Gjirokastër, grabiten banesat, banorët: Policia nuk ndërhyn

Banorët e fshatit Buralat në Gjirokastër, ngrenë shqetësimin e grabitjes së banesave, fenomen që sipas tyre është shtuar muajt e fundit. Banorët thonë se, grabitjet janë ngjarje pa autor, ndërsa pretendojnë se policia e Gjirokastrës nuk ndërhyn në kohë.
Mbi 80 për qind e banesave, kryesisht të pabanuara, në fshatin Bularat kanë rënë pre e grabitjeve.
Banorët thonë se kanë bërë ankesa dhe denoncime të vazhdueshme në polici, pasi theksojnë se përgjatë këtij viti hajdutët nuk kanë kursyer as shtëpitë e banuara. Në Bularat pjesën dërmuese të banorëve e përbëjnë të moshuarit, pasi të rinjtë kryesisht kanë emigruar prej vitesh në Greqi.
Shqetësimin e banorëve të Bularatit në Gjirokastër e ka ngritur shpesh herë edhe deputeti i LSI, Vangjel Tavo, i cili ka kërkuar nga Policia e Shtetit që të ndërhyjë në zbardhjen e grabitjeve të shpeshta të banesave.
E kontaktuar, Policia e Gjirokastrës kundërshton akuzat e banorëve të Bularatit, duke shpjeguar se stacioni që ndodhet në Dropull është funksional dhe u është përgjigjur denoncimeve përherë në kohë.

Exit mobile version