Gjykata e Apelit vendosi se ish-presidenti nuk gëzon imunitet/ Analiza e DW: A mund të ndiqet penalisht Donald Trump për veprimet e tij?

A mund të ndiqet penalisht Donald Trump për veprimet e tij si president? Gjykata e Apelit vendosi se ish-presidenti nuk gëzon imunitet. Tani avokatët po apelojnë në Gjykatën e Lartë.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka nisur procedurat ligjore kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, se ai nuk gëzon imunitet për veprimet e tij gjatë kohës që shërbente si president. Gjykata e Apelit në Kolumbia e refuzoi njëzëri më 6 shkurt 2024 kërkesën e avokatëve të tij. Avokatët e Trumpit depozituan tani një mocion në Gjykatën e Lartë të hënën për të shtyrë vendimin.

Topi është tani në fushën e gjyqtarëve të gjykatës më të lartë në vend. Vendimi i tyre varet nëse dhe kur mund të nisë në Uashington gjyqi për tentativë për mashtrim zgjedhor kundër republikanit. Por lëvizja e Trumpit nuk është befasuese – ai njoftoi më herët se do të kundërshtojë vendimin e gjykatës së apelit dhe do të apelojë në Gjykatën e Lartë.

Akuza për tentativë për mashtrim zgjedhor

Trump u akuzua në kryeqytetin amerikan, Uashington, në lidhje me një tentativë për mashtrim zgjedhor. Mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin në Uashington më 6 janar 2021. Kongresi u mblodh atje për të konfirmuar zyrtarisht fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale. Më herët gjatë fjalimit, Trump nxiti mbështetësit e tij duke pretenduar se fitorja e tij në zgjedhje ishte vjedhur. Pesë persona humbën jetën në trazira.

Trump dhe avokatët e tij duan që akuzat për mashtrim zgjedhor të hidhen poshtë në Uashington. Ata i referohen faktit që Trump kishte imunitet presidencial në atë kohë. Ata gjithashtu argumentojnë, se Trump nuk mund të ndiqet penalisht për veprime që ishin pjesë e detyrave të tij si president. Por prokurori publik theksoi se përpjekjet e Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve nuk ishin pjesë e detyrave të tij si president. Një gjykatë apeli në kryeqytetin amerikan vendosi në favor të prokurorëve javën e kaluar dhe vendosi që 77-vjeçari mund të ndiqet penalisht për atë që ka bërë gjatë kohës që ishte në detyrë.

Gjykata supreme mund ta anulojë vendimin

Gjykata e Lartë e SHBA fillimisht mund të pezullojë vendimin e Gjykatës së Apelit. Avokatët e Trumpit dhe prokuroria do të përpiqen të justifikojnë pozicionet e tyre me parashtresa të ndryshme. Nëse Gjykata e Lartë nuk e pranon apelin e Trumpit, kjo do të hapte rrugën që gjyqi kundër republikanit të nisë në Uashington. Por nëse Gjykata e Lartë e pranon ankesën, atëherë mund të ndodhë që procesi të përfundojë me një mbyllje të tij, lidhur me akuzat për mashtrim zgjedhor në gjykatat e Uashingtonit.

Sipas planeve të tanishme, është menduar që gjyqi në Uashington të fillojë në fillim të marsit. Por procesi është shtyrë për një kohë të pacaktuar, deri në zbardhjen përfundimtare të çështjes së imunitetit.

Procedurat me rëndësi

Çështja e ndjekjes penale ka një rëndësi të madhe për presidentët e ardhshëm. Nëse ata gëzojnë vërtet imunitet, mund të kryejnë krime në detyrë pa frikë nga pasojat. Vendim i gjykatave është vendimtar edhe për fushatën e ardhshme zgjedhore. Deri më tani, gjithçka tregon se mund të ketë një garë të re mes presidentit Biden dhe Donald Trump./DW

Exit mobile version