Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, Rama rikthen supergjobat fiskale

Katër vite më parë, qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi disa ndryshime në ligjin që rregullon procedurat tatimore, duke parashikuar gjoba shumëmilionëshe mbi biznesin, pavarësisht nëse dëmi në të ardhura i kryer nga një shkelje tatimore ishte i vogël apo i madh.

Gjykata Kushtetuese, në atë kohë funksionale, i dha fund këtyre gjobave absurde duke i shpallur ato antikushtetuese pak muaj pasi u miratuan. Gjykata arsyetoi se në bazë të parimeve të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ndonëse shteteve anëtare u lejohet një shkallë arbitrariteti në fushën e taksave për llogari të eficiencës së mbledhjes së të ardhurave buxhetore, ky lloj arbitrariteti nuk mund të ishte i tillë sa ta vinte një subjekt tregtar në gjendje falimenti apo ta rëndonte atë përtej një niveli të arsyeshëm proporcional me dëmin fiskal të pësuar.

Katër vjet më pas, ndërsa fati i Gjykatës Kushtetuese të vendit është peng i përplasjeve mes interesave të ndryshme politike, qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj të ri, ku gjobat, ndonëse nuk janë aq të larta sa më 2015, sërish mbeten shumë herë më të larta se sa periudha 2010-2015, kohë kur u vendos për herë të parë sistemi i matjes së xhiros me kasa fiskale.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka propozuar ndryshime në ligjin për procedurat tatimore, në të cilin parashikohen dhjetë raste kur një tatimpagues mund të gjobitet nga 50 mijë deri në 150 mijë lekë të rinj për herën e parë që gjehet me shkelje si dhe me shumëfish të këtyre gjobave nëse kapet me shkelje për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër.

Nga viti 2016, kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi qeverinë “Rama” deri më sot, dënimet për shkelje të ngjashme kanë qenë detyrimi për të lëshuar faturë si dhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 30 ditore në rast shkeljesh të përsëritura. Përpara se qeveria “Rama” të niste fushatën e vet kundër informalitetit në vitin 2015, gjobat për shkelje të ngjashme ishin në masën 10 mijë lekë, ose pesë herë më të ulëta se sa gjoba minimale e propozuar në projektligjin që aktualisht është në procedurë miratimi në Kuvendin e Shqipërisë.

Nenet 121-124 të ligjit për Procedurat Tatimore riformulohen në tërësi për të vendosur sistemin e supergjobave. Kështu, nëse një biznesi i gjejnë mall të pashoqëruar me faturë, gjoba në rastin e biznesit të vogël është 50 mijë lekë, gjoba për biznesin e vogël me TVSH është 100 mijë lekë dhe gjoba për biznesin e madh është 150 mijë lekë. Këto gjoba vendosen pa marrë parasysh nëse biznesit i gjendet pa faturë tatimore një kuti shkrepseje apo një kamion i tërë. Po kështu, qeveria ka vendosur të gjobisë për herë të parë çdo individ që kapet duke bërë tregti me mallra ndërkohë që nuk është i regjistruar si subjekt. Në këtë rast, gjoba është në masën 100 mijë lekë pavarësisht nëse individi është duke shitur dy kilogramë qepë apo apo ndonjë mall me vlerë më të lartë.

Legjislacioni aktual në raste të tilla parashikonte vetëm detyrimin e tatimpaguesit të lëshonte faturë tatimore për mallin e kapur pa dokumente si dhe gjobë në masën 100% të dëmit të llogaritur, ndërsa ngarkonte tatimet ta konsideronin subjektin e kapur në shkelje si subjekt me rrezik dhe ta kontrollonin në vijimësi në rast se ai është i regjistruar tatimpagues i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Masat e gjobave të propozuara duket se janë joproporcionale me dëmin që tatimet mund të pësojnë nga një biznes që qarkullon mall të pashoqëruar me faturë fiskale.

Në të njëjtën masë dënohen edhe bizneset që kapen duke shitur mall pa faturë. Nëse je biznes i vogël i paregjistruar në TVSH, pra një biznes me xhiro vjetore më të ulët se 2 milionë lekë, gjoba është në masën 50 mijë lekë pavarësisht nëse malli apo shërbimi i shitur pa faturë e ka vlerën 10 lekë apo 50 mijë lekë. Nëse je biznes i vogël me TVSH gjoba është në masën 100 mijë lekë dhe nëse je biznes i madh gjoba është 150 mijë lekë. Biznes i madh në Shqipëri janë të gjitha bizneset me xhiro mbi 12 milionë lekë në vit.

Po kështu dënohet edhe lëshim i faturës me vlerë më të vogël se sa malli apo shërbimi i tregtuar.

Ndryshimet në ligjin Për Procedurat Tatimore janë publikuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.

Qeveria ka publikuar edhe një relacion në të cilin nuk shpjegon se pse penalitetet janë shumëfishuar në këtë mënyrë dhe as nuk merr mundimin të argumentojë se si penalitete të tilla bien apo jo në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 33/2016, i cili rrëzoi supergjobat.

Në relacion shkruhet: “Penalitetet janë rishikuar dhe rikonceptuar duke synuar harmonizimin dhe unifikimin e tyre lidhur me kundërvajtjet administrative me natyrë të njëjtë, me synim krijimin e një sistemi penalizimi, i cili nuk synon të dëmtojë, por njëkohësisht nuk nxit dhe incentivon mospajtimin me ligjin.”

Ndërsa në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese 33/2016 shkruhet: Gjykata vlerëson se masat e gjobave {…} nuk janë proporcionale dhe të arsyeshme për të rivendosur balancën e drejtë midis kërkesave të interesit të përgjithshëm të komunitetit për një ekonomi të formalizuar dhe kërkesave të mbrojtjes së lirisë së ushtrimit të veprimtarisë ekonomike dhe të së drejtës së pronës së tatimpaguesve.”/BIRN

Exit mobile version