Gjykata dënoi dy autorët e vrasjes së dyfishtë në Tiranë

Gjykata e Tiranës, dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurin Sael Sulaj, pasi e gjeti fajtor për vrasjen e dyfishtë pranë “Lulishtes 1 Maj”, vrasje për të cilën me cilësinë e bashkëpunëtorit u dënua me 30 vite burg edhe i pandehuri Vasiel Çavo. Tre gjyqtarët me kryesues Gerd Hoxhën, lexuan vendimin përfundimtar, duke i deklaruar fajtorë dy të pandehurit për akuzën e “vrasjes me paramendim” ndaj Kevin Rugovës dhe Aurora Oskian dhe plagosjen e Elvis Gaçajt.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit përfituan uljen e 1/3 së dënimit, ku përfundimisht nga burgimi i përjetshëm Sael Sulaj do të vuaj 35 vite burg. Ndërsa Vasiel Çavo nga dënimi me 30 vite burg, përfundimisht do të vuaj 20 vite heqje lirie.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, nga shqyrtimi i provave u faktua se i pandehuri Sael Sulaj ka qenë iniciatori për vrasjen e shtetasit Elvis Gaçaj, pasi ky i fundit i kishte provokuar, duke i rrahur dhe poshtëruar në vende publike. Në këto kushte, Sulaj, thuhet nga Gjykata ka kërkuar ndihmën e shokut të tij Vasiel Çavo. Të dy së bashku kanë zënë pritë mes pallateve, ku kishte parkuar makinën Elvis Gaçaj. Në momentin që objektivi Gaçaj ka hyrë në makinë së bashku me miqtë Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, ka qenë i pandehuri Sael Sulaj, që ka qëlluar me automatik ndaj tyre, duke i shkrepur 30 fishekë.
Si pasojë e të shtënave kanë gjetur vdekjen e menjëhershme Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, ndërsa Gaçaj ka mbetur i plagosur. Më pas, ndaj makinës ku ndodheshin viktimat ka qëlluar 6 herë edhe i pandehuri Vasiel Çavo me pistoletën e tij, por pa prekur viktimat që ishin ekzekutuar nga arma kallashnikov e të pandehurit Sulaj. Më pas, ata janë larguar, duke hedhur armët në lumin Lana, ku edhe janë gjetur nga forcat RENEA. Ngjarja për të cilën u dënuan dy të pandehurit ka ndodhur mbrëmjen e datës 1 tetor mes pallateve afër Lulishtes “1 Maj” në Tiranë.
Të pandehurit kanë shprehur pendesë për krimin, duke e pranuar atë. Ndërsa Prokuroria ka kërkuar dënimin e dy të pandehurve me burgim të përjetshëm. Nga ana tjetër, objektivi i këtij atentati Elvis Gaçajt po gjykohet për akuzën e prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim, pasi pas plagosjes policia i gjeti në banesën e tij një sasi lëndësh narkotike.

Artikulli paraprakKorrupsioni, ish-prokurori i Fierit i shpëton burgut
Artikulli tjetërGrabiten 10 milionë lekë në pikën e këmbimit valutor në Fushë-Krujë