Gjykata e Lartë mbështet presidentin Trump për urdhrin e ndalimit të hyrjes në SHBA të disa vendeve myslimane

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara duket e prirur të mbështesë vendimin e Presidentit Donald Trump për ndalimin e udhëtimit drejt Amerikës për udhëtarët nga vendet me shumicë myslimane si Irani, Libia, Koreja e Veriut, Siria, Venezuela, Somalia dhe Jemeni.
Të mërkurën gjatë një seance dëgjimore, kryetari i gjykatës John Roberts dhe anëtari i gjykatës Anthony Kennedy sinjalizuan mbështetjen e tyre për këtë politikë të ndjekur nga zoti Trump. Një votë e secilit prej tyre, do të ishte e mjaftueshme për të zhvendosur vendimin e gjykatës, në favor të palës paditëse.
Që nga marrja e detyrës, zoti Trump ka lëshuar tre variante të urdhrit që ndalon udhëtimin. Dy variantet e mëparshme ishin të përkohëshme. Urdhri aktual për ndalimin e udhëtimeve drejt SHBA-së, nuk ka një datë skadimi.
I ashtuquajturi ndalim i udhëtimit kaloi disa sfida gjyqësore në pjesën më të madhe të vitit të kaluar. Ligjshmëria e tij u vu në pikëpyetje nga avokatët e emigracionit, sipas të cilëve urdhëri përbën një ndalim ndaj myslimanëve. Urdhëri po përballet me sfidën përfundimtare në Gjykatën e lartë.
Paditësit, në këtë rast Shteti i Havait, Shoqata Myslimane e Havait dhe tre individë, pritet të argumentojnë se ndalimi diskriminon komunitetin mysliman dhe e tejkalon autoritetin presidencial mbi çështjen e imigracionit.
Në këmbim, avokatët e shtetit do të argumentojnë se presidenti ka autoritet mbi imigracionin. Përpara seancës dëgjimore, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions publikoi një deklaratë ku thuhej se “Presidenti Trump vendosi që urdhëri mbi ndalimin e udhëtimeve është thelbësor për mbrojtjen e popullit amerikan. Ne shpresojmë ta mbrojmë ligjshmërinë e urdhrit sot në Gjykatën e Lartë”.
Në mbështetje të palës paditëse, jemeno-amerikanët mund të mbyllin bizneset, në shenjë proteste ndaj urdhërit të presidentit, që i ndalon shtetasit e Jemenit të udhëtojnë drejt Amerikës.
Ndërkohë nga lista është hequr një nga vendet, Çadi, i cili u përfshi shtatorin e kaluar në listën e vendeve, udhëtarët të të cilëve u ndalohej udhëtimi drejt Amerikës. Zoti Trump tha në një deklaratë, se vendi afrikan kishte përmirësuar masat e sigurisë, duke i bërë pasaportat “më të sigurta”, si dhe duke përmirësuar ndarjen e informacionit me SHBA-në lidhur me terroristët e njohur, apo të dyshuar.
Megjithatë, shtatë vendet e tjera “nuk kanë bërë përmirësime të dukshme, apo të mjaftueshme në praktikat e tyre të menaxhimit të identitetit dhe shkëmbimit të informacionit”, ndaj dhe mbeten në listë, thuhej në deklaratë.
Nga fundi i muajit qershor pritet një vendim lidhur me këtë çështje.

Exit mobile version