej nga konflikti në lindje të Ukrainës dhe bëri thirrje për reduktimin e numrit të armëve konvencionale.
Duke folur në Moskë, pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, Gabriel tha se ata janë pajtuar për nevojën e vazhdimisht të bisedimeve në të ashtuquajturin Format i Normandisë – që përbëhet nga Rusia, Ukraina, Gjermania dhe Franca – me qëllim që t’i jepet fund konfliktit midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro rusë në lindje të Ukrainës.
Gjermania ka kontribuar në forcën prej 4,000 trupash që NATO ka vendosur në shtetet e Baltikut dhe në Poloni, ku agresioni i Rusisë në Ukrainë ka rritur shqetësimet për synime të njëjta të Moskës në rajon.
Në anën tjetër, Rusia ka transferuar dhjetëra mijëra ushtarë në rajonet kufitare perëndimore.
“Jemi të shqetësuar se po hyjmë në një garë të re armësh”, tha Gabriel.
Lavrov tha se Rusia i hedh poshtë akuzat se ka dërguar forca ushtarake, në mënyrë joproporcionale, në kufijtë e saj perëndimorë.