Gjykata e Apelit rrëzon kërkesën e Shullazit për lirimin nga burgu

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda nuk pranoi ankimin e Emiljano Shullazit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi për lirimin nga burgu. Tre gjyqtarët e kryesuar nga Dhimitër Lara e cilësuan të pabazuar në ligj kërkesën e avokatëve për mos zgjatjen e hetimit ndaj Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Sipas Gjykatës, vendimi i Shkallës së Parë që i jep të drejtë Prokurorisë për të vazhduar mbledhjen e provave ndaj Shullazit dhe “bandës” së tij, është i drejtë. Për këtë fakt, Gjykata tha se ankimi rrëzohet.
Pak ditë më parë, ishte Prokuroria e cila gjatë dhënies së informacionit 2-mujor para gjyqtarit të masave, i kërkoi togave të zeza të zgjasë hetimet ndaj “bandës” së Shullazit, pasi duhet të kryen edhe shumë veprime proceduriale. Mes tyre marrja në pyetje e gjyqtarëve të Durrësit, pyetja e kreut të Hipotekës së qytetit bregdetare, avokatëve që janë marrë me çështjen e pronësisë së ish-hotel “Vollgës” apo edhe pedagogëve, të cilët shoqëronin rektorin Mynyr Koni në momentin e ballafaqimit të tij me personat që e kërcënuan. Për këto veprime, Prokuroria i kërkoi kohë Gjykatës, e cila miratoi kërkesën për kryerjen e të gjitha këtyre veprimeve proceduriale. Por për avokatët, Prokuroria duhet të specifikoi dyshimet konkrete për çdo akuzë që i atribuohet të dyshuarve. Veprim ky që për prokurorët do të bëhet në fund të fazës hetimore. Në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit nuk ishte i pranishëm Shullazi apo bashkëpunëtorët e tij, të cilët u përfaqësuan nga avokatët.
Emiljano Shullazi dhe banda e tij, akuzohet për një sërë veprash penale të rënda, që nga grupi i strukturuar kriminal, trafik droge, gjobëvënie ndaj disa biznesmenëve dhe kanosje për përfitimin e pronave. Bashkë me Shullazin është arrestuar edhe kushëriri i tij, Blerim Shullazi dhe bashkëpunëtori i ngushtë, Gilmando Dani.

Exit mobile version