Gjobat e padrejta, rritet numri i apelimeve tatimore

Policia Tatimore,dyqan. Foto / Malton DIBRA.

Numri i apelimeve tatimore pësoi një rritje të ndjeshme vitin e kaluar me rreth 200%, në krahasim me vitin 2014. Rritja e apelimeve shihet të jetë nxitur nga një aksion antinformalitet, i cili ka gjeneruar gjoba dhe penalitete të mëdha ndaj biznesit, të cilat janë apeluar më pas tek Drejtoria e Apelimit në Tatime. Avokati i tatimpaguesit arsyeton se në 3-mujorin e katërt të 2015, u intensifikua kontrolli kundër informalitetit. Shtimi i punonjësve në terren dhe rritja e kërkesës së llogarisë ndaj tyre, do të sillte dhe rritjen e konsiderueshme të gjobave e për pasojë edhe rritjen e numrit të ankimeve. Më 2015 kanë apeluar 7450 biznese nga 2550 që ishin evidentuar në periudhën paraardhëse. Mirëpo rreth 2,576 e këtyre vendimeve janë refuzuar, pasi nuk kanë plotësuar kriteret për shqyrtim të mëtejshëm. Vlera e apeluar ka qenë rreth 16 miliardë lekë nga 14.4 miliardë lekë që ishte në vitin 2014, por siç ka shpjeguar në një raport të posaçëm Drejtoria e Apelimit Tatimor vetëm 3.3 për qind e gjobave të apeluara janë shfuqizuar, ndërsa 10 miliardë gjoba dhe penalitete janë refuzuar të ankimohen. Në pjesën dërrmuese Drejtoria e Apelimit Tatimor i ka dhënë të drejtë Administratës Tatimore. Volumi i ankimimeve ka trefishuar punën e avokatit të tatimpaguesit. Gjatë vitit 2014 janë nxjerrë 2.550 vendime. Në tetor 2015 është mundësuar vënia në funksionim edhe e sistemit të ri informatik edhe për pjesën e apelimit tatimor. Duke filluar me apelimet e ardhura që nga data 1 tetor 2015, Drejtoria e Apelimit Tatimor ka bërë regjistrimet edhe në sistem, gjë që ka rritur akoma më shumë ngarkesën e kësaj drejtorie, thuhet në materialin zyrtar të drejtorisë.

Exit mobile version