Gjobat nga doganat, bizneset nuk kanë ku të ankohen

Teksa në tatime, bizneset apelojnë gjobat tek Avokati i Tatimpaguesit, në dogana situata është krejt  tjetër. Dogana vetë  i vendos penalitetet ndaj bizneseve dhe po vetë i gjykon nëse këto janë të drejta apo ajo.
Bëhet fjalë për rastet kur doganat pretendojnë se subjekte të ndryshme biznesi kanë krijuar detyrime.
Sipas një udhëzimi që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nxjerrë këtë vit për arkëtimin e borxhit doganor përcaktohet se, subjekti debitor mund të ankohet kundër vendimit të autoritetit doganor për një shkelje në fushën doganore, duke plotësuar disa kushte të detyrueshme të tilla si: Kërkesa ankimore duhet të ushtrohet brenda 5 ditëve nga momenti i njoftimit të vendimit. Ndërkohë debitori duhet të ketë paguar shumën e plotë të borxhit doganor të përcaktuar në vendimin e doganës përkatëse të degës doganore. Shuma e detyrimit paguhet në llogari të DPD-së.
Gjithashtu debitori duhet të ketë paguar edhe 40% të shumës së gjobës për llogari të DPD-së, e cila nuk duhet të jetë më shumë se vlera e detyrimit. Shumat mbahen në ruajtje deri në marrjen e vendimit nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave. Arkëtimi dhe pagesa e kësaj shume bëhet për llogari të DPD në Degën e Thesarit kundrejt titull për arkëtim.
Me paraqitjen e kërkesës ankimore në Drejtorinë Juridike të DPD, verifikohet nëse ankimi është bërë brenda afateve. Nëse aplikuesi është në afatin 5 ditë, ankesa nuk merret fare në shqyrtim. Nëse ankesa është bërë brenda afateve, por pagesa 100% e detyrimit dhe pagesa e 40% e shumës nuk është bërë, Drejtoria Juridike kërkon që të bëhen këto pagesa. Vetëm pasi Drejtoria e Buxhetit dhe Financës ka konfirmuar pagesën 40% të gjobës dhe Dega Doganore ka konfirmuar 100% të pagesës së detyrimit.
Më pas ankesa shqyrtohet nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave. Nëse drejtori i Përgjithshëm rrëzon pretendimin e biznesit, Drejtoria përkatëse Doganore nis edhe vjeljen e pjesës tjetër të gjobës prej 60%.  Por drejtori i Përgjithshëm i Doganave mund të dërgojë ankimin  e biznesit për rishikim pranë Degës përkatëse Doganore ku është krijuar detyrimi. Në rast se bizneset nuk janë dakord me vendimin e drejtorit të Përgjithshëm mund të vijojnë ankimin në Gjykata.

Exit mobile version