Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion po mbahet seanca paraprake për Sterilizimin, pasi gjykata rëndoi pozitën ndaj ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish zv. ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj.
Duke iu referuar burimeve të pranishme në sallë gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se aktualisht po flet Beqaj i cili ka thënë se procesi ndaj tij është politik.
“Më janë shkelur të drejtat, akuzat e mia i ka bërë PD, keni dëmtuar në mënyrë të qëllimshme procesin, nuk ka një akuzë të shkruar për atë që akuzohem, ndikimi juaj është politik, vendimet tuaja i duartroket Sali Berisha, ju dhe prokuroria nuk keni dashur të zbuloni të vërtetën, unë nuk kam mundësi të mbrohem, por vetëm të denoncoj”, ka deklaruar ish ministri i Shëndetësisë.
Rrjepaj: Kemi bërë një vepër të dobishme, pretendimet tona nuk i dëgjon njeri, nuk ka një proces të rregullt ligjor, Kam kërkuar 600 fashikujt në mënyrë elektronike dhe nuk i kam marrë, nuk i njoh provat, Drejtoria e Burgjeve refuzon, Gjykata hesht në këtë refuzim.