Gjoba që do t’i paguajnë Lojërat e Fatit vëlla Olsit

Ministria e Financave ka shpallur fituese kompanianë e Olsi Ramës që do të marrë në dorë koncesionin e monitorimit të lojërave të fatit. Ministria e Financave bëri të ditur se kompania “MC Networking” ka arritur të marrë 904 pikë në renditjen e tenderit, duke lënë mbrapa konsorciumin që përfaqësohej nga “Qualysoft” me 662 pikë.
“MC Networking” me administrator Olsi Rama vëllain e Kryeministrit, do të monitorojë për 30 vite aktivitetin e basteve dhe kazinove, dhe çdo firme që ushtron aktivitet në fushën e lojërave të fatit. Kompania fituese do të vjelë dy tarifa nga ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë, tarifën e mirëmbajtjes së sistemit dhe atë të investimit për ngritjen e tij. E para do të jetë një pagesë fikse, ndërsa e dyta do të mblidhet si përqindje e xhiros së tyre. Ministria e Financave bëri të ditur se, kontrata do të hartohet brenda 30 ditësh.
Katër ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi fituesin e këtij koncesioni, e cila mbante emrin e kompanisë që shpalli të hënën Ministria e Financave. Berisha publikoi në Facebook dokumentet e shitjes së kompanisë Pegasus Communication, e cila ishte në pronësi të Endri Meksit me administrator Olsi Ramën, te firma “Mc Networking” me pronar Jeton Haxhinë.
Në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, koncesioni i është dhënë kompanisë, Mc Networking, e cila zyrtarisht figuron në pronësi të ortakut të Olsi Ramës, Endri Meksi. Me këtë të fundit, Olsi Rama është bashkëortak në kompaninë Pegasus Communication. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar dje dokumentet që provojnë se kompania e regjistruar në pronësi të Endri Meksit, ortak dhe mik i Olsi Ramës ka nënshkruar si pala fituese e marrjes së koncesionit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit të lojërave të fatit. “Edvin Kristaq Bixhozi ia beson vëlla Olsit lojërat e larjes së parave të tij të pista! Të dashur miq, këto ditë Edvin Kristaq Bixhozi arriti të shtjerë përfundimisht në dorë lojërat e fatit në mbarë Shqipërinë. Dokumentet zyrtare faktojnë se, ai këtë kanal të larjes së parave të zeza ia besoi vëllait të tij, trafikantit të kokainës Olsi Rama. Kjo u bë në shkelje të çdo ligji mbi prokurimet dhe konfliktin e interesit. Kështu tani pas emërimit të bashkëshortes zj. Linda Ramës në drejtimin e bankës familjare të regjistruar off shore si kanal i larjes së parave të vjedhura, ryshfeteve dhe drogës nga familja Rama, tani ata vendosën në kontrollin e tyre të plotë kanalin tjetër për larjen e parave të pista”, shkruan Berisha në postimin e tij.
Më tej, Berisha ka postuar analizën e një eksperti të bazuar në dokumente që dëshmojnë se si Rama i besoi në kundërshtim me çdo ligj kompanisë të vëlla Olsit kontrollin e lojërave të fatit dhe dokumentet përkatëse. Sipas sqarimit të bërë nga eksperti, “Shoqëria fituese, do të ndërtojë dhe mirëmbajë këtë sistem. Çdo subjekt i lojërave të fatit do të paguajë një fee (faturë) për çdo pajisje, fee, e cila do të përfitohet nga koncesionari, për investimin dhe mirëmbajtjen e kryer nga ai. Pavarësisht se emërtimi, nuk është i tillë, kjo kontratë ka shumë elementë të njëjtë me atë të koncesionit. Përmbledhje mbi procedurën përzgjedhëse të operatorit që do të ndërtojë sistemin e Monitorimit të Lojërave të Fatit Online”.
Më tej sqarohet se, “në dhjetor të 2015, pas shumë shtyrjesh u miratua Ligji i ri ‘Për lojërat e fatit’. Në nenin 48/2 të tij parashikohet se Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe kriteret e përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin qendror të monitorimit online, autoritetin përgjegjës që do të kryejë procedurat e përzgjedhjes, si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara”. Në bazë të kësaj dispozite, me VKM nr. 647, datë 14.09.2016, u përcaktuan kriteret e përzgjedhjes së operatorit që të do të ndërtojë sistemin e monitorimit, si dhe Ministria e Financave, si autoriteti përgjegjës për zhvillimin e procedurës përzgjedhëse.
Eksperti citon se, “Ministria e Financës shpalli procedurën përzgjedhëse për t’u zhvilluar në datë 12.01.2017, datë e cila e shty për më 23.01.2017. Nga ana tjetër, Endri Meksi, ortak i shoqërisë “PEGASUS COMMUNICATIONS” shpk, e regjistruar më 20.05.2014, me ortakë Olsi Ramën (35%) dhe Endri Meksin (35%) dhe Amant Josifin (30%), në datën 17.01.2017 (pra pak ditë para hapjes së ofertave) ia shet pjesën e tij (35%) një të treti dhe mbetet vetëm administrator, së bashku me Olsi Ramën, në këtë shoqëri”. “Në garë morën pjesë vetëm dy JV (joint ventures): 1. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna” & “MC Networking” shpk (fituesi) 2. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Qualysoft” GmbH & “Comtrade” d.o.o & “Starsat International” shpk & “Communication Progress” shpk. Shoqëria shqiptare e JV fitues, “MC Networking” shpk, zotërohet 100% nga Endri Meksi, formalisht ish-ortaku dhe bashkadministratori me Olsi Ramën tek shoqëria PEGASUS COMMUNICATIONS shpk”, thuhet më tej në sqarimin e ekspertit.

Analiza e ekspertit: 4 konfliktet e interesit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar sërish dje për koncesionin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit që i është dhënë kompanisë që administrohet nga Olsi Rama. “Si Edvin Kristaq Rama futi Lojërat e Fatit të Shqipërisë në kontrollin e vet familjar nëpërmjet vëlla Osit, trafikant kokaine. Ai e realizoi këtë akt megakorruptiv, duke shkelur në mënyrë flagrante të gjitha ligjet e vendit. Pak ditë më parë, në një status të veçantë ne denoncuam këtë vjedhje të madhe të Edi Ramës nëpërmjet vëllait të tij Olsi. Këtu më poshtë keni analizën ligjore të ekspertit, të konfliktit të katërfishtë të interesit të kumbar Ramëve në këtë aferë të pisët botuar në portalin Politiko!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook duke publikuar edhe shkrimin e portalit Politiko.
“Skandali/ Koncesioni i Mbikëqyrjes së bixhozit i jepet kompanive të bixhozit”
4 konfliktet e interesit: Të përfshirë Olsi Rama, Endri Meksi, ‘Admiral’ dhe ‘Lotaria Kombëtare’
Fituesi i Koncesionit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit është bërë publik sot me anë të një njoftimi zyrtar. Ish-Kryeministri Berisha qe i pari që dha sinjal se ky koncesion ishte dhënë në kundërshtim me rregullat, duke publikuar edhe faksimile të dokumentacionit. Një investigim i Poliko.al ka zbuluar katër raste të konfliktit të hapur të interesit, të cilët i gjeni të renditur më poshtë:
Konflikti i parë i interesit:
Në konsorciumin e shpallur fitues, bën pjesë edhe kompania Admiral Sportwetten, e cila, siç duket nga emri, merret me bastet sportive. Pikat ‘Admiral’ që i sheh në çdo cep të çdo qyteti të Shqipërisë, tashmë do të “kontrollohen” po nga ‘Admiral-i’ që është pjesë e firmës që fitoi koncesionin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (në këtë rast të vetes). Më poshtë keni lidhjen e cila jep një ide se çfarë është dhe me çfarë merret kompania në fjalë.
Konflikti i dytë i interesit:
Në konsorciumin e shpallur fitues, bën pjesë edhe kompania ATSI Spolka Akcyjna, pjesë e kompanive “Novomatik”, e cila ka partneritet me gjysmën e tregut të Lojërave të Fatit në Shqipëri, dhe zotëron me një licensë koncesionare, “Lotarinë Kombëtare”, në Shqipëri. Pra, Novomatik, jo vetëm që e furnizon tregun dhe zotëron një pjesë të tij, por edhe do ta “kontrollojë”. Më poshtë lidhja që shpjegon identitetin e kësaj kompanie.
Konflikti i tretë i interesit:
Vëllai i Kryeministrit, Olsi Rama, është ortak me pronarin e kompanisë së shpallur fituese “MC Networking” shpk. Pra, Kryeministri do të firmosë një koncesion 30-vjeçar me ortakun e vëllait.
Konflikti i katërt i interesit:
“MC Networking” shpk i shërben disa kompanive të basteve, duke u mirëmbajtur rrjetin informatik. Tani do të jetë e detyruar edhe “t’i kontrollojë” ato, pra të kontrollojë veten.
Çfarë parashikon koncesioni?
“MC Networking” parashikohet të realizojë investimin për ngritjen e Sistemit Kombëtar, i cili do të monitorojë “online” të gjitha paratë që qarkullojnë në aktivitetin e Lojërave të Fatit në Shqipëri. Koncesionari privat do të vjelë për 30 vite dy tarifa nga të gjitha kompanitë e Lojërave të Fatit: tarifën e mirëmbajtjes së sistemit dhe atë të shlyerjes së investimit fillestar për ngritjen e tij.
Tarifa e parë do të jetë fikse për çdo pajisje apo lojë fati. Veç kësaj, kompanitë e basteve dhe Lojërave të Fatit do të paguajnë për shoqërinë koncesionare edhe një tarifë të dytë, si përqindje mbi xhiron bruto për shlyerjen e investimit.
Sipas “Top Channel”, tarifat janë propozuar nga kompania koncesionare në ofertën e tenderit. Ministria e Financave ende nuk e ka bërë publike ofertën, por përpara se të hyjnë në fuqi tarifat e propozuara nga kompania private, duhet të miratohen me vendim qeverie”.

Exit mobile version