Gjermania njoftoi të enjten se i ka mohuar presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan një kërkesë për të mbajtur një fjalim përpara komunitetit turko-gjerman në Hamburg, javën që vjen, ndërsa do të ndodhet aty për takimin e G20. Vendimi u dënua menjëherë nga zyrtarët turq.
Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Turqisë, dy vende aleate në NATO, janë në pikën më të ulët. Shkas për përkeqësimin e tyre u bënë masat shtypëse që Turqia mori pas grushtit të dështuar të shtetit vitin e kaluar. Mediat e pavarura të vendit janë vënë nën presion, ndërsa disidentët janë burgosur.
Në muajin shkurt, Turqia burgosi gazetarin turko-gjerman Deniz Yucel, që punonte për gazetën “Die Welt”, nën akuzën për propagandë në mbështetje të një organizate terroriste. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel tha se shqetësimet lidhur me sigurinë janë arsyeja e mohimit të kërkesës së zotit Erdogan për të mbajtur një fjalim përpara diasporës turke në Gjermani.
“Ua shpjegova javë më parë kolegëve të mi turq, se nuk mendojmë se do të ishte një ide e mirë”, tha zoti Gabriel. Ai shtoi se zoti Erdogan “do të pritet me nderime” në samitin e G20. Fjalimi i fundit i presidentit Erdogan përpara komunitetit turko-gjerman është mbajtur në majin e vitit 2015, në qytetin e Karlsruhes.
Diaspora turke në Gjermani llogaritet në 3 milionë vetë, trashëgimi e programit masiv të punësimit si përgjigje ndaj mungesës së krahut të punës në Evropën e pasluftës.
Kohët e fundit, kancelarja gjermane Angela Merkel u mohoi kërkesat për të zhvilluar fushatë në Gjermani në mbështetje të referendumit të 16 prillit, politikanëve turq të partisë në pushtet për Drejtësi e Zhvillim. Referendumi kishte si qëllim zgjerimin e kompetencave të presidentit Erdogan. Vetë zoti Erdogan e kritikoi vendimin, duke e krahasuar atë me “praktikat naziste”.