Gjuaj në shenjë!

Nga Erl KODRA

Protesta e studentëve të Universiteteve Publike mund të përkufizohet me termin juridik si ‘vrasje në kushtet e mbrojtjes ekstreme’.
Po, kjo është një ‘vrasje frike’ në kushtet e mbrojtjes ekstreme. Sepse mbijetesa e tyre, dhe jo vetëm, është katandisur në një aritmetikë elementare. Paratë kurrë nuk mjaftojnë, por kur ato nuk mjaftojnë për të mbajtur frymën gjallë, si i bëhet?!
Çdo interpretim tjetër, sipas meje është i pasaktë. Cila është pjesa që nuk u kuptuaka, ose që nuk shkon? Pse mediat dhe gazetarët, në dukje opozitë e qeverisë, po përdorin të gjitha mënyrat për ta demotivuar protestën e tyre, për ta shuar atë, për ta copëtuar?!
Kërkesat e studentëve në thelb janë politike, madje asnjëherë më parë nuk ka patur një artikulim më të qartë politik se sa ato 8 pika, që studentët i kanë shpallur të panegociueshme. Por le të shohim konkretisht.
Studentët janë pjesë e shoqërisë tonë; ata nuk janë një etnitet tjetër, ose minoritet kulturor, ose më keq akoma, ato nuk janë minoritet etnik. Ata janë shqiptar, si të gjithë shqiptarët, dhe vijnë nga të katër anët e Shqipërisë. Gjendja e tyre ekonomike është pasqyra e saktë ku reflektohet gjendja reale e kombit shqiptar. Me sa duket, ne jemi një popull në emergjencë ekzistenciale, që nuk po vetpërmbushet. Ekonomistët e kuptojnë mirë se çfarë do të thotë fjala ‘vetpërmbushje e nevojave’.
Që ta vizatoj më qartë, do më duhet të gërryej ndryshe arsyen tuaj.
A e dini se sa njerëz vuajnë nga uria, në kuptimin e parë të kësaj fjale? A e dini se sa kalori ka nevojë trupi i njeriut në një ditë?
Ose sa kalori i duhen që të mbijetojë në kushte ekstreme banimi, në lagështi, pa ujë, drita dhe pa kushtet minimale të higjienës?

A e dini se sa të ekspozuar janë ata nga sëmundje që lidhen drejt për drejtë me ushqimin?
A e dini se sa sëmundje të tmerrshme mbartin ata, saktësisht për këto arsye, sepse trupi i tyre nuk ka marrë kurrë vitaminat e nevojshme?!
E keni idenë se sa është realisht ky numër njerëzish?
A e keni parë Elvis Naçin dhe Sindrit Bejlerin sa qindra mijëra pako me ushqime bazë shpërndajnë çdo javë për banorët e fshatrave të Tiranës?
A i keni parë fëmijët me ato qese plastike me ushqime, teksa rendin të ngazëllyer drejt shtëpive të tyre, sepse e gjetën ushqimin e përditshëm; edhe për disa ditë?
Ata fëmijë janë të uritur, hanë vetëm një vakt ose më keq akoma, hanë vetëm bukë thatë pa proteina, sepse për ushqime me vitamina as që bëhet fjalë.
Këta janë fëmijët e së nesërmes, që kanë vetëm dy alternativa para vetes: të largohen nga Shqipëria, ose të shesin dinjitetin duke pranuar thesin e miellit çdo katër vjet.
500.000 të uritur në një popull prej 2.5 milion banorësh janë shumë. Në të vertet kjo është tragjedi kombëtare.
E të mendosh se përballë këtij mjerimi, Vlima Nushi gllabron nëpërmjet Edi Ramës dhe Ilir Beqes 120 milion euro për check up mjekësor ‘falas’ me para gjaku dhe jete, ky është një tmerr. Po sa miliona euro të tjera, që deri tani janë bërë disa miliarda euro kanë avulluar nëpër llogari ofshore, në parajsa fiskale, nëpërmjet bankave fantazma dhe valixheve diplomatike?
A ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend, se nëse keto miliarda euro do të shpërndaheshin për 500.000 të uriturit e Shqipërisë, ato para do të mbeteshin në Shqipëri, dhe do të kishte shumë më tepër konsum dhe prodhim të brendshëm, dhe vendi nuk do të braktisej masivisht?

A e kuptoni se po shkojmë me shpejtësi skëterre drejt fundit, ku nuk do të jemi në gjendje të vetëmjaftohemi?
Ku është Banka e Shqipërisë dhe makro-ekonomistët e shquar që heshtin si fija e barit?!
Këtu nuk është fjala sepse njerëzia kërkon ‘nivel më të mirë’ jetese, por kërkon të shkëputet nga kthetrat e mizerjes ekzistenciale. Ndaj studentët, thelbin e kërkesave të tyre e kanë thellësisht ekonomike, por njëkohësisht edhe thellësisht politike.
A i keni dëgjuar në çdo prononcim publik kur thonë troç; nuk mundemi më! Nuk na del hesapi, duam ndryshim!
Unë nuk do të zgjatem shumë për të shpjeguar se ky ndryshim vjen vetëm nëse të gjithë ngrihen në këmbë, dhe rrëzojmë Edi Ramën. Kjo sigurisht nuk mjafton. Por kjo është e vetmja mënyrë, e vetmja rrugë për një fillim tjetër.
Fillimi tjetër, reformimi politik dhe reformimi ekonomik i vendit realizohet kur të lexohet me lupë programi i partive dhe të bëhet zgjedhja e duhur. Rrugë tjetër nuk ka.
Siç e shikoni, unë sot nuk kam përmendur në asnjë rresht Partinë Demokratike, përveçse tani. Megjithëse unë e di se e vetmja alternativë politike serioze për shqiptarët është Partia Demokratike, sot emergjenca është të rrëzohet Edi Rama sa nuk e ka vdekur krejt Shqipërinë.
Sot është në pyetje Shqipëria, jo partia.

Artikulli paraprakPedagogët bojkot mësimit: Mbështesim studentët!
Artikulli tjetërRama nis provokimet ndaj studentëve