Kompania shtetërore e prodhimit të naftës, “Albpetrol”, tashmë ka kaluar në pronësi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, që drejtohet nga ministri Damian Gjiknuri. Më parë, “Albpetrol” ishte në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë (që drejtohet nga Milva Ekonomi).
Kalimi i pronësisë është realizuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në dhjetor dhe është miratuar edhe me vendim qeverie. Me këtë kalim zgjidhet ngërçi, ku ndonëse Ministria e Ekonomisë ishte zyrtarisht pronare e “Albpetrol”, nga ana teknike kompania administrohej nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
Të ardhurat e “Albpetrol” ishin rreth 3.3 miliardë lekë nga 12.7 miliardë lekë vitin e mëparshëm. Rënia e ndjeshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka qenë arsyeja kryesore e reduktimit të të ardhurave të kompanisë, që gjithsesi ka arritur të ruajë një fitim të kënaqshëm prej 1.2 miliardë lekësh më 2015-n.
Shoqëria “Albpetrol” sh.a. është krijuar me vendim të qeverisë Nr. 159, datë 20.03.1993, me kapital 100% shtetëror, e cila vepron sipas normave dhe rregullave të ekonomisë së tregut, me objekt: Kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, që përfshinte ciklin e plotë të punimeve sizmike, gjeologjike, mekanike, gjeofizike, kërkimin, nxjerrjen, përpunimin dhe marketingun e nënprodukteve të naftës.
Roli kryesor i shoqërisë është prodhimi dhe tregtimi i produkteve të naftës, si dhe monitorimi i Marrëveshjeve Hidrokarbure. Aktualisht në Shqipëri ka 12 vendburime të njohura nafte dhe 5 vendburime gazi natyror. Vetëm në zonën e Patos-Marinzës, në një sipërfaqe prej 44 mijë hektarësh, ndodhet zona më e madhe naftëmbajtëse në Europën kontinentale. Nëntoka e Patos-Marinzës llogaritet të ketë rreth 5.4 miliardë fuçi naftë bruto.