Gjobëvënia nga Shullazi, dështon seanca e pyetjes së biznesmenit

Dështon seanca e parë gjyqësore, e parashikuar për ballafaqimin e Emiljano Shullazit dhe pjesëtarëve të bandës së tij, me dëshmitarin e mbrojtur të drejtësisë Ylvi Beqja. Gjykata e Krimeve të Rënda, edhe pas 3 orëve debate nuk arriti të zhvillojë seancën gjyqësore të pyetjes së dëshmitarit të mbrojtur Beqja, pasi avokatët u larguan nga salla e gjyqit.
Për rreth tre orë, Gjykata debatoi me avokatët dhe të dyshuarit Emiljano Shullazi dhe bashkëpunëtorët e tij, që kërkonin nga togat e zeza që dëshmitari i mbrojtur Beqja të sillej në sallën e gjyqit edhe fizikisht. Kërkesë kjo që u kundërshtua nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Policisë së Shtetit dhe prokurorët, me arsyetimin e mungesës së sigurisë. Të ndodhur në këto kushte, Gjykata ndryshoi dy herë sallën e gjyqit, por pa arritur të bindë avokatët dhe të dyshuarit që pyetja e dëshmitarit të mbrojtur Beqja të bëhet me video-konferencë nga një sallë tjetër, siç ka ndodhur gjithmonë në raste të tilla. Por avokatët kundërshtuan këtë vendim të ndërmjetëm të Gjykatës, duke u larguar në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit. Sallën e gjyqit e braktisi edhe Shullazi dhe të pandehurit e tjerë.
Më herët, avokatët kërkuan gjithashtu nga Gjykata, pezullimin e zhvillimit të kësaj seance gjyqësore, për shkak të ankimit në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, të vendimit për zhvillimin e kësaj seance për sigurimin e provës. Ankim që pritet të shqyrtohet brenda 5 ditëve nga kjo Gjykatë.
Ndërkohë nën masa të rrepta të sigurisë, dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja u soll në ambientet e Gjykatës, për të dëshmuar përballë të dyshuarve të arrestuar, të cilët i akuzon për kërcënime dhe gjobëvënie.

Kërkesa e Prokurorisë

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që më datë 27 janar të marrë në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja. Kjo dëshmi e tij përballë të dyshuarve dhe avokatëve të tyre, sipas procedurës konsiderohet si provë.
Në muajin tetor, Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon, se Ylvi Beqja ka deklaruar se Emiljano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.
Ndërkohë, Prokuroria ka nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa vijon të qëndrojë hermetike për episodet e tjera kriminale për të cilat dyshohen pesë të arrestuarit.

Gjobat ndaj biznesmenit

Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash. Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiljano Shullazit dhe biznesmenit.
Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiljano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona të cilët lëviznin të armatosur dhe me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiljano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.

R.POLISI

Exit mobile version