Gjykata lë në burg sekserin e gjyqtarit

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Kujtim Mirin, kushëririn e dytë të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri. Kujtim Miri akuzohet për korrupsion, pasi dyshohet se ka qenë njëri prej sekserëve të marrëveshjes 30 mijë euroshe mes Shkëlqim Mirit dhe të kërkuarit Gentian Doda, për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Matit, që i kualifikoi veprën penale të dënuarit, duke sjellë edhe lirimin e tij. Seanca u zhvillua ditën e djeshme te Gjykata e Krimeve të Rënda, ku Kujtim Miri nuk preferoi që të fliste në sallën e gjyqit. Sipas dosjes hetimore, Kujtim Miri ka takuar disa herë Alban Buçin, i afërm të Gentian Dodës, për aferën e korrupsionit.
Buçi është i afërm i Gentian Dodës dhe ka qenë personi negociator për shumën që duhet të paguante i akuzuari te Shkëlqim Miri, që ky i fundit të votonte pro lënies në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë të Matit. Mësohet se takimet janë zhvilluar në një lokal në Fushë-Krujë. Në këtë kohë, Gentian Doda vuante dënimin për “vrasje me paramendim” në burgun e Fushë-Krujës. Kujtim Miri u ndalua një ditë pas arrestimit të gjyqtarit, por nuk ka preferuar të flasë për organet ligjzbatuese. Ndërkohë, vazhdojnë të jenë në kërkim Gentian Doda dhe Alban Buci.

Artikulli paraprakProkuroria hap dosjen për 3014 punësimet në fushatën zgjedhore
Artikulli tjetërDalin emrat e trafikantëve shqiptarë që u kapën në Napoli me heroinë