Libri i ri i autorit Walter Siti na tregon anën e errët e qytetërimit dixhital. “Shumë shërbime na ofrohen me kosto zero, por në fund hesapi për t’u paguar të vjen gjithmonë, sidomos për milenalët, duke qenë se puna e tyre nuk është më e shpërblyeshme si dikur”. Ai që ka diktuar linjën, në një libër të dalë në vitin 2009, ka qenë Chris Anderson, ish-drejtor i revistës “Wired”, një prej guruve të revolucionit dixhital: «Zhvillimi i Freeconomics, ekonomisë së falasit, është stimuluar nga teknologjitë e erës dixhitale», ka shkruar ai. «Linjat e tendencës që përcaktojnë koston e aktiviteteve ekonomike online synojnë të gjitha në të njëjtin drejtim: zeroja». Kjo është kryefjala e së ardhmes: falas. Në pamje të parë, entuziazmuese.
Por edhe shumë, shumë e rrezikshme. Anët e errëta e «falasit» teknologjik janë të shumta dhe për t’i nxjerrë në dritë mendon Walter Siti, romancier i fuqishëm, fitues i Çmimit “Strega” dhe autor i një libri të titulluar “Të paguash apo të mos paguash” (shtëpia botuese Nottetempo). «Jam pjesë e shtresës së mesme, e atyre që dikur quheshin “të garantuarit”», tregon ai. «Unë jam një i garantuar 70-vjeçar, me një nip 25-vjeçar. Më ka goditur, tek nipi im dhe në përgjithësi tek të rinjtë, ai lloj çinteresimi që kanë për posedimin e gjërave. Kanë pak para në xhep, janë mësuar që të mos paguhen për atë që bëjnë. Nëqoftëse postojnë një video në Youtube, sa për të dhënë një shembull, nuk paguhen. Por, në kompensim, mund të shkarkojnë nga interneti një mal me gjëra: muzikë, filma, libra, gjithçka falas. Deri edhe programe, që po të duhej t’i blenin, do të rezultonin shumë të kushtueshme. Për shembull, nuk blejnë makinë, pasi me shërbimet e car sharing mund ta përdorin kur kanë nevojë, pa e poseduar, mjafton që ta rikthejnë pas përdorimit. Për gjeneratën time, blerja e diçkaje me paratë e para të fituara qenë një lloj riti i zakonshëm. Makina e parë, dhuratat e para të bëra prindërve me paratë e fituara vetë… Ishte si të thuash: jam bërë burrë».
Ja, ka mundësi që «ana e parë e errët» e falasit të jetë pikërisht kjo.
Në erën dixhitale nuk emancipohesh kurrë, nuk bëhesh kurrë i pavarur. Mbetesh fëmijë.
«Ndoshta është vërtet kështu», thotë Siti. «Që ekziston një lloj infantilizimi të kulturës më duket goxha evidente. Sot gjithçka duhet të jetë e menjëhershme, gjithçka duhet prekur shpejt. Ideja e një pasurie dijeje tek e cila hyhet dora-dorës gjatë jetës ka filluar të dobësohet. Janë fëmijët që e shikojnë tortër dhe duan menjëherë që t’ia vënë dorën sipër».
Megjithatë, falasi ka një efekt tjetër. Në një farë mënyrë, shterpëzon protestën, mjegullon kritikën.
«Logjika më duket kjo: nuk paguhesh për gjërat që bën, në shpërblim të ofrohen një mal me gjëra falas, kështu që nuk ia vlen të ankohesh shumë, pasi do të ishe i pari që do ta pësoje», reflekton Siti.
Por mashtrimi më i madh, gjigantesku i pathënë, shkon të prekë natyrën e vërtetë të këtij fenomeni. Në realitet, falasi nuk është aspak falas.
«Për shembull, shumëkombëshet të ofrojnë shumë shërbime falas», shpjegon Siti, «por është një mënyrë për të të futur karremin. Google të jep një seri gjërash që nuk kushtojnë absolutisht asgjë në mënyrë që t’i mos jetosh dot më pa Google».
Falasi shërben për t’i bërë garant monopolin.
Lidhur me këtë, Siti citon një batutë të Bill Gates: «Kur ka mësuar se në Kinë piratonin softuerin e tij, nuk ka menduar për aksione ligjore dhe e ka komentuar me filozofi: “Duam që të vjedhin produktet tona, jo ato të të tjerëve”.
Domethënë, të dhuruarit bëhet i domosdoshëm.
«Falasi është një lloj kurthi», vazhdon romancieri. «Dykuptimësia është e tëra në fjalën anglisht free, që do të thotë “i lirë”, por edhe tregon diçka që nuk kushton asgjë. Të dhurojnë një liri me të cilën nuk di se çfarë të bësh. Është si të kesh një litar në qafë që të lejon të shkosh deri në një pikë të caktuar, por asnjëherë më tej. Në të vërtetë, përqindja e shpenzimeve në terma njerëzorë dhe psikologjikë është e lartë: falasi kushton jashtëzakonisht shumë».
Duke lexuar librin e Siti, të vjen të mendosh se në fund të fundit është gjithçka një çështje lodhjeje. Mbi të gjitha, revolucioni dixhital bën rrugë falë komoditetit. Na shpëton nga detyra të vështira e të mërzitshme, por njëkohësisht i heq vlerën asaj që bëjmë. Na dhuron mundësi që as i kemi kërkuar, në shpërblim nuk i jep kurrfarë vlere përpjekjeve dhe impenjimit tonë.
«Është çmimi që paguhet për lehtësinë», thotë Siti. «Gjithçka është më e lehtë, por edhe më e kontrolluar, edhe më e drejtuar. E kam parë me sytë e mi, duke dhënë për një kohë të gjatë mësim në një universitet. Të rinjtë janë të mësuar të bëjnë kërkime në Wikipedia ose, gjithsesi, online. E shmangin lodhjen e të kërkuarit të librave, të verifikimit të asaj që është më shumë apo më pak e besueshme. Mësohen me rrugën më të thjeshtë, si uji që derdhet gjithmonë për poshtë. Por unë kam përshtypjen se dija është një shkallë për lart. Më godet shumë ideja që qarkullon sot, sipas së cilës librat duhet të jenë si të copëzuar. Në vend që të jenë objekte të forta, ndoshta edhe të vështirë për t’u kafshuar, bëhen pluhur, shpërbëhen. Nga një poezi mund të merret një varg i vetëm, mjafton një citim për të përmbledhur një vëllim të tërë… E gjitha kjo më bën të mendoj për atë që shkruante Giacomo Leopardi tek “Zibaldone”, kur fliste për gazetat toskane e kohës së tij: një vend ku të gjithë nga pak është një vend ku dihet pak. Kultura e vërtetë, besoj, parashikon akumulimin që detyrisht rezulton elitar».
Por elitarizmi (të paktën në sipërfaqe) është armiku i vërtetë i revolucionit dixhital, në të cilin të gjithë duhet të kenë akses në gjithçka.
«Më godet shumë një aspekt», thotë Siti. «Për sa i përket teknologjisë, të gjithë e pranojnë se duhej dije të veçanta. Të rinjtë ftohen që të thellojnë, të specializohen. Ama kjo nuk vlen për gjithçka tjetër të kulturës. Letërsia duhet të jetë për të gjithë, muzika njëlloj. E bukura dhe e shëmtuara përcaktohen me shumicë…».
Dhe të thuash se teknologjia është gjëja më elitare ekzistuese në botë. Aparatet dixhitale që të gjithë përdorim dhe që janë bërë tashmë të domosdoshëm funksionojë si me magji. Midis nesh, janë vërtet pak ata që ia kuptojnë vërtet mekanizmat.
«Nuk dimë minimalisht sesi funksionojnë smartfonët, tabletat e të tjera. Na mundësojnë që të bëjmë shumë gjëra, por kur prishen nuk na mbetet gjë tjetër veç t’i ndërrojmë. Dhe e gjitha kjo krijon një oligarki: ata që kanë pushtetin janë ata që funksionojnë si dispozitivët teknologjikë».
Pikërisht, të gjithë të tjerët janë të nënshtruar, të varur. Fëmijë të lidhur pas kordonit ombilikal. Në erën e algoritmit sovran, dhurata rezulton një burg. Nga i cili është gjithnjë e më e vështirë të arratisesh, duke qenë se mundësitë për të siguruar një punësim të paguar mirë janë gjithnjë e më të kufizuara.
«Praktikisht, për sa i përket punës, jam pesimist», psherëtin Siti. «Nuk besoj në idenë sipas së cilës do të rifitohet në cilësi, ajo që humbet në sasi. Kam përshtypjen se vala e robotizimit do të përkthehet edhe në zëvendësimin e punëve intelektuale, duke i bërë në fakt të kota. Vendet e punës do të jenë sigurisht më pak. Do të mbesin skllevërit, pasi do të kushtojnë gjithnjë e më pak se makinat».
Oh, sigurisht. Ka që flasin për të ardhur qytetarie, duke menduar se është zgjidhja për gjithë të këqijat. Por, sërish, gjendemi përballë një forme tjetër varësie. Një variacioni mbi temën e falasit: të paguaj për të mos bërë asgjë, të jap një rrogë të vockël për të mbajtur në vendin ku je.
«Dikur, një zotëri që merrej me hedge fund më ka thënë: neve na vjen më për mbarë që t’u japim para të rinjve, boll që të rrijnë urtë e mirë», tregon Walter Siti. «Është interesante: e ardhura e qytetarisë është ëndrra e antagonistëve, por është edhe një dëshirë e kujt komandon».
Kemi humbur mundësinë e të blerit dhe bile edhe të kënaqësisë për ta bërë.
«Vetë koncepti i të blerit ka hyrë në krizë», shkruan Siti. «Dora dorës që gjithçka kompjuterizohet, gjërat që blejmë nuk na përkasin vërtet, i kemi vetëm në përdorim, me një liçencë».
Në thelb, ndjesia është saktësisht kjo: që vetë jeta nuk është e jona, por që na është dhënë me liçencë.
(Francesco Borgonove për La Verita)
Përgatiti
ARMIN TIRANA