Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë pretendimin e kryeministrit Edi Rama se ‘Presidenti është thjesht noter i propozimeve të kryeministrit për emërimin e ministrave duke mos pasur të drejtë të refuzojë propozimet për ministra’.
Kushtetuesja ka theksuar se emërimet e ministrave kalojnë ne tre filtra, Kryeministri, Parlament dhe President, duke i njohur të drejtën Presidencës të refuzojë kur propozimi nuk plotëson kriteret e parashikuara në Kushtetutë.
Më poshtë vendimi i zbardhur sot nga Gjykata Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: ‘Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë’.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,
VENDOSI:
– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar.