Gjermania s’ndalet

Gjermania ruan ecurinë perfekte në kualifikueset e Botërorit 2018, duke fituar edhe ndeshjen e tretë në Grupin C përballë Irlandës së Veriut. “Panzerat” fituan 2-0 në sfidën e luajtur në HDI Arena të Hanoverit. Një duel i mbyllur në harkun e 4 minutave, me Julian Draxler që zhbllokoi rezultatin në të 13-ën. Pas tij, gjermanët dyfishuan me Sami Khedira-n dhe kryesojnë me 9 pikë të plota. Azerbajxhani mbetet surpriza e grupit, ku pas dy fitoreve radhazi skuadra e drejtuar nga Prosineçki konfirmoi se ecuria e deritanishme nuk është thjesht rastësi, duke barazuar 0-0 në fushën e Republikës çeke. Përfaqësuesja azere pozicionohet e dyta me 7 pikë dhe nuk e njeh humbjen në këtë fushatë kualifikuese.
Norvegjia vuajti, por në fund regjistroi fitoren e parë në Grupin C, duke thyer 4-1 San Marinon. Skandinavët kaluan në avantazh falë autogolit të Simonçinit në të 12-ën, ndërsa San Marino provoi të bënte surprizën, duke barazuar me Stefanelli-n në të 54-ën. Diomande i hapi rrugën suksesit të norvegjezëve në 13 minutat e fundit të sfidës, duke realizuar golin e dytë. Më pas, realizuan edhe Samuelsen në minutën e 82-të dhe Joshua King vetëm pak çaste pas tij.
Anglia nuk bind me lojë, madje këtë herë zhgënjen edhe me rezultat, duke barazuar pa gola në fushën e Sllovenisë. Barazimi i parë për Tre Luanët, që gjithsesi mbeten në krye të Grupit F në kuotën e 7 pikëve, e ndjekur nga Sllovenia dhe Lituania me dy pikë më pak. Lituania fitoi 2-0 përballë Maltës, me Cernych që i dha avantazhin të tijve në të 76-ën. Gjashtë minuta nga fundi i sfidës, Novikovas realizoi edhe golin e dytë për lituanezët, që mbeten të pamposhtur pas tre ndeshjeve.
Fitorja e parë për Sllovakinë në Grupin F, me të besuarit e Kozak që mposhtën 3-0 Skocinë. Robert Mak zhbllokoi shifrat në të 18-ën, me mesfushorin e Zenitit që dyfishoi edhe në fraksionin e dytë të lojës. Pas tij, Nemec mbylli çdo diskutim, me sllovakët që rikthehen në rrugë në këto kualifikuese.
E pabesueshme ecuria e Malit të Zi në Grupin E, me ekipin ballkanas që kryeson me 7 pikë, pas fitores 1-0 në fushën e Danimarkës. Vendimtare për malazezët ishte rrjeta e Fatos Beqirajt në minutën e 32-të të sfidës, që vulosi surprizën më të madhe të mbrëmjes.
7 pikë edhe për Poloninë, që fitoi në fotofinish përballë Armenisë, që për më tepër se një orë luajti në inferioritet numerik. Polakët kaloi në avantazh me autogolin e Mkoyan në të 48-ën, por festa e vendasve zgjati vetëm dy minuta, pasi armenët barazuan me Marcos Pizzelli-n. Rrjeta e fitores për Poloninë u realizua nga kapiteni i skuadrës, Robert Lewandowski, në aksionin e fundit të ndeshjes në minutën e pestë shtesë.
Zhgënjeu Rumania, që barazoi pa gola në fushën e Kazakistanit, me ndeshjen në Astana që ishte e vakët në emocione dhe raste për gola, me skuadrat që u dukën të kënaqura që ndanë nga një pikë.

Exit mobile version