Gjykata e Holandës: Arben Frroku do të ekstradohet në Shqipëri

Arben Frroku do të ekstradohet në Shqipëri. Ky ishte vendimi i Gjykatës së Holandës për të dënuarin me burg përjetë për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në shkurt të vitit 2013. Pas një kalvari gjyqësor, në prill të 2015-ës, vëllai i ish-deputetit të mazhorancës, Mark Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pasi doli nga qelia, Frroku u largua nga Shqipëria ditën që Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë dhe vendosi dënim me burgim të përjetshëm. Ky i fundit u kap në Holandë me pasaportë false disa muaj më vonë.
Ishte ish-Kryeministri Berisha që deklaroi se, Frroku ishte arrestuar në Holandë, duke shtuar se Tahiri nuk po dërgonte dosjen e plotë të të dhënave të Frrokut. Pas deklaratës së ish-Kryeministrit Berisha për arrestimin e Frrokut në Holandë, është kërkuar informacion nga Zyra Qendrore e Interpolit dhe Europolit për këtë çështje.
Interpol Haga njoftoi se kishte identifikuar dhe arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Arben Frroku, të dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm. Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritetet e vendit tonë për partnerët holandezë. Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë.
Fillimisht, Zyra e Interpolit ka sjellë një përgjigje negative, ndërsa këtë të enjte, zyrtarisht është dhënë informacion për ndalimin e shtetasit Renato Xhepa, i dyshuar se është Arben Frroku. Të njëjtat burime thanë se, pas këtij konfirmimi do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Përgjithshme, për sqarimin e dyshimeve të autoriteteve belge dhe në rast konfirmimi, ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Pak javë më parë edhe vëllai i Arben Frrokut, ish-deputeti i mazhorancës, Mark Frroku është dënuar me 7.6 vite burg dhe ndodhet në qeli për akuzën e pastrimit të parave dhe ndërtimit të paligjshëm.

Artikulli paraprakFurgoni me 2 kuintalë drogë nga Shqipëria kapet në Greqi
Artikulli tjetërKush e vrau 16 vjeçaren Pepa? Kërkohet drejtësi