Gjykata duhet të dënojë vetëm popullin, jo politikanët, aq më pak shefat politikë

Nga Fitim Zekthi

Rama nuk ka qenë kurrë një njeri që ka respekt për ligjin. Ai gjithnjë ka menduar se e zotëron të vërtetën dhe të drejtën dhe kësisoj vetëm ai e vendos nëse diçka është e drejtë apo e ligjshme. Po përmendim vetëm një shembull. Në vitin 2013 ai rrëzoi me akt normativ me vendim qeverie (edhe me miratimin e LSI-së) ligjin për Statusin e Nëpunësist Civil, një ligj organik që miratohet me jo më pak se 60% të votave. Në Gjykatën Kushteteuse këshilltarja e kryeministrit Rama kur u pyet nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese nëse mund të rrëzohet një ligj që kërkon shumicë të cilësuar me akt normativ u përgjigj se ata mendonin se me akt normativ mund të rrëzohej edhe kushtetuta. Kaq sa për Ramën.

Veliaj është gjithashtu e njëjta shkollë. Ai thirri njerëz dhe organizoi një protestë në oborrin e gjykatës në Tiranë kur po gjykohej një çështje mbi disa leje ndërtimi te Liqeni. Ai mendonte se protesta ndaj gjykatës në oborrin e gjykatës është një mjet që bën drejtësi. Kjo është diçka shumë e rëndë. Është një kuptim sigurisht totalitar mbi drejtësinë.

Brenda kësaj logjike, kësaj sjelljeje sot Rama dhe Veliaj sulmojnë gjykatën, protestojnë para gjykatës, shantazhojnë gjykatën. Brenda kësaj logjike ata thonë që gjykata hoqi kryetarin, hoqi njeriun e zgjedhur nga gjysmë milioni votues.
Kjo është çmenduri. Gjykata mund të heqë dikë që ka edhe miliona vota. Në qoftë se thyen ligjin, në qoftë se bën një krim nuk mund të mbrohesh se je i zgjedhur nga njerëzit.

Gjykata nuk gjykon pozitën sociale apo politike të askujt, gjykata është e verbër nga pozita sociale apo politike e njerëzve. Ka mijëra raste në botë me largime të tilla nga detyra. Po përmendim vetëm një. Në vitin 2017 një gjykatë në Australi dënoi me burg George Pell, kardinal i Kishës Katolike, sekretar për ekonominë i Vatikanit, pak a shumë njeriu më i rëndësishëm pas Papës për shtetin e Vatikanit. Nuk tha njeri që gjykata hoqi kardinalin apo numrin dy të Vatikanit. Veliaj mund të jetë numri dy në PS por nuk është i rëndësishëm sa numri dy i vatikanit kurrë. Kardinali më vonë u shpall i pafajshëm nga shkallet e tjera të gjykatave por kjo është procedurë e gjyqësorit. Ai qëndroi 404 ditë në burg. Ishte edhe mjaft i moshuar madje.

Rama tha që prokuroria duhet të na japë provat. Kjo është një tjetër çmenduri. Prokuroria nuk i jep prova kryeministrit. Prokuroria ia jep ato gjykatës. Qeveria nuk merret dhe as nuk ka detyrë të shohë apo gjykojë provat e prokurorisë. Nëse do, Rama le të shohë dosjen. Vetëm gjykata gjykon nëse provat mjaftojnë apo jo. Nuk gjykon dot Rama. Nuk është as detyrë dhe e drejtë e Ramës të gjykojë provat.
Ngado që ta shohësh sjellja e Ramës dhe e PS-së është e tmerrshme. Rama, në qoftë se do ti qëndrojë besnik bindjes së vet dhe ëndrrës së vet njëkohësisht, ka vetëm një zgjidhje. Të mbledhë komisionin Xhafaj dhe të vendosë të shkrijë SPAK dhe GJKKO. Të mbledhë kuvendin dhe bashkë me PD-në të ndryshojë kushtetutën dhe ta zhdukë SPAK-un. Projekti i shkrirjes është në tavolinë. Luftën ndaj SPAK-ut në terma të tilla ka kohë që e bëjnë politikanë shqiptare të fuqishëm e të rrezikuar nga SPAK.

Në fund të fundit Rama dhe gjithë sistemi politik i korruptuar rëndë, në çdo qelizë në këto 34 vite duan të vazhdojnë sundimin, dominimin, shkatërrimin e jetës dhe lirive të njerëzve. Duan të jenë të paprekshëm dhe SPAK po i prek, po i rrezikon, po i lemeris. Atëherë vëri zjarrin SPAK-ut. Si mund të guxojë SPAK apo GJKKO të prekë sistemin dhe politikanët e lartë që dominojnë sistemin. Këta politikanë kanë gjithë jetën e tyre në luftë për të krijuar këtë sistem, kanë lënë kockat, kanë bërë kërdinë 34 vite. Sistemi është jeta e tyre, janë ata vetë, është gjithçka. Çdo lufte, çdo mjet, çdo energji në mbrojtje të sistemit dhe kundër SPAK dhe GJKKO. SPAK dhe GJKKO duhet të njollosen si vegla të krimit, të drogës, të padrejtësisë dhe interesave politike. Kjo është faza e parë. Faza e dytë komisioni Xhafaj.

Fytyra e vërtetë tregohet kur ke lëkurën tënde në lojë. Kur nuk ke lëkurën tënde në lojë është shumë e lehtë të bësh sikur e do të drejtën, sikur do hetimin dhe luftën ndaj korrupsionit. Faza e tretë, më e rrezikshmja, kundërshtimi i BE dhe i SHBA dhe orientimi nga Rusia apo Kina. Shpresojmë të mos shkojë deri ketu por këta janë lloji i politikanit me mendësi totalitare. Për politikanët tanë, për drejtuesit politikë të sistemtit tonë, për ata që kanë 34 vite në krye të sistemit gjykatat ekzistojnë dhe duhet të ekzistojnë vetëm për të dënuar popullin, hallexhinjtë, fukarenjtë, ata që zihen e rrihen për një gardh apo që ndërtojnë një avlli, ata që vjedhin një lopë apo një gomar, që përplasin një makinë dhe plagosin një këmbësor, etj. Procesi Veliaj i zbuloi keq dhe turpshëm të gjithë./liberale.al

Exit mobile version