Gjykata e Posaçme Antikorrupsion i ktheu SPAK dosjen ndaj mjekut Edvin Prifti për plotësim hetimesh.
Gjyqtarja Elsa Ulliri i ka dhënë dy muaj afat kohor prokurorit Sotir Kllapi, të plotësojë dosjen e më pas të ribëjë kërkesën për kalimin e saj për gjykim.
Vendimi u mor në seancën e kësaj të marte e cila zgjati më shume se dy orë.
Në muajin shkurt të këtij viti, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim në GJKKO për Edvin Priftin, për të cilin janë ngritur katër akuza, “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “pastrim parash”.
HETIMET
Prifti u vendos nën akuzën e SPAK më 11 shkurt 2021, si pjesë e një hetimi të nisur ndaj 12 personave të tjerë që dyshohej se synonin të lironin disa të burgosur në burgun e Fushë-Krujës kundrejt përfitimeve monetare. Prifti vetë u akuzua se mund të kishte marrë ryshfet për operimin e nënës së njërës prej sekretareve të gjykatës së Krujës, që ishin asokohe nën përgjim.
Prokuroria sqaron se në momentin e arrestimit, nga kontrolli i banesës dhe i zyrës së të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme monetare në cash për të cilat nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme dhe se dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale. Konkretisht, janë gjetur rreth 256 mijë euro, 7600 USD dhe rreth 15.4 milionë lekë. Nga hetimi pasuror i kryer në vijim janë sekuestruar gjashtë llogari bankare, shuma monetare në vlerën prej 177 mijë euro dhe 52.4 milionë lekë. Gjatë hetimit paraprak janë sekuestruar në total 434 mijë euro; 67.9 milionë lekë, si dhe 7600 USD.
“Hetimi ka provuar se, i pandehuri prej vitit 2018, e në vijim, ka kërkuar nga subjekte të ndryshme tregëtare të cilët ushtrojnë veprimtarinë në fushën e ofrimit të shërbimeve mjekësore etj., fatura tatimore fiktive, të cilat më pas janë paraqitur pranë organeve tatimore, me qëllim jo vetëm për të justifikuar shumat monetare, por edhe për të rritur fiktivisht shpenzimet me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore,” pretendon Prokuroria.
Në vijim në njoftim thuhet se Prifti është pajisur me fatura fiktive, të cilat pasqyrojnë blerjen fiktive të sendeve dhe paisjeve mjekësore nga subjektet tregtare në emër të tij, me qëllim rrijtjen e kostove dhe shmangien nga detyrimet tatimore, si edhe për të justifikuar shumat e derdhura cash në llogaritë e këtyre bizneseve, vlera që më pas janë tërhequr prej tij dhe janë depozituar në llogaritë personale.
Sipas hetuesve, i pandehuri në këtë mënyrë ka justifikuar burimet e të ardhurave pa origjinë të ligjshme, që sërish kanë mbetur të pajustifikuara plotësisht. Këto veprime cilësohen nga organi i akuzës si tregues i qëllimit të vërtetë të të pandehurit, i cili është fshehja dhe mbulimi i natyrës së burimit të të ardhurave nga veprimtaria e dyshuar e korrupsionit. Bazuar në këto rrethana, është ngritur ndaj tij akuza për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Prokuroria ka ngritur ndaj Priftit edhe akuzën e vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës, duke iu referuar një episodi që lidhet me një grant nga një fondacion. Sipas njoftimit të prokurorisë, Prifti, në sajë të detyrës së tij si shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, pasi ka përfituar një grant në shumën 8973 USD nga një fondacion me qëllim financimin e një projekti që do të implementohej në shërbimin ku ai drejtonte, rezulton se nuk ka investuar të gjithë shumën monetare të grantit, por ka përfituar një pjesë për interesa personale.