“Gjobëvënia”, shtyhet përsëri gjyqi, Shullazi përfundon në spital

Mungesa e Emiliano Shullazit dhe avokatit mbrojtës të Gilmando Danit, u bë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore të ballafaqimit të të dyshuarve me dëshmitarin e mbrojtur Ylvi Beqja. Mësohet se, Shullazi ka bërë një ndërhyrje të vogël kirurgjikale dhe për këtë fakt nuk është paraqitur në sallën e gjyqit, duke u përfaqësuar nga avokati mbrojtës. Por në sallë, mungoi edhe Eno Bushi mbrojtësi i të dyshuarit Gilmando Dani.
Mungesa e tyre, bëri që Gjykata të shtyjë seancën e sigurimit të provës për në datën 16 shkurt. Nga ana tjetër, edhe avokatët kryesisht nuk pranojnë të marrin në mbrojtje të dyshuarit me arsyetime të ndryshme deri edhe te frika. Sigurimi i provës në gjykatë, shtyhet për të 10 herë, ku avokatët e të dyshuarit nuk pranojnë të bëjnë ballafaqimin me dëshmitarin e mbrojtur Ylvi Beqja, i cili i ka kallëzuar për gjobëvenie.
Në muajin tetor, Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se, Beqja ka deklaruar se Emiliano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.
Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash. Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit.

Exit mobile version