Gjithçka mbi Panama Papers dhe Mossack Fonseca

Luke HARDING,
The Guardian

Një publikim i paprecedent prej mbi 11 milionë dokumentesh nga baza e të dhënave të kompanisë ligjore të katërt më të madhe në botë, Mossack Fonseca. Të dhënat u përftuan nga një burim i panjohur i gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”, e cila i ka shpërndarë ato Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ) dhe më pas i kanë rishpërndarë me një rrjet të madh partnerët ndërkombëtarë, përfshirë këtu “The Guardian” dhe BBC.

-Çfarë kanë publikuar dokumentet?
Dokumentet kanë dhënë prova të një sërë mënyrash se si të pasurit e botës shfrytëzojnë regjimet e fshehta të taksave në parajsat fiskale. Dymbëdhje liderë kombëtarë ndërmjet plot 143 politikanëve sëbashku me familjet e tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë nga e gjitha bota tashmë njihen me emra për përdorimin e këtyre parajsave fiskale.
Një shteg prej 2 miliardë dollarësh të çon deri në këmbët e Vladimir Putinit. Miku më i mirë i Presidentit rus, Sergei Roldugin, qëndron në qendër të skemës, nëpërmjet të cilës janë fshehur paratë nga bankat ruse në parajasat fiskale. Një pjesë e këtyre parave kanë përfunduar në një resort skish ku në vitin 2013 u martua Katerina, vajza e Presidentit Putin.
Në mes të liderëve kombëtare të që fshehin pasuri në parajsat fiskale janë Nawaz Sharif, Kryeministri Pakistanez; Ayad Allawi, ish- kryeministër i përkohshëm dhe ish-zëvendës/president i Irakut; Petro Poroshenko, President i Ukrainës; Alaa Mubarak, djali i ish-Presidentit të Egjiptit; dhe Kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugsson.

-Çfarë është Mossack Fonseca?
Eshtë një kompani ligjore me qendër në Panama, shërbimet e të cilës përfshijnë inkorporimin e kompanive në juridiksione të huaja, si për shembull Ishujt Virxhin Britanikë. Ajo administron kompani në këto parajsa fiskale kundrejt një pagese të përvitshme. Shërbime të tjera përfshijnë menaxhimin e pasurisë.

-Ku e ka qendrën?
Kompania është panameze, por operon në mbarë botën. Faqja e saj e internetit lëvdohet për një rrjet global prej 600 personash që punojnë në 42 shtete. Ajo ka degë përreth botës, ku nëndegë që operojnë ndaraz janë në kërkim të klientëve të rinj dhe kanë të drejta ekskluzive të përdorin markën e saj. Mossack Fonseca operon në parajsa fiskale, duke përfshirë Zvicrën, Qipron dhe Ishujt Virxhin britanikë, si dhe në vende në varësi të Kurorës britanike, si Guernsej, Xhersi dhe Ishulli i Men.

-Sa e madhe është?
Mossack Fonseca është ofruesi i katërt më i madh në botë i shërbimeve në parajsa fiskale. Ka vepruar për më shumë se 300 mijë kompani. Ka një lidhje të fuqishme me Mbretërinë e Bashkuar. Më shumë se gjysma e kompanive janë regjistruar në parajsa fiskale të administruara prej britanikëve, si dhe në vetë Mbretërinë e Bashkuar.

-Sa të dhëna janë nxjerrë?
Shumë. Rrjedhja është një prej më të mëdhave në histori – më e madhe se kabllogramët diplomatikë të nxjerrë nga Wikileaks në vitin 2010, si dhe dokumentat e fshehtë që iu dhanë gazetarëve nga Edward Snowdeni në vitin 2013. Janë 11.5 milionë dokumenta dhe 2.6 terabajt informacion të nxjerrë nga baza e të dhënave të Mossack Fonseca.

-A janë hajdutë të gjithë ata që përdorin llogaritë në parajsat fiskale?
Jo. Përdorimi i strukturave në këto parajsa fiskale është krejtësisht i ligjshëm. Ka shumë arsye legjitime për ta bërë këtë. Biznesmenë në vende si Rusia dhe Ukraina zakonisht i fusin pasuritë në parajsa fiskale për t’u mbrojtur nga “sulmet” prej kriminelëve, si dhe të shmangin kufizimet e monedhave. Të tjerë i përdorin për arsye trashëgimie dhe planifikim pronash.

Exit mobile version