Nga Ervis Iljazaj
Gjykata Kushtetutese refuzoi kërkesën e disa partive të vogla për të shfuqizuar ndryshimet e kodit zgjedhor, që sipas tyre cënojnë barazinë e votës dhe përfaqësimin politik. Thelbi i kësaj beteje ishte hapja e listave 100 përqind, me qëllim që shqiptarët të kenë mundësinë që me anë të preferencave të tyre të zgjedhin deputetin që ata dëshirojnë.
Ndryshimet e kodit me paktin e korrikut midis Ramës dhe Berishës, formalisht kanë lënë 2/3 e listës së hapura, por realisht këto lista janë në pjesën më të madhe të mbylluara dhe në zgjedhjet e ardhshme diku te 80 apo 90 përqind e deputetëve do të vazhdojnë të emerohen nga kryetarët dhe nuk do të zgjidhen nga preferencat e qytetatërve.
Gjykata Kushtetuese kishte një mundësi të artë, që me vendimin e saj të demokratizonte sistemin politik shqiptar, të garantonte një përfaqësim politik të drejtë dhe të forconte instrumentat e demokracisë përfaqësuese. Sigurisht, vendimet e gjykatave mund të diskutohen, mund të kritikohen, ndërsa ato thjesht zbatohen. Në këtë kuptim, Shqipëria do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme me një kod që favorizon qartë partitë e mëdha politike. Por mbi të gjitha, favorizon pozicionin e kryetarit të partisë nga i cili do të varen shumica e deputetëve që do të jenë në parlamentin e ardhshëm.
Pa u futur në disktutime teknike të vendimit, i cili jurdikisht mund të jetë ashtu sikurse ka vendosur Gjykata Kushtetuese, një analizë politike se çfarë ka sjellë deri tani dhe çfarë do të sjellë në zgjedhjet e ardhshme mund të bëhet. Mbyllja e sistemit politik nëpërmjet këtij sistemi zgjedhor që forcon kryetarokracinë është një marrëveshje politike e Sali Berishës dhe Edi Ramës që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Marrëveshje që vazhdon sot e kësaj dite me ndryshimet e kodit në muajin korrik të këtij viti. Nuk ka dyshim që ky kod elektoral ka forcuar pozitën politike të binomit Rama-Berisha, të cilët që nga 2008 e deri më sot vazhdojnë të dominojnë jetën politike të Shqipërisë, dhe me gjasa do të vazhdojnë ta dominojnë akoma. Prandaj marrëveshja midis tyre në këtë drejtim, është e qartë dhe e hapur.
Partia Demokratike kishte një shans të artë që nëpërmjet ndryshimeve të kodit në korrik të jepte një mesazh ndryshe. Nëj mesazh që shkonte në rezonancë me qytetarët shqiptarë që në shumicë deshirojnë listat e hapura. Mirëpo, zoti Berisha, i gjendur në pozita të dobta politike, zgjodhi që të dominonte partinë se sa ta hapte atë duke votuar një kod që është antidemokratik. Duke patur parasysh sondazhet që e tregojnë Partinë Demokratike rreth 30 përqind, ka rrezik që të gjithë deputetët e saj do të dalin nga pjesa, e listës së mbyllur dhe asnjë nga preferencat e qytetarëve. Në këtë mënyrë, ky kod e bënë atë një parti të mbyllur dhe të dominuar totalisht nga Berisha, gjë e cila është dhe qëllimi kryesor i tij.
Sigurisht sistemet zgjedhore, që të gjitha, kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre. Asnjë sistem zgjedhor nuk është absolutisht i mirë, apo absolutisht i keq. Edhe ky që kemi ka avantanzhet e veta. Mirëpo kur në një vend aplikohet një sistem zgjedhor i caktuar, duhen patur parasysh problemet kryesore politike dhe zgjidhet një sistem zgjedhor që i kuron ato probleme. Problemet kryesore që ka Shqipëria sot dhe që ka patur gjithmonë, janë padyshim personalizimi i politikës, reduktimi i parlamentit në organ vartës të qeverisë, si dhe reduktimi, madje degradimi i rolit të deputetit.
Ky sistem zgjedhor që do të shkojmë në zgjedhje, jo vetëm që nuk i kuron këto probleme, por i thekson ato akoma dhe më shumë. Shqiptarët aktualisht nuk votojnë as për pushtetin ekzekutiv, as pushtetin legjislativ, dhe as për pushtetin gjyqësor. Shqiptarët votojnë vetëm për partitë politike. Prandaj ky sistem zgjedhor ka krijuar një partitokraci e cila është e rrezikshme për demokracinë shqiptare. Gjykata Kushtetutese e humbi shansin për të kuruar problemet e demokracisë dhe sistemit politik shqiptar./Liberale.al