Më 28 shtator të këtij viti, në kohën kur vëmendja ishte përqendruar tek ligji për importin e plehrave, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, ka lëshuar në fshehtësi një leje për ndërtimin e një hidrocentrali në Parkun Kombëtar të Valbonës. Boldnews.al disponon dokumentin e shpalljes së kontratës që ka lidhur Ministria e Energjisë dhe Industrisë me kompaninë “Shpresa-al” sh.p.k për ndërtimin e një Hec-i me kapacitet prodhues 2MW.
Hidrocentrali pritet të ndërtohet në afërsi të Gegëhysenit, në fushën e poshtme të Valbonës dhe afër deltës së shkarkimit të lumit Drin. Pasojat pritet të jenë katastrofike, që nga zhdukja e biodiversitetit e deri tek dëmtimi i faunës, ku më të rrezikuarit janë llojet ujore të peshqëve.
Por përveç kësaj, mënyra sesi është dhënë leja për ndërtimin e hidrocentralit është përfshirë nga një hije skandali dhe që ka për protagonist ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri. Përdorimi i termit deri në 2 MW është një hile që i jep mundësi autoritetit/aplikantit për të mos e konsideruar lejen e mundshme, një koncesion. Kjo pasi, kapacitetet e reja prodhuese nën 2 MW miratohen vetëm nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, pasi procedurat dhe kriteret për ndërtimin e HPP janë shfuqizuar në tetor të 2015.
Pikërisht në sajë të kësaj hileje ligjore e burokratike, si edhe gënjeshtrave të thëna publikisht nga ministri, mundësohen koncesione të reja të fshehura, në zonat e mbrojtura, duke shmangur studimet mbi fizibilitetin, ndikimin në fondin pyjor, në burimet ujore, apo ndikimin mbi shëndetin e banorëve.
Me këtë veprim, qeveria “Rama” tradhëton sërish shqiptarët, duke bërë të njëjtën gjë si paraardhësi i tij. Ishte kjo qeveri që premtoi ndalimin e Hec-ve në Valbonë, por nga ana tjetër me dinakëri po jep leje për ndërtimin e tyre në fshehtësi absolute.
Në 6 tetor, deputeti socialist Pandeli Majko iu drejtua opozitës nga salla parlamentare që të kërkojë ndjesë për Hec-et e ndërtuara në Valbonë.
“Dilni sot këtu dhe u thoni tropojanëve se kemi bërë gabim me hidrocentralet në lumin e Valbonës. E dini se çfarë ndodh me Valbonën po të bëhen hidrocentrale? E keni bërë ju! Dilni këtu kërkoni ndjesë jo vetëm për Valbonën, por edhe për gjëra të tjera që njerëzit të kuptojnë se ndjesa juaj është e vërtetë dhe në fund fare filloni të mbani era pushtet”, shprehej Majko, qeveria e të cilit është ajo që po jep leje për Hec-e në zona të mbrojtura.
Dyshime të forta ngrihen nëse ministri Damian Gjiknuri ka dhënë leje të tjera të tilla për miqtë dhe oligarkët e pushtetit.
Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Kombëtar prej 1996 dhe pritej që të shndërrohej në zonën më të rëndësishme turistike në vend, si pjesë e një parku gjigant, që bashkon Alpet me Kosovën e Malin e Zi. Por gjatë lumit Valbonë pritet tashmë të ndërtohen disa hidrocentrale.
Lumi i Valbonës, 65 km i gjatë, është qendra e turizmit në këtë zonë, sidomos në 20 km e parë, por kjo pasuri natyrore mund të shkatërrohet në mënyrë të paprapsueshme nëse atje ndërtohen hidrocentrale.