Gjykata e Lartë ka konfirmuar dje qëndrimin në burg të Emiljano Shullazit. Me vendimin e djeshëm, kjo gjykatë ka rrëzuar kërkesën për rekurs të Shullazit, duke lënë në fuqi, si masë sigurie, “arrestin në burg” ndaj tij. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, nëpërmjet avokatëve të tyre, rreth tre javë më parë iu drejtuan me rekurs Gjykatës së Lartë, ku kërkojnë lirimin.
Avokatët pretendojnë ndër të tjera se, si vendimi i Shkallës së Parë, edhe ai i Apelit për Krimet e Rënda, janë dhënë në kundërshtim me ligjin. Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij, u prangosën disa javë më parë, pas një denoncimi për kërcënim, ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ndërkohë, pas arrestimit, ndaj tij janë ngritur zyrtarisht akuza për kërcënim dhe gjobëvënie, për të paktën dy raste biznesmenësh.
Hetimet e kryera nga Prokuroria kanë zbuluar se banda e Emiljano Shullazit rezulton me aktivitete kriminale në disa rrethe të vendit. Të gjitha kallëzimet apo informacionet që janë siguruar për grupin e Emiljano Shullazit, do t’i bashkohen dosjes, të cilët po heton Prokuroria për Krimet e Rënda. Mësohet se aktiviteti i tre të arrestuarve ishte i shtrirë edhe jashtë Tiranës, ku sipas informacioneve janë shantazhuar disa biznesmenë.
Grupi i hetimit shtoi se, kallëzimit të një gruaje në Tiranë për përvetësimin e biznesit të saj pranë ish-kafe “Florës” i është bashkëngjitur edhe një dosje tjetër nën hetim prej pak muajsh te Krimet e Rënda. Në këtë kallëzim të marrë në fillim të vitit, një biznesmen nga Lushnja ka njoftuar se Shullazi e kishte kërkuar në takim gjatë muajit shkurt, ndërsa ai nuk ka pranuar. Nga dëshmia e një punonjësi të tij është kuptuar se, personi i prezantuar si Emiljano kishte qëndruar pranë biznesit të kallëzuesit në afërsi të Lushnjës.
Biznesmeni Adriatik Kërçuku kishte kallëzuar në Policinë e Fierit, Emiljano Shullazin për gjobëvënie. Ngjarja ka ndodhur në janar të këtij viti, ku disa persona i janë paraqitur në biznesin e tij dhe një person i është prezantuar si Emiljano Shullazi. E gjithë kjo histori është treguar nga punëtori i Kërçukut, pasi vetë ai nuk e ka takuar asnjëherë Shullazin. Duke qenë se ai nuk ka pranuar, në oborrin e biznesit të tij ka shpërthyer një sasi tritoli disa ditë më pas. Prokuroria për Krimet e Rënda ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit.