Gjiknuri të dëmshpërblejë banorët e Unazës së Re, Kamza i ka dhënë dhe do t’i japë përgjigje “Rilindjes”

Reagim i kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu

Damian Gjiknuri, i zhytur këmbë e krye në korrupsion, duke mos qenë në gjendje t’u përgjigjet aferave e skandaleve të tij dhe vartësve si të gjithë anëtarët e organizatës “Rilindje”, sot ka përmendur Kamzën. S’kanë faj, se është një zonë, e cila ua di diagnozën dhe nuk i qas fare si alternativë. I gjendur ngushtë pas skandalit të falsifikimeve të dokumenteve të njërës kompani në tender, duke mos ditur çfarë përgjigjeje të kthejë, shqetësohej nga protesta e banorëve të Unazës së Re dhe qenka mërzitur se banorët e Kamzës, sipas tij punonjës të Bashkisë, i qenkan bashkuar protestës. I kujtojmë Damianit dhe anëtarëve të tjerë të organizatës “Rilindje” dhe kreut të saj Rama se duhet urgjentisht t’u japin zgjidhje kërkesave të banorëve që kërkon t’u prishë shtëpitë dhe të mos devijoje çështjen.
Sa u përket banorëve të Kamzës, qofshin këta edhe punonjës të Bashkisë, Bashkia Kamëz nuk ka të drejtë, as tagrin t’i ndaloje ata të protestojnë apo të organizohen si të duan pas orarit zyrtar të punës. Edhe nëse këta banorë apo punonjës jashtë orarit zyrtar të punës kanë shkuar në mbështetje të banorëve të Unazës së Re, kanë bërë mirë, pasi po mbështesin një kauzë të drejtë. Qytetarët e Unazës së Re kanë plotësisht të drejtë në kërkesat e tyre, ndaj meritojnë vëmendjen e qeverisë.
Banorët e Kamzës janë dëshmitarët okularë të megamashtrimit të Edi Ramës për legalizime falas, bërë në qendër të qytetit në kuadër të paketës së mashtrimeve të “Rilindjes”, ndaj janë të parët që duhet të ngrenë zërin dhe të protestojnë ndaj skandaleve të Ramës. Banorët e Kamzës, duke qenë se kane besuar në premtimin dhe filozofinë e PD, si: legalizim pastaj urbanizim, kanë të drejtë të mos i marrin leje askujt për të kërkuar të drejtat legjitime, për t’i kërkuar llogari qeverisë, për të protestuar dhe madje edhe për të dhenë ultimatum: Kujdes me ne! Së fundmi, i kujtojmë Gjiknurit, Veliajt, anëtarëve të tjerë të organizatës “Rilindje” që të kenë kujdes me Kamzën dhe banorët e saj, pasi gjithnjë kanë ditur t’ua japin përgjigjen dhe do të dinë sërish ta bëjnë një gjë të tillë së herë ta kërkojnë.

22222

Exit mobile version