Apeli i GJKKO ka lënë në burg Ramazan Rrajën, duke rrëzuar kërkesën për një masë më të butë sigurie.
Nipi i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja, u arrestua më datë 19 prill të vitit 2023 në ambientet e një lokali ku kishte shkuar për iftar, në Urën e Goles pa shkuar në Fushë Krujë.
Rraja ishte nën shoqërinë e Luiz Konomit, një personazhi nga Elbasani i njohur në botën e krimit me nofkën “Çupja”.
Ky i fundit u arrestua gjithashtu, pasi ishte në kërkim nga Policia e Elbasanit, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryer në bashkëpunim.
Rraja ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Komploti”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit, në janar të këtij viti, në lidhje me atentatin ndaj prokuroit Arjan Ndoji, ku humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku.
30-vjeçari, që nga momenti i shpalljes në kërkim, dhe dhënies së masës së sigurisë “Arrest me burg”, nuk është larguar në asnjë moment jashtë shtetit, por fshihej në trekëndëshin “Durrës – Lezhë – Tiranë”.