Gjobiten 50 mijë biznese pa asnjë kontroll as dhe njoftim paraprak

Policia Tatimore,dyqan. Foto / Malton DIBRA.

Terror mbi bizneset. Gjobiten 50 mijë biznese pa asnjë kontroll as dhe njoftim paraprak. Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar dje valën e re të gjobave ndaj bizneseve nga tatimorët. “Një valë e re e egër terrori masiv është ndërmarrë së fundi nga Edvin Shullazi nëpërmjet Brisit ndaj bizneseve. Kështu, së fundi, për të mbushur boshllëkun që krijojnë vjedhjet dhe kontrabanda në tatime nga lukunia e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, Brisi ka gjobitur nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë pa asnjë kontroll e as dhe lajmërim paraprak mbi 50 mijë biznese. Këtë terror të padëgjuar kurrë më parë Brisi e ushtron nëpërmjet një programi kompjuterik, i cili prodhon gjoba pa asnjë motiv për bizneset. Ky është një banditizëm i mirëfilltë shtetëror, një vjedhje masive e bizneseve nga qeveria ndaj dhe i bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të nisë menjëherë hetimin dhe të vendosë para ligjit autorët e kësaj veprimtarie të shëmtuar kriminale”, shkruan Berisha në një reagim të tij në Facebook. Një valë e re gjobash prej 10 mijë lekësh për vonesa në deklaratën e regjistrimit të administratorit për bizneset e reja të hapura më 2015-2016, që po u bëhen aktualisht të ditura sipërmarrjeve, ka revoltuar bizneset. Ndonëse tatimet bënë me dije se bizneset e reja kanë 48 orë afat nga marrja e NIPT-it për të bërë deklarimin online të punonjësve, ekonomistët ankohen se ata po gjobiten edhe përpara se të marrin NIPT-in, ndërsa po ngrenë pikëpyetjen se pse po gjobiten në qershor 2016, edhe një vit pasi janë hapur. Nga ana tjetër, shumë ekonomistë janë të paqartë për procedurat që duhen ndjekur. Nuk kanë të pushuar ankesat e bizneseve për gjobitjen masive me nga 10 mijë lekë për vonesa në deklaratën e regjistrimit të administratorit për bizneset e reja të hapura më 2015-2016. Gjobat kanë dalë në sistem në datën 22 qershor, me njoftimin “Gjobë për deklarim të vonuar ESIG27 Nr.1”. Ky njoftim u ka shkuar një pjese të madhe të bizneseve të reja të regjistruara më 2015-2016. Kjo ndodhi pasi në sistemin tatimor kohët e fundit është aktivizuar sipas specialistëve të shërbimit formulari E-sig 027, për punësimet dhe largimet rishtaz. Aktivizimi i tij ka bërë që sistemi të vendosë gjoba 10.000 lekë për deklarimet, të cilat nuk kanë respektuar afatin 24 orë para. Sipas tatimeve, faji në këtë rast ka qenë i vetë bizneseve, që janë vonuar me deklarime, pasi teknikisht me marrjen e NIPT-it sistemi online i tatimeve e regjistron automatikisht pa pasur nevojë për dy apo tre ditë. Mirëpo bizneset që regjistrohen për herë të parë nuk i njohin ligjet dhe rregullat dhe për më tepër regjistrimin online, thanë ekspertët e tatimeve. Bizneset nga ana e tyre ankohen se këto gjoba janë të padrejta, pasi ka raste kur data që tatimet njohin si fillim pune për administratorin është më e hershme se data e marrjes së NIPT. Një tjetër ankesë lidhet me faktin që gjobat për bizneset e vogla janë gjeneruar nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të mëdhenj, nga të cilët ka ardhur dhe shkresa me njoftimin përkatës.

A.Shahini

Exit mobile version