Gjykata Kushtetuese ka pranuar ta marrë në shqyrtim vendimin e kontestuar të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok. Ajo ka vendosur ta shqyrtojë me seancë plenare publike, një vendim që u përshëndet nga organizatat e medias dhe shoqërisë civile si një fitore e përkohshme për lirinë e shprehjes.
Një grup organizatash dorëzuan në muajin mars ankesën për shpalljen si antikushtetues të Vendimit të Këshillit të Ministrave që ndalon qasjen në platformën TikTok në Shqipëri.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), një nga organizatat që pati dorëzuar ankesën, deklaroi përmes një postimi në Facebook se ky është një hap kyç për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
“Ne jemi të bindur se ndalimi i një platforme të komunikimit publik, pa transparencë dhe pa vlerësim proporcional të ndikimit të saj, përbën një precedent të rrezikshëm për liritë themelore në vend”, u tha në reagimin e AGSH-së.
Gjykata Kushtetuese nuk pranoi ta pezullojë vendimin e qeverisë, por megjithatë vendimi për të kaluar çështjen në shqyrtim të thelluar dhe publik është konsideruar si tregues i seriozitetit dhe rëndësisë që ka për rendin kushtetues.
“Liria e shprehjes është themel i demokracisë, ajo nuk mbrohet duke mbyllur gojën e qytetarëve, por duke hapur më shumë dritare për informacion dhe debat”, thuhet më tej në deklaratë.
Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, Asambleja e Përgjithshme e Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) ka miratuar një rezolutë të propozuar nga AGSH, që dënon ndalimin e TikTok në Shqipëri dhe e cilëson atë si një kërcënim ndaj lirisë së shprehjes në mbarë rajonin.
“Kjo rezolutë […] thekson se ndalesa e TikTok, […] përbën një precedent të rrezikshëm për censurimin e rrjeteve sociale në të ardhmen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe më gjerë në Evropë”, tha AGSH në një reagim.
Vendimi i qeverisë për të mbyllur TikTok u kundërshtua nga mbi 20 organizata të medias dhe shoqërisë civile, duke e cilësuar një kufizim ekstrem të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion.
Organizatat argumentojnë se mbyllja mund të krijojë precedentë shqetësues për Shqipërinë dhe rajonin. Ky veprim rrezikon t’i hapë rrugën kufizimeve të mëtejshme, duke kërcënuar lirinë e shprehjes dhe qasjes në internet në mënyrë më të gjerë./citizens.al