Gjiknuri e Ahmetaj të japin llogari para dibranëve për aferën me hec-in e Skavicës

Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu u takua me banorë në Arrëz, Katund i Ri, Hotesh dhe Lishan i Epërm.  Kandidati Sherefedin Shehu theksoi ndër të tjera se për Peshkopinë është një fyerje ardhja e ministrave Gjiknuri dhe Ahmetaj, të cilët pas rritjes se çmimit të energjisë dhe presionit me faturat abuzive janë përgjegjës direkt për korrupsionin e hidrocentralit të  Skavicës.
Duke parashtruar programin për Bashkinë, Shehu tha se ofrimi i shërbimeve që nga pastrimi, sistemimi i rrugëve dhe kanalet vaditëse do të jetë prioritet.
“Në Bashkinë e Peshkopisë ka mundësi që edhe me buxhetin ekzistues edhe me ndërmarrje, makineri që ka bashkia dhe që nuk varen nga dëshira e kryeministrit, sepse ky kryeministër nuk ka vullnet dhe dëshirë ta mbështesë Dibrën, të realizojmë projekte që duken të vogla, por që për ju janë shumë të rëndësishme.
E para, të kryejë shërbimet e domosdoshme për qytetarët, mbledhjen e mbeturinave.
Problemi i dytë, është sistemi i kanalizimeve. Do të largojmë ndotjen nga fshati dhe do të mbrojmë Drinin nga ndotja. Përmirësimi i sistemit të vaditjes dhe në pranverën e vitit të ardhshëm sistemi ekzistues do të jetë plotësisht eficent, i gatshëm për t’ju shërbyer ju.
Ndërsa problemi tjetër është sistemi i ujit të pijshëm. Këtej në zonën e Sinës ne kemi filluar një projekt të madh me Bankën Gjermane për Zhvillim, ky projekt tani do të vijë të zbatohet edhe në zonën tuaj”, theksoi kandidati Sherefedin Shehu.

Afera e Ramës dhe kompanisë “Suzer” me Skavicën

Vendimi i marrë më 17 dhjetor 2014 në fshehtësi nga Rama në kundërshtim të hapur me ligjin fsheh një tjetër aferë korruptive të qeverisë, që pritet t’u kushtojë shqiptarëve rreth 110 milionë euro. Koncesioni i Skavicës, pas aferës CEZ, është projekti më korruptiv dhe pazari më i dyshimtë i Edi Ramës dhe ministrit të tij të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Kompania që fitoi koncesionin e Skavicës është kompania turke “Suzer”, e cila ndonëse listohet në listën e zezë ndërkombëtare, nga Rama dhe Ahmetaj fitoi një bonus me 8 pikë për aferën Skavica, duke ia falur atë. PD ka denoncuar se kompania “Suzer” ka negociuar intensivisht në fshehtësi me qeverinë Rama për të marrë Skavicën, duke i sjellë madje Ahmetajt edhe një çarter të posaçëm me të cilin ministri i Ramës ka udhëtuar disa herë drejt Turqisë në hotele lukzose, ndërsa vijonte negociatat deri në mbylljen e aferës dhe dhënien e Skavicës kompanisë “Suzer”. Ministria e Energjisë dhe Industrisë reagoi, duke e konsideruar denoncimin e opozitës si “fabrikim dhe shpifje”, por pranoi se me të vërtetë, më 23 dhjetor 2015, qeveria e ka dhënë një bonus për një kompani turke. Vendimi i qeverisë u publikua më 7 janar 2015, në Fletoren Zyrtare. Vendimi, për të cilin nuk u publikua relacion shoqërues, mjaftohet vetëm duke thënë se jepet bonusi “për ndërtimin e hidrocentralit “Katundi i Ri”, mbi lumin Drini i Zi, në kuotën maksimale të ujit, 445 m.m.n.d, në kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”.
Ende pa u dhënë lajmi nga qeveria shqiptare, kompania turke “Suzer” publikoi në faqen e saj të internetit lajmin se hidrocentrali i ri do të jetë me kapacitet 57 MW dhe pritet të kushtojë 110 milionë euro. Qeveria thotë se në fakt, dhënia e bonusit është hapi i parë i koncesionit, i cili do të duhet t’i nënshtrohet gjithsesi një tenderi, sipas kuadrit ligjor ekzistues. Por kompania “Suzer” deklaron sakaq në faqen e saj të internetit se “punimet do të nisin në fund të vitit 2015” dhe se pritet që hidrocentrali të përfundojë së ndërtuari pas 30 muajsh nga nisja e punimeve.

Exit mobile version