Gjimnazisti i jep fund jetës duke u hedhur nga ura e Bushtricës

Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje fshatin Qukës të Librazhdit, ku një 18-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga lartësia e Urës së Bushtricës dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 12:00. Sipas policisë, i riu që u hodh nga ura është Fation Feci në vitin e tretë në gjimnazin e Qukësit. Një nga miqtë e viktimës tha se i riu ishte një djalë normal dhe nuk kishte shfaqur shenja të dukshme se mund të ndërmerrte aktin e tillë. Sipas tij, ngjarja ka qenë e papritur dhe shokuese për të gjithë të afërmit dhe miqtë.
Ndërkohë nëna e të riut, sot në mëngjes i kishte rrëfyer mësueses se i biri ditët e fundit kishte qenë i mbyllur dhe duhet të kujdesej pak për të. Nga ana e saj, mësuesja thotë se nuk ka vënë re ndonjë shqetësim tek 18-vjeçari. Paraprakisht hetuesit nuk kanë gjetur shenja dhune në trupin e të riut.
Mira Golikja, drejtoresha e gjimnazit “Dilaver Nezha” që frekuentonte 18-vjeçari Fatjon Feçi u shpreh se, “Fatjoni ishte fëmijë i mrekullueshëm. Na ra si bombë lajmi, nuk na besohet ende”. Golikja shprehet me fjalët më të mira për Fatjonin dhe familjen e tij. Ashtu si të gjithë ata që e njihnin edhe ajo nuk gjen arsye për këtë vdekje, ende të paqartë dhe të pabesueshme.
“Fatjoni kishte një familje të mirë, vetë ishte më i rregullti, fëmijë i urtë. Nuk di çfarë të them”, thotë ajo. Drejtoresha mohon çdo përfshirje të Fatjonit në ndonjë konflikt apo sherr në shkollë.
“Nuk largohej kurrë nga orët e mësimit. Ishte i qetë. S’ka pasur konflikte dhe ne nuk kishim vënë re asgjë të dyshimtë apo të ndryshme në sjelljen e tij”, shprehet drejtoresha Golikja. Ajo thotë më tej se mësuesi kujdestar dhe mësues të tjerë kanë dhënë dëshminë e tyre për policinë për të qartësuar rrethanat e ngjarjes dhe motivin që çoi në vdekjen e të riut.

Artikulli paraprakU shisnin drogë gjimnazistëve, shkatërrohet banda e shqiptarëve
Artikulli tjetërAtentati mafioz në Vlorë, si shpëtuan babë e bir nga plumbat