Gjigandë industrialë, por ndotës të ambientit

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e mjedisit në Kosovë kërkojnë nga autoritetet që të ndërmarrin hapa konkretë në trajtimin e mbetjeve industriale, të cilat, siç thonë ata, po paraqesin rrezik të madh për qytetarët. Kosova ka miliona tonelata mbetje industriale të pa trajtuara.
Mbetjet e patrajtuara industriale vazhdojnë të paraqesin problem mjaft serioz për ambientin në Kosovë, që si pasojë ka edhe shkaktimin e efekteve negative për shëndetin e qytetarëve.
Nga ndërmarrjet të cilat gjenden në Kosovë, për kah mbetjet industriale prijnë kompleksi metalurgjik “Trepça”, që gjendet në Mitrovicë, pastaj Korporata Energjetike e Kosovës, si dhe disa ndërmarrje tjera.
Agron Bektashi nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se trajtimi i mbetjeve industriale duhet të jetë prioritet i institucioneve të Kosovës. Në të kundërtën, ka thënë ai, po pëson shëndeti i qytetarëve të këtij vendi.
Sipas tij, që nga paslufta nuk ka pasur ndonjë aksion serioz që do të zgjidhte problemin e mbetjeve industriale në Kosovë.
“Mbetjet industriale paraqesin një rrezik permanent për shëndetin e qytetarëve. Numri më i madh i këtyre deponive të mbetjeve industriale janë në rajonin e Mitrovicës”.
“Gjatë verës bëhet ndotje e madhe e ajrit nga këto mbetje, kur ka reshje të mëdha shiu bëhet ndotja tokësore, e disa prej këtyre mbetjeve janë afër lumenjve, ku kemi edhe ndotje të lumenjve. Po flasin për ndotje me metale të rënda që janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut, në veçanti për organet e frymëmarrjes”, thekson ai.
Vetëm në gjigantin metalurgjik “Trepça” thuhet se gjatë 80 viteve të punës, janë akumuluar 80 milionë tonelata mbetje industriale, të cilat përmbajnë metal, plumb, zink, argjend dhe metale tjera të rralla.
Ahmet Tmava, drejtor i përgjithshëm në kombinatin metalurgjik “ Trepça”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka treguar se ka dhjetëra milionë tonelata mbetje industriale, të cilat nuk janë trajtuar.
“Kemi të bëjmë me lloje të ndryshme të mbetjeve industriale, të cilat edhe për shkak të reflektimit ambiental, duhet të trajtohen. Ne mendojmë se kjo mbetet në një vizion zhvillimor, pasi që kështu besojmë se do të kemi përfitime, si në aspektin ambiental, ashtu edhe në atë ekonomik”, thekson Tmava.
Një procedurë tenderimi për trajtimin e këtyre mbetjeve industriale me vlera ekonomike kishte filluar në vitin 2011 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, por, ky tender në atë kohë nuk ishte finalizuar.
Sipas ofertës që patën dhënë kompanitë e ndryshme, shuma ishte e madhe.
Vetëm deponia e Artanës është thënë se ka diku 18 euro për ton – do të thotë një deponi prej 1.5 milionë tonelatash; rreth 28 milionë ka qenë vlera e ofertuar dhe që do të ricikloheshin në vend dhe pastaj do të bëhej edhe rehabilitimi i zonës ku janë përqendruar ato mbetje industriale.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit nuk janë prononcuar lidhur me këtë çështje.
Trajtimi i mbetjeve industriale ishte ngritur si çështje para tri viteve nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka, tregon për Radion Evropa e Lirë se kishin kërkuar vite më parë nga autoritetet kompetente që të trajtoheshin mbetjet industriale.
Zeka shton se nga këto mbetjet industriale mund të gjenerohet një aktivitet ekonomik.
“Nëse kombinohet aspekti i parë, që është përftimi ekonomik, me aspektin e dytë që është eliminimi i problemeve mjedisor, është e pakuptimtë se si AKP dhe institucionet e Kosovës nuk ndërmarrin veprime më të shpejta në këtë aspekt”, thekson Zeka.
Çështja e mbetjeve industriale është adresuar qysh moti në Bashkimin Evropian dhe në vendet tjera të zhvilluara. Industritë përkatëse duhet gjithsesi t’i trajtojnë mbetjet industriale, me çka nuk do të ndotej ambienti.
Edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare është theksuar se Kosova gjendet në pozitë të rëndë mjedisore.
Sipas një analize të mëhershme të Bankës Botërore, është thënë se një realitet i tillë e rendit Kosovën në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Artikulli paraprakItali, Kamza nënshkruan marrëveshje binjakëzimi me 6 bashki europiane
Artikulli tjetërKryebashkiaku Shehu kundër dhënies me koncesion të Rrugës së “Kombit”