Gjushi, 10 miliardë lekë për një rrugë të rikonstruktuar

Punimet e rrugës “Pavarësia” në Durrës ku u hodhën 2 milionë dollarë përfunduan para 10 muajsh, por gjithçka është shkatërruar dhe punimet kanë nisur nga e para. Dako ka urdhëruar punonjësit e Bashkisë të punojnë për rikuperimin e kësaj rruge, duke përdorur edhe makinat e Bashkisë ndonëse punimet e rrugës janë kryer nga një firmë private që kishte fituar tenderin. Skandali është denoncuar nga Shoqëria Civile. Avokati Altin Goxhaj dhe Lorisa Ylli kanë denoncuar dje në Plazhin e Durrësit këtë fakt për punimet në rrugën “Pavarësia”. Sipas tyre, kjo rrugë përfundoi vetëm 10 muaj më parë dhe tani kryebashkiaku Vangjush Dako ka vendosur të kryejë sërish punime në të njëjtin segment. Ajo që bën përshtypje është se edhe pse rikualifikimi i rrugës është bërë me tender, pra do të kryhet nga një kompani private, shihet se punimet bëhen nga punëtorët e Bashkisë Durrës dhe po përdoren mjetet e kësaj bashkie për të transportuar materialet.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Goxhaj shkuan se, u hap gropa pa leje ndërtimi ku po fundosen edhe 10 miliardë lekë të tjera. “Kompanitë e tenderit punojnë me makinat dhe punonjësit e Bashkisë së Gjushit. Ky është një ndër abuzimet më tipike të Gropës që Rama e quan “Rilindje urbane”! 10 miliardë lekë të tjera vetëm pas 10 muajsh, pasi u haxhuan 2 milionë dollarë! Por a kanë leje ndërtimi për ndërhyrje? Pse nuk ka të dhëna as në projektin e Bankës Botërore prej mbi 6 milionë euro për lejen e ndërtimit dhe vendi është bosh dhe as në pjesën e Bashkisë prej mbi 2 miliardë lekësh ku s’ka të dhëna fare për lejen e ndërtimit!”, shprehet Goxhaj.
Avokati Goxhaj më tej shtron pyetjen: A është kjo gropë prej 10 miliardë lekësh e hapur pa leje ndërtimi? “Po makinat dhe punëtorët e Bashkisë çfarë duan aty përderisa e ka fituar “tenderin” një kompani private? Apo kompania private thjesht ka fituar tenderin dhe punën e bën Bashkia e Gjushit? Mbase kompania private është e Gjushit dhe meqë edhe Bashkia është e Gjushit, brenda shtëpisë janë shpenzimet dhe fitimet kuptohet!”, shprehet avokati Goxhaj.
Para pak ditësh, Partia Demokratike e Durrësit denoncoi në Prokurori, kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako për shpërdorimin e fondeve për investime publike të rrugës “Pavarësia”. Investimi në këtë rrugë përfundoi vjet, por nuk dihet pse janë akorduar fonde të reja për punimet.
Stafa deklaroi për mediat se janë kryer investime 2 milionë dollarë, të cilat kanë përfunduar 1 vit më parë dhe tashmë, ai investim është shkatërruar dhe po kryhet një tjetër i ri. Po ashtu, kreu i demokratëve të Durrësit pohoi se po shkatërrohet dhe sezoni turistik.
Prej pak ditësh, ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës “Pavarësia” në zonën e Plazhit në qytetin e Durrësit. Banorët e qytetit pohojnë se kanë vënë re mjete të rënda e punëtorë, të cilët kanë bërë rrethtimin e trotuarëve, prishjen e kuadrateve të gjelbërta të lulishteve, vendeve të parkimit si dhe të shëtitores së biçikletave, investim ky që u inaugurua në muajin qershor të vitit 2015, pak ditë përpara zgjedhjeve lokale. Poshtë këmbëve të Urës së Dajlanit është vendosur tabela me të dhënat sqaruese të firmës së ndërtimit, vlerës së projektit dhe kohëzgjatjes së përfundimit të punimeve.
Bëhet e ditur se investitori i projektit, me afat punimesh 9 muaj, është Bashkia e Durrësit. Projekti konsiston në rehabilitimin e të dyja anëve të rrugës “Pavarësia” dhe sistemimet e rrugëve dalëse në Plazh me vlerë rreth 2.2 miliardë lekë. Por investimi i dytë që po bëhet në të njëjtën rrugë, ka pasuar me reagimin e ashpër të banorëve të kësaj zone si dhe të bizneseve në plazhin e Durrësit. Të revoltuar, banorët i kanë kërkuar Bashkisë të bëjë transparencë me fondet publike, por njëkohësisht i kanë bërë thirrje të bëjë transparent projektin.

R.POLISI

Artikulli paraprakProkuroria çon në gjyq drejtoreshën e IKMT, shembi restorantin me leje
Artikulli tjetërEksodi i Kosovës në ‘99, Presidenti shpall Kukësin “Nderi i Kombit”