Gjobvëniet, kërcënimet me jetë të biznesmenëve e familjeve të tyre si dhe torturat e kërcënime ndaj zyrtarëve të hipotekave kanë qenë mjetet e Shulalzit dhe bandës së tij për të përvetësuar mijëra hektarë sipërfaqe toke, biznese, godina etj.
“ABC News” ka arritur të sigurojë një kopje të kërkesës së Prokurorisë, të dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku kërkohet që Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve. Sipas kësaj dosjeje, Emiljano Shullazi dyshohet se është kreu i një “bande”, e cila vijon aktivitetin e saj kriminal, për të realizuar ardhjen e pasojave, marrjen e përfitimeve të padrejta, nëpërmjet kanosjes, si dhe trafikimit e lëndëve narkotike.
Në dosje janë renditur dyshimet, ku Emiljano Shullazi, krahu i tij i djathtë Gilmando Dani dhe kushëriri Blerim Shullazi dhe persona të tjerë që po hetohen, janë përfshirë në veprimtari kriminale. Sipas dosjes, thuhet se, Shullazi së bashku me “bandën” e tij, i ka vendosur gjobë dhe ka përfituar shuma të mëdha parash nga biznesmenë të njohur në vend. Prokuroria përmend me emra personat nga të cilët ka përfituar shuma të mëdha, por që për arsye etike nuk po i publikojmë emrat e tyre. Në mesin e personave që kanë paguar gjobë si pasojë e kërcënimeve, është një koncesionar dhe pronar i kompanisë së madhe të hidrokarbureve në Shqipëri.
Përfaqësuesi i një kompani të njohur kafeje dhe pronar i disa lokaleve në Durrës, si dhe një shtetas, i dënuar nga po kjo gjykatë në vitin 2007 për trafik droge tashmë pronar i disa qendrave tregtare. Por, burimet thonë, se asnjëri prej tyre nuk e ka kallëzuar direkt të dyshuarin Emiljano Shullazi për gjobëvënien. Gjithashtu në dosje thuhet se, Shullazi me anë të dhunës, kërcënimeve ka përfituar një sipërfaqe të madhe toke dhe ndërtesën brenda saj, e njohur ndryshe si ish-hotel “Vollga” në Durrës. Për regjistrimin e kësaj prone, në dosje thuhet se “banda” e tij ka rrahur e dhunuar punonjës të Hipotekës në Durrës dhe asaj qendrore në Tiranë. Po me anë të kërcënimeve, prokurorët dyshojnë se Shullazi po tentonte të privatizonte objektin e quajtur “Parku Sportiv” në Durrës.
Me të njëjtat metoda dhune dhe kërcënimi, Prokuroria pretendon se “banda” e drejtuar nga Shullazi ka tentuar të marrë një sipërfaqe prej 1200 m2 parking në kryeqytet, pronarëve të së cilës në formë kërcënimi i ka vendosur edhe eksploziv. Prokuroria, në dosje ka renditur edhe akuzën për kanosje dhe kërcënim ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni për tërheqjen nga gara, akuza për të cilën prokurorët kanë administruar deklarimet e tyre. Përveç këtyre akuzave, grupi hetimor ka ngritur dyshime se Emiljano Shullazi dhe banda e tij, prej kohësh në bashkëpunim me persona të tjerë, shtetas shqiptarë dhe të huaj janë organizuar dhe kanë për qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Bazuar në të gjitha këto akuza dhe raste, Prokuroria kërkon nga gjykata që tre të dyshuarit të mbesin në qeli me masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Akuzat ndaj Shullazit
Emiljano Shullazi do të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda si i dyshuar për 6 vepra penale, më e rënda “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” e më pas “Gjobëvënie”, “Trafik droge”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Masa për vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullazit dhe kërkesa e Prokurorisë për t’i lënë ata nën arrest me burg u shty për të mërkurën në orën 08.30. Shkak i zvarritjes u bë angazhimi i prokurores së çështjes dhe gjyqtarit Idriz Mulkurti në një proces tjetër që parashikohet të zgjasë.
“Top Channel” zbulon detaje të tjera nga qëndrimi që do të mbajë Prokuroria e Krimeve të Rënda në gjykatë. Prokuroria thotë se ka të dhëna se Shullazi bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar kanë kërcënuar për t’ju marrë pasurinë 4 biznesmenëve të njohur. Po sipas Prokurorisë, të tre të ndaluarit po bëjnë përpjekje të privatizojnë parkun sportiv në Durrës. Përmes kanosjes dhe dhunës fizike, sipas organit të akuzës, të dyshuarit kanë regjistruar ish-hotel “Vollgën” e meqenëse prona në fjalë kishte probleme me dokumentacionin, dyshohet se është ushtruar dhunë edhe ndaj kryeregjistruesit të Durrësit dhe dy punonjësve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Durrës e Tiranë.
Por ndërsa nuk ka asnjë kallëzim për dyshimet e mësipërme, Prokuroria i referohet dëshmisë së Jani Zakës e Mitri Priftit, të cilët janë kërcënuar për t’ju marrë pronën, një parkim 1200 metra në Tiranë. Sipas Prokurorisë, pas këtyre kanosjeve, Jani Zaka është larguar nga Shqipëria dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Prokuroria shprehet ndërkohë se ka të dhëna se ky grup personash, në bashkëpunim me të tjerë shqiptarë e të huaj janë të organizuar dhe kanë për qëllim trafikimin e drogës drejt Bashkimit Europian.
“Do të kërkoj paligjshmërinë e arrestit dhe lirimin e Emiljano Shullazit, nuk ka asnjë bazë në prova për arrestimin e tyre”, deklaroi avokati i Shullazit, Arjan Qafa. Në lidhje me kanosjen e kandidatit për rektor, Prokuroria thotë se është kërcënuar jo vetëm Mynyr Koni, por edhe Dhori Kule. Dhori Kule, thonë burime të “Top Channel” është kërcënuar në afërsi të një hoteli të njohur me pesë yje në Tiranë dhe se Prokuroria disponon si prova edhe pamjet filmike të këtij hoteli.