Gjykata e Vlorës ka reaguar pas sulmit të paprecedentë të ministrit Bledi Çuçi në lidhje me lirimin nga masa e arrestit me burg për Edison Begon, i cili u kap me armë në zonën e Lungomares. Gjykata e Vlorës sqaron se një masë e tillë është dhënë duke u bazuar në kërkesën e prokurorisë.
”Deklarata të tilla, nuk i shërbejnë imazhit të gjykatës si institucion për dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve. Jemi të hapur për verifikime nga ana e çdo institucioni të ngarkuar me ligj. Ju faleminderit”, thuhet mes të tjerave në reagimin e gjykatës së Vlorës.
Të njëjtin qëndrim mbajti më herët dhe Gjykata e Fierit, në lidhje me lirimin nga masa e arrestit me burg, për një të ri që u kap me armë pa leje. (Lexo edhe ketu lajmin)
Reagimi i plotë
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, pasi është njohur nëpërmjet medias me deklaratën publike dhënë nga Ministri i Brendshëm, Z. Bledi Çuçi, i cili gjatë fjalimit të tij, ka përmendur vendimmarrjen e gjyqtarit Albert Spiro, në lidhje me shqyrtimin e çështjes penale, të paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për procedimin penal nr. 839/2021, në ngarkim të shtetasit E. B, ju informojmë se:
Më datë 16.06.2021, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është regjistruar cështja me nr. 159 regj., datë 16.06.2021, me objekt: Vleftësim arresti, caktim mase sigurimi në ngarkim të shtetasit E. B. , akuzuar për veprën penale parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal. Sipas listës së gatishmërisë së gjyqtarëve, rezulton se gjyqtar i gatshëm më datë 16.06.2021, ka qënë gjyqtari Albert Spiro, të cilit i ka kaluar për shqyrtim kjo kërkesë penale.
Në seancën gjyqësore të datës 18.06.2021, është marrë në shqyrtim kjo kërkesë penale, dhe nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë është kërkuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në përfundim, gjykata ka vendosur sipas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria. Sqarojmë se, deklarata të tilla, nuk i shërbejnë imazhit të gjykatës si institucion për dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve. Jemi të hapur për verifikime nga ana e çdo institucioni të ngarkuar me ligj. Ju faleminderit!