Gjirokastra nën pushtetin e ujit, përmbyten banesa dhe biznese

Situata në qytetin e Gjirokastrës ka dalë jashtë kontrollit nga përmbytjet. Aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë është bllokuar për shkak të motit të keq dhe prurjet e përrenjve që e kanë bërë të pakalueshme rrugën dhe paralizuar lëvizjen e automjeteve. Gjendja më problematike është pranë varrezave të qytetit, ku dhjetëra makina qëndrojnë në radhë, në një gjatësi që i kalon 2 km, në pritje të normalizimit të situatës. Ndërsa uji ka vërshuar në banesa e biznese, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Ky aks rrugor u bllokua edhe ditë më parë, kur intensiteti i reshjeve ishte më i lartë. Edhe pse pas përmbytjes së pak ditëve më parë, bashkia e qytetit tha se mori masa për thellimin e këtij përroi që shkakton edhe përmbytjen e rrugës, situata është përkeqësuar edhe më tepër. Si pasojë e ujërave të dendura në rrugën automobilistike raportohet për makina, të cilat kanë dalë nga rruga dhe janë përmbysur.
Situata paraqitet problematike edhe në zonat rurale, ku bllokimi i kanaleve kulluese ka shkaktuar daljen e ujërave në rrugë dhe përmbytjen e tokave bujqësore. Po kaq shqetësuese duket situata edhe brenda në qytet, ku rrugët janë pushtuar nga uji, duke krijuar vështirësi kalimi për automjetet dhe bëjnë të pamundur kalimin e këmbësorëve. Problematike është edhe rruga në hyrje të Spitalit të Gjirokastres, e cila është nën ujë. Për shkak se kanalet kulluese janë tejmbushur, janë përmbytur sipërfaqe të mëdha të tokave bujqësore.
Prurjet e Malit të Gjerë kanë bërë që përroi i Çullës të ketë vërshim të ujërave, duke rrezikuar banesa e biznese që ndodhen 500 m poshtë përroit. Ky përrua del pas shumë vitesh si pasojë e gërryerjeve të shumta e pa kriter, që janë bërë në të duke qenë se është ranor dhe shpesh është shfrytëzuar si lëndë e parë për ndërtim.
Dalja e ujërave të këtij përroi rrezikon seriozisht banesat e banorëve të Lagjes së Re të Gërhotit, pasi uji i shumtë ka vënë para zhavorrin e kësaj faqeje mali. Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse dhe të Bashkisë në përpjekje për të parandaluar vërshimin e ujërave dhe inerteve në rrugë. Edhe pse me intensitet reshjesh më të pakta nga ato të një jave më parë dhe me një situatë jo aq problematike sa ajo e kaluara, sërish gjendja në Gjirokastrës është shqetësuese.
Duket se masat e reklamuara nga Bashkia e qytetit kanë rezultuar një flluskë sapuni për përballimin e shirave në Gjirokastër që është e destinuar të pushtohet nga uji me reshjet e para. Në këto kushte, gjendja në Gjirokastër mund të cilësohet pa frikë dramatike.

Gjendja dramatike si pasojë e korrupsionit
Kryetari i degës së PD Gjirokastër ka reaguar për situatën e rëndë të përmbytjeve. Në një postim në Facebook, Bejko shkruan se, të gjitha rrugët në Gjiroakstër janë bllokuar si pasojë e korrupsionit qeveritar. “Në Gjirokastër uji i shiut nuk gjen pusetë ku të futet! Përmbyten rrugët e qytetit Gjirokastër, përmbytje kudo në këtë rreth! Nga Dunavati në “18 Shtatori”, nga Manalati në Kodrën e Shtufit, nga Zinxhirat në Lagjen “Punëtori”, deri në aksin nacional uji nuk gjen një pusetë ku të futet. Nuk ka, janë të bllokuara nga mbetjet, nga punët publike jashtë standardeve.
Janë të bllokuara nga korrupsioni qeveritar, që kanë kryer investime jashtë standardeve paçka se janë hedhur miliona dollarë. Shtrimi i rrjetit të ujësjellësit dhe 20 kv, ndërtimet urbane jashtë kushteve teknike, i kanë bërë një dëm të pariparueshëm qytetit muze. Ky është qyteti që drejtoi për tre mandate Flamur Bime, dhe sot Zamira Rami. Paaftësi dhe orientalizëm total”, shkruan Bejko.
Edhe në Sarandë, ka dalje nga shtrati të lumit të Bistricës, Pavllos dhe Kalasës, duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore. Në hidrovorin e Çukës në Sarandë ka pasur ndërprerje të energjisë, por aktualisht hidrovori është në punë.

Ja zonat pa energji elektrike në të gjthë vendin

Për shkak të motit të keq shumë zona në vend kanë mbetur pa energji elektrike. Sipas informacionit të orës 10:00, i përcjellë nga OSHEE-ja në 11 drejtoritë rajonale të OSHEE në vend, mësohet se zonat më të prekura nga defektet gjatë natës kanë qenë Vlora, Tirana e Durrësi.
OSHEE ka angazhuar në terren rreth 1500 punonjës të organizuar në grupe që po riparojnë defektet e shkaktuara nga moti i keq.
Të gjithë hidrovoret janë në punë dhe furnizohen normalisht me energji.
Theksojmë se janë marrë masa për furnizimin me energji të institucioneve të rëndësisë së veçantë, siç janë spitalet.
Në burimet e furnizimit me energji elektrike që janë nënstacionet 110/35/20/10/6 kV dhe linjat TL 35 kV ka difekt nënstacioni Vojnik në rajonin e veriut.
Numri i fiderave me defekt është 39, ndërsa janë shfaqur probleme në degëzimet e disa fiderave që mbulojnë me energji kryesisht zonat e thella rurale.
Raportohet për rrëzime të shtyllave, këputje të përcjellësave apo dëmtime të traversave.
Rajonet me mungesë energjie
Rajoni Tiranë: Qereke (pjesërisht), Tapizë, Pompat Tapizë.
Gjithashtu për arsye remonti në linjën e TM është stakuar fideri 7/Ibë që mbulon zonën pjesërisht Ibë. Valias pjesërisht, Kamëz pjesërisht, Prezë, pjesërisht, Pezë pjesërisht, Zall Bastar, Mullet.
Rajoni Durrës: Zonat Rashbull, Lagjet: SMT, Pallati Hark, “Bakushe Visha”, Tregtia, Hekurudha, Hasan në Qytet Krujë; Radë, Kanapraraj, Fermë Sukth, Karpen, Manskuri, Sektor Rinia, Maminas.
Rajoni Berat: Mërtish, Hysgjokaj në Lushnjë.
Rajoni Shkodër: Pjesërisht qytet Shkodër, Zues, Bërdicë, Zagorë, Kuç, Rrenc pjesërisht, Shënkoll Tale, Iballë, Zejmen, Vau Dejës pjesërisht.
Rajoni Elbasan: Komuna Labinot.
Rajoni Burrel: Autostrada, Fushë Gjorm, pjesërisht, Zhej i Vogël, pjesërisht, Fshat Laç, pjesërisht; Gjormë; Komsi.
Rajoni Korçë: Komuna Liqenas.
Rajoni Gjirokastër: Pjesërisht Lazarat, Buz/Tepelenë.
Rajoni Vlorë: Amonicë, Kocul, Kallarat, Radhimë, Brataj, Babicë Gorisht, Himarë.

Rrugët e bllokuara nga ujërat dhe dherat

Mjaft akse rrugore në qarqe të ndryshme të vendit janë të bllokuara për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Në mjaft rrethe të vendit ka bllokime aksesh nga uji, por dhe rrëshkitje të dherave. Ministra e Transportve u kërkon drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes në qarkullim, sidomos në akset ku ka prani të materialeve në rrugë.
Tiranë
I bllokuar nënkalimi tek City Park. Ka rreshje të dendura në të gjithë qarkun. Në segmentin rrugor  Tiranë-Durrës, në rrugën që shkon për  tek nënkalimi i City Park, rruga është e bllokuar, pasi ka një cedim (ulje të madhe). Janë marrë masat me plotësim sinjalistike. Po punohet nga firma kontraktore për normalizimin e situatës.
Në segmentin rrugor Lanabregas – Uzina Traktori, ka prani të ujit në rrugë. Firma po punon për zhbllokimin e tombinos me mjete dhe punëtorë, si dhe po bën mbushjen e pjesës së poshtme të saj me materiale. Nuk ka problem për qarkullimin në këtë segment.
Durrës
Në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ka prani të ujit në rrugë. Kontraktori po punon me mjete dhe forca për largimin e ujit me anë të pompave.
Grumbullim aluvionesh ka edhe tek rruga e Spillesë, por po pastrohen nga kontraktori.
Në të gjitha akset e tjera qarkullohet normalisht.
Vlorë
Në aksin Qafa e Dushkut–Kuç, është demtuar Ura që lidh Lepenicën me Brataj, nga prurjet e lumit. Kalimi është devijuar deri në ndërtimin e një ure të re.
Kukës
Ka rreshje shiu në të gjithë Qarkun. Në disa nga akset e këtij Qarku ka prani të materialeve në rrugë. Firmat kontraktore po punojnë me mjete dhe fuqi punëtore për pastrimin e akseve.
Në aksin Kukës – Qafë Shllak, ku ka patur një shëmbje të rrugës, kalimi  kryhet vetëm për mjetet e vogla dhe furgonat.  Firma kontraktore po punon për mbajtjen nën kontroll të situatës. Situata e pandryshuar prej disa ditësh.
Në aksin Krumë-Qafë Prush, në Vlanë ka një shembje në gjatësi rreth 50 ml, rruga është 1 kalimshme. Pjesa tjetër e aksit nuk ka probleme për qarkullimin. Situata e pandryshuar prej disa ditesh.
Dibër
Ka rreshje shiu në të gjithë Qarkun. Në disa akse të këtij Qarku ka prani të materialeve dhe uji në rrugë, por pa problem për qarkullimin e mjeteve. Firmat kontraktore po punojnë me mjete dhe fuqi punëtore të shtuar për pastrimin e akseve.
Aksin K. Hadroj-Qafë Benë, është hapur me dy kalime në të gjithë gjatësinë e tij. Megjithatë herë pas here ka rënie gurësh e dherash nga rreshjet. Firma kontraktore po bën pastrimin e aksit. Situata tek Tuneli i Gjegjanit është normalizuar dhe rruga është e hapur. Po punohet nga kontraktori për pastrimin e saj nga dherat.
Në aksin Skuraj–Burrel, ka dëmtime të shpatullave të urës në hyrje të Klosit, nga prurjet e lumit.
Shkodër
Në disa akse të këtij Qarku ka probleme, siç janë akset Shkodër-Qafë Qelë, ku ka shembje të trupit të rrugës.
Te  Harku i Bërdicës, situata është normalizuar, qarkullimi kryhet normalisht. Në të gjitha akset po punohet me forca dhe mjete për  pastrimin e akseve.
Në akset Pukë-Fushë Arrëz, Fushë Arrë –Qafë Mali–Qafë Shllak, ka patur rënie gurësh e dherash në rrugë. Kontraktorët e akseve po punojnë për pastrimin e akseve. Qarkullimi është normal në këto akse.
Edhe në aksin Qafë Mali – Fierzë, ka patur rënie gurësh e dherash, të cilat po pastrohen nga kontraktori. Në këtë aks kontraktori ka bërë pastrimin e kunetave, tombinove dhe kanaleve anësore të rrugës.
Rënie gurësh e dherash ka patur edhe në akset Qafë Laç – Koman dhe Hani i Hotit – Tamarë, si pasojë e rreshjeve të natës së kaluar. Kontraktorët kanë bërë pastrimin e akseve dhe qarkullimi është normal në këto akse.
Në aksin Bajram Curri – Valbonë, prurjet e shumta kanë gërryer një pjesë të rrugës.  Në vend ka prani të mjeteve dhe fuqi punëtore të shtuar të kontraktorit, të cilët bëjnë pastrimin e aksit nga rënia e herë pas hershme e gurëve dhe dherave.  Eshtë vendosur sinjalistika përkatëse që tregon ngushtimin e seksionit të rrugës.

Exit mobile version