I gjithë bregu në duart e qeverisë

Me pretendimin se i nevojitet të krijojë “një fond toke në mbështetje të investimeve strategjike”, qeveria shqiptare urdhëroi pezullimin e regjistrimit të të gjitha tokave të shpërndara në pothuajse të gjithë vijën bregdetare të vendit
Harta shoqëruese e vendimit të qeverisë “për pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike”, i miratuar më 14 mars, u botua të hënën në Fletoren Zyrtare.
Harta përfshin të gjithë vijën bregdetare të vendit me distancë deri disa kilometra nga bregu i detit, ku sipas qeverisë, të gjitha aktet e pronësisë që u janë dhënë fshatarëve, por që për arsye të ndryshme nuk janë regjistruar ende në zyrat e regjistrimit të pronave të patundshme, duhet të bllokohen për shkak se qeveria thotë se, dëshiron të krijojë “një fond për mbështetjen e investimeve strategjike”, në bazë të një ligji kontrovers që i jep të drejtë qeverisë të dhunojë pronën private për llogari të të ashtuquajturve “investitorë strategjikë”.
Vendimi përfshin të gjithë tokën me vlerë tregtare nga grykëderdhja e Bunës në Veri deri në Kepin e Stillos në kufirin jugor të vendit me Greqinë dhe mbart pikëpyetje ligjore për shkak se, një e drejtë e dhënë me ligj, nuk mund të hiqet me vendim qeverie.

Vendimi për mosregjistrimin e tokave të dhëna përmes Komisioneve të Shpërndarjes së Tokave përfshin edhe shumë fshatra bregdetarë, veçanërisht në bregdetin e jugut, por edhe në zonat lagunore të Divjakës, Nartës, Velipojës, plazhit të Rilës pranë Lezhës apo lagunës së Shëngjinit. Me njolla të kuqe janë shënjuar edhe gjiri i Porto-Palermos në bregun e jugut, Gjiri i Lalëzit apo bregdeti i Ksamilit përballë ishullit të Korfuzit.
Në mënyrë të pashpjeguar, harta e publikuar në Fletoren Zyrtare mbart disa njolla të kuqe.
Qeveria shqiptare e kryeministrit Edi Rama miratoi një ligj kontrovers në vitin 2015, të quajtur Ligji për Investimet Strategjike, përmes të cilit i dha të drejtë vetes të japë pa pagesë toka të caktuara për subjekte të klasifikuara si “investitorë strategjikë”.
BIRN ka zbuluar më parë se, këto “investime strategjike” po kryen nga biznesmenë shqiptarë, në toka të kontestuara dhe në një rast, në toka për të cilat vetë qeveria pati dalë në konkluzionin se ka manipulime.
Tokat në bregdet, ashtu si në të gjithë Shqipërinë janë shpërndarë në bazë të një Ligji të vitit 1991, të miratuar nga dy partitë kryesore të politikës shqiptare, PD dhe PS dhe që ka shkaktuar telashe të mëdha dhe konflikte të vazhdueshme që nga ajo kohë.
Në përpjekje për të shmangur konfliktet, një pjesë e konsiderueshme e fshatrave kanë përdorur këtë ligj për të shpërndarë mes fshatarëve tokat që dikur i përkisnin gjyshërve.
Qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë shpesh nisma “për verifikim” të shpërndarjes së këtyre tokave, ndërsa vendimi i fundit i qeverisë për mosregjistrim të tyre duket se është masa më drastike e ndërmarrë ndonjëherë.
Në vitin 2014, një Task-Forcë për Verifikimin e Ligjshmërisë dhe Mënyrës së Tjetërsimit të Pronave të Paluajtshme Shtetërore pranë Kryeministrisë gjeti manipulime në disa sipërfaqe toke në bregdetin e jugut, kjo nuk e ndaloi qeverinë të jepte leje ndërtimi në këto toka.

Pse ky vendim?
Vendimi i miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë i hap rrugën ngritjes së një Task Force speciale, e cila praktikisht do të administrojë të gjitha tokat që shtrihen deri në 1.5 kilometër distancë nga bregdeti, për t’ia u dhënë më pas investitorëve privatë.
“Task-Forca evidenton dhe regjistron në një regjistër të veçantë pasuritë e paluajtshme shtetërore, që ndodhen 1,5 kilometra nga vija bregdetare dhe që mund të përdoren për investime në turizmin bregdetar, me të gjitha të dhënat e tyre”, thuhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.
Por pika më e diskutueshme e vendimit është ajo që i jep të drejtën Task Forcës të marrë në administrim edhe parcelat, të cilat janë në procese gjyqësore apo në shqyrtim administrativ.
“Task-Forca përfshin në regjistër edhe pasuritë e paluajtshme, të cilat, sipas dokumentacionit, janë pasuri shtetërore, por që janë në konflikte gjyqësore apo në konflikte administrative me palë të treta, në lidhje me titullin e pronësisë”, thuhet në VKM.
Kjo është një skemë përmes të cilës praktikisht qeveria shtie në dorë të gjitha tokat e bregdetit. Por pas shtetëzimit në vend që të përdoren për kompensimin e pronarëve, tokat në bregdet do u jepen falas investitorëve privat nën justifikimin e investimeve strategjike.
Ky vendim qeverie, i cili asgjëson thuajse të gjitha ligjet që mbrojnë pronën private rrezikon të shndërrohet në një nga skemat më të mëdha të grabitjes së pronave në bregdet. Pas të ashtuquajturve investitorë strategjikë qëndrojnë thuajse gjithmonë të njëjtit njerëz, oligarkët dhe biznesmenët e lidhur me qeverinë. Do të jenë këta njerëz, por edhe qeveritarët, të cilët nën justifikimin e investimeve strategjike do të shtien në dorë të gjitha tokat e bregdetit.

Goditje e koordinuar mes Prokurorisë
Dy ditë pas daljes së kësaj VKM-je, Prokuroria ndaloi 23 zyrtarë në Bashkinë e Lezhës, përfshirë kryetarin Fran Frrokaj me akuzën e abuzimeve me tokat në bregdet.
Një rastësi shumë e çuditshme, që ngjan me një goditje të përqendruar ku qeverisë i intereson të krijojë fabulën e abuzimeve me tokat në bregdet për të përligjur shtetëzimin e tyre dhe më pas për t’i privatizuar ato tek klientët e saj.
Në fakt, kjo nuk është një taktikë e panjohur për qeverinë. Në mandatin e parë, Policia nisi represionin mbi qytetarët për faturat e energjisë. Pasi burgosi mijëra familjarë të varfër, ajo nënshkroi marrëveshjen me kompaninë çeke CEZ, e cila sipas KLSH i shkaktoi qytetarëve shqiptarë 480 milionë euro dëme.
A po përsëritet i njëjti skenar edhe me tokat në bregdet? Rreziku është shumë i lartë. Ky vendim i jep qeverisë pushtet të jashtëligjshëm për të privatizuar dhe tjetërsuar thuajse të gjitha tokat në distancë 1.5 kilometër nga vija bregdetare. Dhe emrat e investitorëve strategjikë tashmë dihet se kush janë; të njëjtit njerëz klientë të qeverisë që marrin çdo tender, konçesion apo aset publik. /SYRI.net

 

Exit mobile version