Gjueti biblash

Në botën magjepsëse dhe misterioze kubesimi takohet me arkeologjinë, studiues, koleksionistë dhe trafikantë kontestojnë tekstet e shenjta.

Për fat, ajri është shumë i freskët brenda shpellës ku Randall Price rrëmon të çarën në të cilën dje ka zbuluar një tigan prej bronzi të 2000 viteve më parë. «Shpella është plaçkitur nga beduinët rreth 40 vite më parë», shpjegon Price, arkeolog dhe hulumtues i Liberty University në shtetin Virginia. «Por falë qiellit nuk kanë gërmuar në thellësi dhe shpresojmë të gjejmë diçka të çmuar». Kushdo ka dëgjuar të flitet për shpellat që gjenden pranë vendbanimit të lashtë hebraik të Qumran e di se kujt i referohet Price. Në vitin 1947 disa barinj beduinë eksploruar një gropë të zonës dhe bënë një prej zbulimeve më të rëndësishme arekologjike të ‘900: 7 papirusë prej pergamene të mbushur me germa të lashta hebraike, i pari midis dorëshkrimeve të famshme të Detit të Vdekur. Pas kësaj gjetjeje të parë u nxorrën në dritë qindra papirusë të tjerë. Të datuar nga shekulli i III-të B.C. e më tej, janë tekstet biblike më të lashta të gjetura ndonjëherë. Shpellat e Qumran gjenden në zonën e Cisjordanisë të pushtuar nga Izraeli dhe sipas shumë ekspertëve puna e Price shkel të drejtën ndërkombëtare. Por një gjë e tillë nuk e ka ndaluar as arkeologun amerikan, as drejtorin e gërmimeve, izraelianin Oren Gutfeld nga Hebrew University of Jerusalem, të cilët me kërkimet e tyre këmbëngulin se në realitet rrjedhin nga një mision i mëparshëm dhe po aq kontradiktor. Në vitin 1993, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Oslos – në funksion të së cilës territoret e kontestuara do të ktheheshin gradualisht nën kontrollin palestinez – autoritetet izraeliane nisën të ashtuquajturin Operacion “Scroll” për të inspektuar me urgjencë pikat arkeologjike që vendi ishte në prag t’i humbiste. Kërkimi nuk çoi në zbulimin e papirusëve të tjerë. Megjithatë, në këtë rast u individualizuan dhjetëra shpella që qenë injoruar nga kërkuesit e thesarëve beduine. Ajo e kataloguar si Shpella 53 tërhoqi vëmendjen e Price më 2010 dhe më vonë të Gutfeld. «Kemi gjetur një sasi të madhe mbeturinash prej balte të epokave të ndryshme: periudhës së parë islamike, Tempullit të Dytë, epokës helene», pohon ai. «Kemi shpresa të bazuara se aty mund të gjendet diçka tjetër». Dy vite më parë, gjatë inspektimit të parë të Shpellës 53, arkeologët zbuluan një papirus të vogël prej pergamene pa shkrime dhe qypa të ndryshëm për ruajtjen. Duke ju përmbajtur këtyre treguesve premtues, në shpellë mund të ndodheshin dorëshkrime të tjera. Sot, pas pothuajse 3 javësh gërmime, mbeturinat e gjetura janë të vendosura në një tavolinë të mbyllshme jashtë shpelle. Midis tyre, maja shigjetash të Neolitit, një thikë obsidiani e Anadollit dhe tigani prej bronzi. Por asnjë papirus. Kështu që vazhdohet të gërmohet.

Reliket adhurohen nga persona të besimeve të ndryshme, por për ata që besojnë se Zoti zbulohet nëpërmjet fjalëve të transkriptuara nga profetë dhe apostuj, tekstet e lashta janë gurët e themelit e fesë së tyre. Nga dorëshkrimet mesjetare tek copëzat e thjeshta përfaqësojnë një lidhje të prekshme me lajmëtarët e Zotit, qoftë ky Muhamedi, Moisiu apo Jezù Krishti. Respekti për Shkrimet e Shenjta është pjesë përbërëse e fesë të kristianëve ungjillorë, të bëra motori shtytës i kërkimit të teksteve biblike në shpellat e shkretëtirës, në manastire dhe në tregjet e antikiteteve të Lindjes së Mesme. Kritikët mendojnë se qëndrimi i tyre ushqen kërkesën për dorëshkrime të vjedhura, një akuzë që në disa aspekte konfirmohet nga hetime të kohëve të fundit dhe nga sinjalizime tregtarësh të ndryshëm. Midis financuesve të misionit të Price dhe Gutfeld në Qumran është fondacioni i krijuar nga Mark Lanier, avokat pasanik nga Houston, si edhe koleksionist i etur i teksteve teologjikë. Një gërmim tjetër arkeologjik në vendin Tel Shimron të Izraelit subvencionohet nga Museum of the Bible i ri në Uashington, D.C. Steve Green, Presidenti i muzeumit, është edhe një anëtar i devotshëm i Kishës Baptiste dhe një prej mbështetësve më të mëdhenj të fushatave kristiane në Shtetet e Bashkuara. «Jam i bindur se aty jashtë ka ende shumë për të zbuluar. Është emocionante të mendosh se nën çdo gur mund të ketë diçka të çmuar», më thotë Green kur e takoj në muzeumin e ri. Por, siç Green e ka mësuar me shpenzimet e tij, personat e përfshirë në kërkimin e teksteve biblike nuk janë të gjithë të ndershëm.
Gjarpërinj, shkretëtira të nxehta, furtuna të forta rëre dhe banditë të armatosur qenë rreziqe gjithmonë në prag në territoret e shkelura nga kërkuesit e parë e tkesteve të shenjta të ‘800 dhe të viteve të para të ‘900. Egjipti ishte një prej objektivave të tyre të preferuar; klima e thatë është ideale për ruajtjen e dorëshkrimeve të brishta. Shumë prej këtyre pionierëve qenë studiues aventurierë. Për shembull Konstantin von Tischendorf, një studiues gjerman që në 1844 ndërmori një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm nëpërmjet Shkretëtirës së Sinait në Egjipt për të arritur manastirin më të lashtë e të banuar qysh nga viti i themelimit, atë të Shën Katerinës. Aty Tischendorf gjeti “thesarin biblik më të çmuar ende ekzistues”. Bëhej fjalë për një kodik, domethënë një dorëshkrim të lashtë në formën e librit dhe jo të papirusëve, që i përkiste mesit të shekullit të IV-ët. Sot i njohur si Codex Sinaiticus, përmban një prej dy Biblave kristiane më të lashta dhe kopjen më të lashtë të plotë të Dhiatës së Re. Sipas biografit Stanley Porter, pas zbulimit, Tischendorf u bë “filologu më i famshëm dhe më famëkeq i historisë”. Duke i qëndruar asaj që tregoi vetë ai, vërejti disa faqe të kodikut në një kazan të madh që përmbante pergamena të lashta të destinuara që të digjeshin. Pasi shpëtoi materialin e çmuar, kërkoi lejen që ta merrte me vete në Europë të gjithë dorëshkrimin për ta analizuar. Të njoftuar pë vlerën e atyre fletëve dhe nga entuziazmi i studiuesit të huaj, murgjërit i dhanë vetëm rreth 40. Tischendorf e ndërmori sërish udhëtimin e vështirë deri në Shën Katerinë më 1853, por kësaj radhe mbeti duarbosh. U kthye për herë të tretë e të fundit më 1859 pasi kishte siguruar mbështetjen e Carit të Rusisë, i konsideruar “mbrojtës dhe protektor” i Kishës Ortodokse, që është edhe kreu i Manastirit të Sinait. Këmbëngulja e tij u shpërblye me gjetjen e rëndësishme e kodikut të lashtë. I impenjuar që ta kthejë dorëshkrimin pasi t’i bënte një kopje, ia dorëzoi bamirësit të tij në Shën Petërsburg.

Ngjarjet që pasuan u ndërthuren me kundërshti dhe lojëra të supozuara për pushtet. Në fund murgjërit ia “dhuruan” Codex Sinaiticus Carit, por nuk është bërë me dije nëse kanë vepruar spontanisht apo nën presion. Gjithsesi, Bibla me vlerë të paçmueshme mbeti në Rusi deri më 1933, vit në të cilin kriza ekonomike i detyroi sovjetikët që t’ia shisnin British Museum për 100000 stërlina të kohës. Tischendorf nuk ishte as kërkuesi i parë i dorëshkrimeve që vizitoi manastirin e largët në këmbët e Malit Sinai, as nuk do të ishte i fundit. midis atyre që ia ndoqën gjurmët qenë studiueset binjake autodidakte skoceze Agnes Smith Lewis dhe Margaret Dunlop Gibson. Në vitin 1892 përshkuan shktretëtirën egjiptiane dhe arritën tek Shën Katerina. Dikush i kjishte informuar për ekzistencën e teksteve në sirishte të lashtë – një dialect i aramaikes, gjuhës së folur nga Jezùsi – të fshehur në një dhomë të vogël të errët. Agnes dhe Margaret mezi prisnin çastin që të hetonin lidhur me misterin. Të autorizuara nga murgjërit, motrat shqyrtuan vëllime të ndryshme, përfshi një dorëshkrim të mbuluar nga pluhuri që asnjeri nuk e shfletonte më prej dekadash, ndoshta prej shekujsh. Duke përdorur një ibrik për të ndarë faqet e ngjitura, gratë zbuluan se bëhej fjalë për një biografi shenjtoresh të datuar të vitit 778 A.D. Agnes vërejti shenja të zbërthuqura nën shtresën sipërfaqësore të tekstit dhe e kuptoi se kishte përpara një palimpsest, domethënë një dorëshkrim pjesërisht të asgjësuar dhe të ripërdorur. Duke shqyrtuar atë që mbetej nga teksti më i lashtë, zbuloi për befasinë më të madhe se bëhej fjalë për një përkthim të katër ungjijve që i përkiste fillimit të shekullit të V-të. Codex Sinaiticus Syriacus, kështu u quajt, është një kopjeve më të vjetra të njohura të ungjijve të gjetura ndonjëherë. Motrat ia fotografuan çdo faqe me makinën që kishin marrë me vete. Veç kësaj, përdorën një kimikat për të evidentuar shkrimin e zbërthuqur nën të, duke i paraprirë kështu me më shumë se një shekull përdorimit të imazheve multispektrale dhe të teknologjive të tjera për të zbuluar tekste të lashta biblike të fshehura nën shkrime më të vonshme. Dorëshkrimet e rëndësishme të vëna në vëmendje të botës nga Tischendorf dhe nga binjaket skoceze qenë në fakt një pergamenë e kushtueshme e quajtur vellum. Pjesa më e madhe e teksteve që i përkisnin shekujve të parë të kristianizmit qenë shkruar mbi papirusë, letra e lashtësisë. Në vitin 1896 Bernard Grenfell dhe Arthur Hunt, dy arkeologë të Oxford, bënë një zbulim të jashtëzakonshmë në vendin e qytetit egjiptian të Osirinkut: një depozitë të lashtë që përmbante mijëra copëza papiruesësh.

Në 10 vitet e ardhshme Grenfell dhe Hunt zbritën shumë herë në gropë, duke rikuperuar 500000 dokumenta që më pas u transferuan në Oxford. Qysh atëhere shumë studiues janë marrë më rikompozimin e copërave të çmuara. Papirusët i Osirinkut përbëhen në pjesën më të madhe të tyre nga dokumenta të lidhura me aspekte të ndryshme të jetës së përditshme, si llogari, letra private, fatura taksash dhe deri akti i shitjes së një gomari. Disa prej materialeve më interesante, midis të cilave copëzat e ungjijve të humbura jo të përfshirë në Dhiatën e Re, kanë kontribuar që të hidhet dritë mbi vitet e parë të kristianizmit. Mbi një shekull nga zbulimi i tyre, mijëra copëza duhet ende të studiohen.
Për sa u përket aventurave dhe intrigave, historia e papirusëve të Detit të Vdekur e kalon atë të të gjithë zbulimeve të teksteve biblike. Sipas një verisioni, barinjtë beduinë u shitën 7 pergamena që kishin gjetur dy antikuarëve nga Betlehemi. Pas një marrëveshjeje të fshehtë me shitësin, një studiues nga Jeruzalemi bleu 3. Një tregëtar mme emrin Khalil Iskander Shahin, i njohur si Kando, ia shiti 4 të tjerat një arqipeshkëvi sirian, Mitropolitit të Jeruzalemit, që duket se i ka paguar me ekuivalentin e 250 dollarëve të kohës. Në vitin 1949, i frikësuar prej luftës arabo – izraeliane, kleriku arriti që t’i transportojë në mënyrë klandestine papirusët në Shtetet e Bashkuara me shpresën që t’ia rishiste ndonjë muzeumi apo universiteti. Duke mos gjetur blerës, botoi një njoftim me pagesë tek “Wall Street Journal” i 1 qershorit 1954. Një arkeolog izraelian e dakordësoi blerjen e pergamenave për llogari të qeverisë së tij për 250000 dollarë. 7 papirusët origjinalë ndodhen sot të ekspozuara në Muzeun e Izraelit në Jeruzalem. Kur u përhap lajmi i zbulimit të dorëshkrimeve, një ekip i drejtuar nga Roland de Vaux, arkeolog dhe prift domenikan, nisi të bëjë kërkime në Qumran. Midis viteve 1949 dhe 1956 de Vaux dhe beduinët vendas gjetën edhe 10 shpella të tjera që përmbanin dhjetëra dorëshkrime, shumë prej të cilëve të katandisur në mijëra copëra. Duke punuar në izolim dhe fshehtësi të plotë, studiuesve ju deshëm dekada për t’i rikompozuar dhe përkthyer pergamenat. Përkthimet u kompletuan në muajt e parë vitit 2000. Midis mbetjeve të 230 dorëshkrimeve biblike studiuesit u emocionuan kur zbuluan një kopje thuajse të plotë të Librit të Isakut të Bible hebraike, përmbajtja e të cilit ishte praktikisht identike me një kopje tjetër të pothuajse 1000 viteve më vonë. Papirusi i Madh i Isakut ishte i destinuar që të bëhej prova më e qartë për studiuesit që e mbrojnë Biblën nga akuzat se teksti i saj është ndryshuar nga skrivanët që kanë future gabime dhe modifikime të qëllimshme.

Në historinë e kërkimit të teksteve biblike nuk ka vetëm gjetje të çmuara, por edhe afera e personazhe të dyshimtë. Kur arkeologët nisën të gërmojnë shpellat e Qumran, beduinë të tjerë ndërmorën kërkime për hesap të tyre duke ia shitur Kando atë që gjenin. Blerja më e madhe e tij qe Papirusi i Tempullit, i gjatë rreth 8 metra dhe, për pasojë, më i gjati i dorëshkrimeve të Detit të Vdekur. Në vitin 1967, gjatë Luftës së 6 Ditëve, disa agjentë të inteligjencës izraeliane e sekuestruan papirusin në banesën e Kando, duke e reklamuar si pronë të shtetit. Në vitin 2009 Steve Green nisi të blejë bibla dhe dorëshkrime të rralla në sasira të habitshme, duke arritur të blejë rreth 40000 objekte, duke krijuar kështu një prej koleksioneve më të mëdha të botës të materialeve të lidhura me Biblën. Pashmangshmërisht që përfundoi përpara derës së Kando-ve (William, i biri i Kando, kishte marrë në dorë frenat e kompanisë së familjes pas vdekjes së të atit, e ndodhur më 1993). «Steve Green ka ardhur të më takojë shumë herë», më tregon Ëilliam Kando mëngjesin ku e takoj në dyqanin e tij në Jeruzalem. «Është njeri i ndershëm, një kristian i mirë. Më ka ofruar 40 milion dollarë për fragmentin e Gjenezës. E refuzova. Dikush thotë se kjo mbetje është e paçmueshme». Po t’i përmbahesh asaj që është deklaruar nga një zëdhënës i Green, ka qenë Kando ai që ka treguar shifrën e 40 milion dollarëve dhe amerikani ka preferuar që të blejë fragmente të tjera me çmim më të arësyeshëm. Më pas tregtari nis e shfleton një regjistër. «Ja, shiko», më thotë duke më treguar shënimin ku shkruhet se në 2010 i ka shitur Green 7 copëza të papirusëve të Detit të Vdekur. Kur vizitoj Muzeumin e Biblës në Uashington D.C. një ditë para hapjes zyrtare, shoh 5 fragmente papirusësh të ekspozuar, por vërej një lloj deklarimi përgjegjësie të kufizuar ku lexohet se mund të jenë falsë. Qysh atëhere u janë nënshtruar testimeve të mëtejshme që kanë zbuluar se sipas çdo gjase kemi të bëjmë me falsë modernë. Kando e mohon i indinjuar se familja e tij mund të ketë shitur gjëra false, duke sugjeruar se këta të fundit mund të kenë ardhur nga shitësa pak të rekomandueshëm. Nga ana e tij, Green qëndron paksa i tërhequr kur e pyes të më flasë për blerjet e tij të jashtëzakonshme. «Do të shpresonim një qëndrim ndryshe në një kontekst të ngjashëm, lidhur me Biblën», thotë ai. «Por ashtu sin ë çdo fushë tjetër, ka gjithmonë njerëz maskarenj që kërkojnë të bëjnë para. Nuk mund të bësh gjë tjetër veçse të mësosh nga gabimet e tua dhe të mos kesh të bësh aspak me njerëz të këtij kallëpi». Një prej gabimeve të Green – importimi i mijëra tabelave prej argjile dhe gjërave të tjera nga Iraku që sipas ekspertëve kishin një prejardhje të dyshimtë – ka çuar në një gjobë 3 milion dollarëshe dhe në konfiskimin nga ana e Departamentit amerikan të Drejyësosë. «Fatkeqësisht, objektet e lashta në pjesën më të madhe të tyre janë të vjedhura dhe shumë blerës preferojnë që të mos bëjnë pyetje lidhur me origjinën e tyre», pohon Eitan Klein, Zëvendësdrejtor i Njësisë për Parandalimin e Aktiviteteve të Paligjshme në Autoritetin Izraelian për Antikitetin.

Papirusët e vërtetë e Detit të Vdekur, që Adolf Roitman, Kuratori i Muzeumit të Izraelit, i përshkruan si «një pasuri kulturore hebraike me vlerë të paçmuar», ruhen me kujdes të veçantë. Shumë dorëshkrime të tjera biblike dergjen të braktisura në magazinat e universiteteve ose shkatërrohen nga zjarri, nga uji, nga insektet, nga hajdutët apo nga luftërat. T’i ruash dhe t’i studiosh përpara se sekretet e tyre të zhduken përgjithmonë është «praktikisht një garë kundër kohës», thekson Daniel B. Wallace, Drejtor i Center for the Study of New Testament Manuscripts në Plano të shtetit Texas. Wallace dhe humanistë të tjerë që shëtisin botën ndërmarrin udhëtime të mëdha për të përfunduar një mision urgjent: të dixhitalizojnë dorëshkrimet e lashta biblike të ruajtura në arkiva, biblioteka manastiresh apo magazina të tjera. «Rreth 80% e dorëshkrimeve të njohura nuk është botuar akoma dhe bëhet fjalë për vepra që mund të kontribuojnë në përparimin e studimeve të Dhiatës së Re», pohon At Olivier-Thomas Venard i École Biblique et Archéologique Française, një qendër kërkimore domenikane në Jeruzalem. Institut für neutestamentliche Textforschung (Instituti për Kërkimin Tekstual të Dhiatës së Re) në Münster të Gjermanisë ka kërkuar që ta thjeshtojë punën duke i klasifikuar dokumentat mbi bazën e pjesëve kyçe të caktuara, por ky sistem përzgjedhjeje e injoron krejtësisht një numër të madh tekstesh. Shpejt teknologjia do të mundësojë një zgjidhje më komplete, parashikon Wallace, i cili shpreson që të përdorë një softuer për njohjen optike të shkronjave (OCR) për të dixhitalizuar të gjitha vëllimet e Dhiatës së Re greke. «Tani do të na duheshin 400 vjet për të lexuar dhe koleksionuar të gjitha dokumentet e njohura», thotë Wallace. «OCR-ja do ta mundësonte ta kompletonim punën në 10 vjet».
Në këtë pikë do të ishte legjitime të bëhej ndonjë pyetje jokomode: pse është kaq e rëndësishme çështja? Pse të preokupohesh kaq shumë për Bibla të lashta dhe për fragmente akoma edhe më të lashta papirusësh egjiptianë? Për njerëz si Wallace, që jep mësim në një seminar ungjillor, dhe për Green, që ka investuar një pjesë të madhe të pasurisë të familjes së tij në krijimin e një muzeumi kushtuar Biblës, përgjigja është një: të kuptohet nëse feja e tyre bazohet mbi fakte reale. A bëhet fjalë për një provë të vlefshme? Duke supozuar për një çast se Zoti i Biblës ekziston vërtet dhe se në një farë mënyre ka folur me autorët e teksteve të shenjta, ne lexojmë atë që ata shkruan në atë kohë? Në fund të fundit, asnjë prej origjinalëve, atyre që studiuesit i quajnë autografë, nuk është gjetur kurrë. Ato fjalë kanë mbijetuar vetëm pse janë kopjuar me dorë një numër të pafundëm herësh deri në shpikjen e shtypit në shekullin e XV-të. Deri edhe studiuesit më konservatorë e pranojnë se nuk ekzistojnë dy kopje identike midis tyre. pak botues mendojnë se një libër mbi argumentin mund të ngjallë një interes të tillë sa të bëhet i shumëshitur, megjithatë është kjo që ka ndodhur në vitin 2005 me botimin e “Misquoting Jesus: The Story Behind Who Changed the Bible and Why is a Book”. Bart Ehrman, autori i librit, thekson se “faktet” lidhur me Jezùsin të paraqitura në biblat moderne bazohen mbi shekuj kopjesh, të cilat thonë të gjitha gjëra të ndryshme. Ka mundësi që ne nuk e njohim përmbajtjen e vërtetë e teksteve origjinale. Parë personalisht, kristiani ungjillor i bërë ateist është një njeri i qetë, megjithëse shumë i hidhur.

I ulur përpara një kafeje afër University of North Carolina on Chapel Hill, ku jep Studime Fetare, Ehrman citon një seri pjesësh që ngjallin dyshime të ndryshme. Për shembull, 12 vargjet e fundit të Ungjillit sipas Markut ka mundësi që të jenë shtuar shumë vite pas hartimit të origjinalit dhe e njëjta gjë ka ndodhur me pasazhet fillestare të Ungjillit sipas Lukës, ku paralajmërohet lindja e Jezùsit. Shumë konsiderata të Ehrman janë të diskutueshme (e kam në kuptimin letrar: ai dhe Wallace janë përballur në 3 debate publike), por disa studiues bien dakord mbi faktin se në shekuj skribët kristianë i kanë ndryshuar qëllimisht disa pjesë. Problemi është të kuptohet se deri në çfarë pike janë shtyrë. «Përgjithësisht jam dakord me Ehrman lidhur me këtë aspekt», thekson Peter Head, studiues i Oxford që merret me dorëshkrimet e Dhiatës së Re greke. «Ama duhet thënë se dorëshkrimet të bëjnë të mendosh për një lloj fluiditeti të kontrolluar. Variantet janë, por në një farë mënyre është e mundur të kuptohet se kur dhe pse shfaqen. Problemi ka të bëjë më shumë me periudhën më të lashtë, për të cilën nuk kemi të dhëna të mjaftueshme». “Periudha më e lashtë” të cilës i referohet Head është ajo midis shekullit të I-rë dhe fillimeve të shekullit të IV-ët A.D.. Dhe nëqoftëse është e vërtetë se njihen më shumë se 5000 dorëshkrime të Dhiatës së Re greke, thuajse 95% e këtyre kopjeve i përket një epokë midis shekullit të IX-të dhe të XVI-të. Janë vetëm 125 ato të datuara në shekullin e II-të apo në shekullin e III-të; nuk ekzistojnë tekste më të lashtë. Këto të dhëna nuk e shqetësojnë Wallace, që megjithëse nuk është dakord me Ehrman, e konsideron mik. «Shpesh Bart nënvizon se nuk disponojmë asnjë dorëshkrim autograf, por vetëm kopje», thotë ai. «Nga ana tjetër, nuk kemi tekstet autografë të asnjë vepre të letërsisë greko – romake, me përjashtim të një fragmenti të një autori klasik». Wallace e pranon se në mijëra dorëshkrimet e Dhiatës së Re ekzistojnë shumë diferenca që u detyrohet gabimeve të transkriptuesve, por saktëson se pikërisht falë bollëkut të teksteve për t’u studiuar dhe krahasuar, ekspertët kanë qenë në gjendje t’i individualizojnë këto gabime, duke arritur në shumë raste të rikuperojnë formulimin fillestar. Një kriter tjetër për të vlerësuar besueshmërinë e një dokumenti të çfarëdoshëm historik, shton Wallace, është afërsia e tij kronologjike me ngjarjet që thotë se regjistron. «Mesatarisht, kopjet më të lashta të veprave të letërsisë greko – romake të arritura deri tek ne janë realizuar 500 vjet pas kompozimit», pohon ai. «Kurse në rastin e Dhiatës së Re kopjet më të lashta u përkasin disa dekadave pas fakteve të rrëfyera: një diferencë substanciale». Megjithatë, mungesa e teksteve kristiane të shekullit të I-rë është një pikë në favor të tezave të Ehrman, një pikë që Wallace është i paduruar që ta anullojë.

Ndoshta shumë i paduruar. Gjatë një debati me Ehrman të zhvilluar në shkurt të 2012, Wallace bëri një njoftim të bujshëm: ekspertë të njohur e kishin datuar në fundin e shekullit të I-rë fragmentin e një dorëshkrimi të Ungjillit sipas Markut të zbuluar para pak kohësh (dokumenti i paraprinte me më shumë se 100 vjet kopjes më të lashtë të njohur të së njëjtës vepër). Bëhej fjalë për dokumentin e vetëm kristian e shekullit të I-rë të zbuluar ndonjëherë, më i lashti i ardhur deri tek ne. Teologu teksan shtoi se një studiues i dorëshkrimit të lashtë do të botohej ndoshta në 2013. Njoftimi i Wallace e futi në fibrilacion botën e kërkuesve të biblave. Ku ishte zbuluar fragmenti? Ku ruhej? Ishte në shitje? Sa vlente? Kanë kaluar 6 vite dhe dokumenti nuk është bërë publik akoma. Në dhjetorin e 2017 nisa të bëjë telefonata andej këtej. 1 muaj më pas paraqitem në Sackler Library të Oxford University, që ka koleksionin e papirusëve të lashtë më të madh të botës. Një grua italiane me një përparëse laborator më udhëheq drejt një zone të rezervuar. Quhet Daniela Colomo, është Kërkuese e Asociiuar e universitetit, si edhe kujdestare e koleksionit legjendar të parpirusëve të Osirinkut. Në kontrast të plotë me arkitekturën madhështore të Oxford, laboratori i papirologjisë ku studiohet një prej përmbledhjeve kryesorë të teksteve të lashta është një dhomë rrëmujë, e ndriçuar me llamba neoni. Colomo më tregon një copë letër pa acidë, e përthyer si zarf, në qendër të të cilit ndodhet fragmenti i një papirusi të zverdhur jo më i madh se gishti. «Është Ungjilli sipas Markut», thotë Colomo. «Ka mundësi që i përket fundit të shekullit të II-të, fillimit të shekullit të III-të. Nuk e kishim menduar kurrë se mund të pozicionoheshim, por lajmet gjysmëzyrtare dhe zërat e pakontrolluara na detyrojmë që ta botojmë shpejt». Colomo dhe kolegu amerikan Dirk Obbink, papirolog dhe pedagog në Oxford, e kanë botuar studimin e tyre në muajin maj. Fragmenti, i kataloguar si P.Oxy. LXXXIII 5345, është një prej të shumtëve midis atyre të gjetur që nuk qenë shqyrtuar akoma deri në fund. Egypt Exploration Society, që financoi gërmimet e Osirinkut dhe mban pronësinë e koleksionit, ka lëshuar një deklaratë, në të cilën lexohet: “Ky është vetëm teksti i treguar nga Profesori Obbink disa vizitorëve në periudhën 2011 – 2012 dhe që, sipas asaj të përcjellë në konferenca dhe në media sociale nga disa prej tyre, i përkiste ndoshta fundit të shekullit të I-rë, mbi bazën e një datimi të përkohshëm të përcaktuar kur fragmenti u katalogua shumë vite më parë”.

Euphoria dhe zhgënjimi pasues të shkaktuara nga fragmenti i botuar i Markut e kanë errësuar rëndësinë e zbulimit. Deri më rani njihen vetëm dy fragmente të tejrë të Ungjillit sipas Markut përpara shekullit të III-të. Colomo ua atribuon frenezinë e “ethes së shekullit të I-rë” disa studiuesve që ëndërrojnë daljen në dritë të një Ungjilli apo të një epistole të shkruar nga një apostull. «Sidomos në Shtetet e Bashkuara, midis studiuesve të Dhiatës së Re ekziston kjo prirje për të kërkuar dokumenta të leshta me shpresën e gjetjes së një teksti autograf të dikujt që e ka njohur Jezùsin», thekson Colomo. «Kanë tendencën që t’i atribuojnë një datim shumë më të lashtë një papirusi mbi bazën e ngjashmërive të rastësishme. Por nuk bëhet fjalë për një metodë shkencore». Nga ana e tij, Wallace i ka kërkuar falje Ehrman pse ka përhapur një lajm jo të verifikuar. Sipas Ehrman është naïve të mendosh se një fragment i vetëm i vogël mund të zgjidhë një çështje kaq të vështirë. «Një gjetje e ngjashme do ta bënte dikë të ndryshonte ide? Sipas meje, jo», shton ai. «Jam i bindur dhe e kam thënë shumë herë se do të kishim një argumentim të qëndrueshëm vetëm duke gjetur 3 apo 4 dorëshkrime të lashta të ardhura nga vende të ndryshme, që thonë të gjithë të njëjtën gjë, por nuk mendoj se mund të ndodhë». Edhe Randall Price, arkeologu i Qumran, u desh të përballej me mundësinë e një dështimi. Përveçse në raste shumë të rralla, zbulimet arkeologjike maten me rritje graduale dhe jo me hapa sensacionalë përpara. Një mëngjes, në fund të janarit, përgatitet që të lançojë uebsajtin e kërkimeve, kur nga Shpella 53 dëgjohet një ulërimë. Beverlee, gruaja e Price, shfaqet nga një dhomë natyrale e zbuluar para pak kohësh me një objekt të vogël prej argjile në dorë. Price e shikon. «Po», murmurit me ngadalë, «është vesh». Domethënë veshi i atij që mund të jetë një qyp për ruajtjen e papirusëve. Cilido që të ketë qenë objekti i të cilit fragmenti ishte pjesë, ka shumë të ngjarë që të jetë marrë me vete nga beduinët. Por Bibla, të cilën Price e lexon dhe tek e cila beson, mëson se duhet pasur gjithmonë besim. Dhe ku ka qypa për papirusët… «Ejj, dilni jashtë të gjithë!», ulëret duke ju drejtuar shokëve në Shpellën 53. «Le t’ia hyjmë punës!».
(Robert Draper për National Geographic)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version