Me urdhër të SPAK, GJKKO ka sekuestruar llogari bankare të Ilir Beqajt dhe personave të tjerë në hetim, për abuzime me fondet e BE.
Njoftim:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vijim të hetimeve që po kryen për procedimin penal nr. 190, të vitit 2023, lidhur me veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, parashikuar nga nenet 143//2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë që iu përkasin personave nën hetim, të cilat përbëjnë produkt të veprës penale/ apo në vlerën ekuivalente të tyre.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.430, datë 15.07.2024, i ndryshuar me vendimin nr. 34, datë 09.08.2024, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare, shuma të parave, e të tjera, si më poshtë vijon:
14 323 125 (katërmbëdhjetë milon e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë;
15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro;
42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD;
Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim G.H., E.M; I.B., E.K., B.Z., B.L; dhe shoqërive tregëtare të personave nën hetim;
Sekuestro preventive mbi 19.4% të kuotave të shoqërisëtregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k..
Sekuestro preventive mbi tre automjete regjistruar në pronësi të personave nën hetim E.K dhe E.M.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara po kryejnë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë apo për fakte të tjera penale.