Deputetët e Bundestagut gjerman vazhdojnë të jenë kundërshtar të ashpër të idesë për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njëjtë sikurse kancelarja, Angela Merkel.
Pas takimit të se hënë në Berlin, deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e CDU-së, Michael Brand , ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të përfaqësueses së lartë të BE-së dhe ndërmjetësueses së dialogut Prishtinë-Beograd, për mbështetjen që ajo ia jep një ideje të tillë.
“Fakti që shefja e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini, flet për korrigjim të kufijve, është një lojë me zjarrin. Ata që nuk kundërshtojnë korrigjimet e kufijve, janë padyshim, përgjegjës për faktin se një luftë e nxehtë mund të fillojë përsëri në Ballkan. Me të vërtetë e them se BE-ja e ka diskredituar veten këtu”, ka thënë ai, në një intervistë për Rundfunk Berlin-Brandenburg, transmeton Gazeta Express.
Ai thotë se kancelarja gjemrane e ka bërë të qartë që nuk do të ketë korrigjim të kufijve. Por megjithatë BE-ja dëshiron një marrëveshje ndërmjet presidentëve Thaçi dhe Vuçiq, që do të hapte kutinë e Pandorës.
Ai ka kritikuar ashpër Mogherinin dhe Hahnin që e kanë përkrahur një ide të tillë. Sipas tij Ballkani duhet evropianizuar.
“Një gjë është e qartë. Me çfarë argumenti aktualisht do t’iu thuhet shqiptarëve: Ju duhet të qëndroni të bashkuar në Maqedoninë e Veriut. Çfarë rreth Bosnjës?
Kjo tregon që ajo që ka bërë Mogherini dhe Hahn është e papërgjegjshme. Ballkani Perëndimor i përket BE-së, por në kushtet tona. Qëllimi është gjithmonë evropianizimi i Ballkanit, jo ballkanizimi i Evropës”, ka thënë ndër të tjera Brand.