I gjithë vendi në flakë, 10 vatra zjarri në pyje vetëm dje

I gjithë vendi është përfshirë nga flakët e zjarreve dhe situata sa vjen e përkeqësohet. Vetëm ditën e djeshme ka pasur 10 vatra zjarri në pyje në Vlorë, Shkodër, Durrës, Fier, Berat dhe Korçë ku ka patur dëme të mëdha. Shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë në disa raste, por pa mundur të shuajnë flakët për shkak të terrenit të vështirë. Banorët e zonave janë angazhuar për shuarjen e zjarreve, por pa ia arritur qëllimit. Ndërkohë, era ka bërë të mundur që flakët e zjarreve të përhapen me shpejtësi.
Qarku Berat
Në fshatin Bogovë, Çorovodë ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të vështirë malor zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë për shuarjen e tij, shkuan dhe banorë të zonës. Për pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe pisha. Sot në mëngjes, vatra e zjarrit është riaktivizuar përsëri dhe forcat zjarrfikëse po punojnë në vendngjarje dhe sipas informacioneve të fundit zjarri është vënë nën kontroll.
Qarku Fier
Në fshatin Gjorgos, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pisha. Forcat zjarrfikëse për shkak të terrenit të thyer për shuarjen e zjarrit kanë përdorur mjete rrethanore. Në ndihmë të tyre shkuan edhe 10 forca nga Drejtoria Pyjore. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 4 ha me shkurre, ferra dhe pisha.
Në fshatin Zhamë, Lushnje ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse u angazhuan dhe banorë të zonës si dhe 8 forca nga Drejtoria Pyjore Lushnjë. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 3 ha shkurre, ferra dhe disa ullinj të rinj.
Në lagjen “29 Marsi”, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, si dhe rrezikohej qendra e banuar. Shërbimi vendor i zjarrfikësve ka shkuar në vendngjarje dhe ka shuar zjarrin plotësisht. Për pasojë u dogj një sipërfaqe prej 2 dynymësh me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Zhupan, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Megjithë ndërhyrjen u dogj një sipërfaqe 2 dynym shkurre, ferra dhe pjesërisht 10 rrënjë ullinj të rinj.
Qarku Vlorë
Në fshatin Armen, Selenicë ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. 2 automjete zjarrfikëse dhe 15 forca u angazhuan për shuarjen e flakëve. Pas një operacioni që zgjati rreth 3 orë, zjarri u shua plotësisht, por u dogj 1 ha me shkurre ferra dhe disa ullinj.
Në fshatin Zvërnec, Vlorë flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre dhe pisha, çka solli djegien e një sipërfaqe rreth 4 dynym me shkurre dhe pisha.
Qarku Shkodër
Në fshatin Gruemirë, Malësi e Madhe ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, por rrezikohej edhe qendra e banuar. Zjarrfikëset e Malësisë së Madhe fikën zjarrin brenda pak minutash, duke mos lejuar përhapjen e flakëve në banesa. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 3 dynymësh me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Koplik i Sipërm, Malësi e Madhe ra zjarr dhe u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me bimë medicinale.
Qarku Durrës
Në Gjirin e Lalzit, në afërsi të stacionit të trenit, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Pas një operacioni që zgjati rreth një orë zjarri u fik, por u dogj rreth 1 dynym me shkurre dhe ferra.

Exit mobile version