Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë liroi nga burgu kryetarin e Bashkisë, Fran Frrokaj duke dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Po ashtu Gjykata ka dhënë “arrest shtëpie” edhe për 11 zyrtarët e tjerë. Ndërkohë Gjok Ndoka ndodhet në spital pasi ka probleme shëndetësore me zemrën dhe rivlerësimi i masës së sigurisë do të bëhet në spital.
Prej orës 09:00 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Lezhës vijoi seanca e vlerësimit të masës së sigurisë për kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj dhe 11 personave të tjerë të arrestuar për abuzime me pronat e bregdettit të Shëngjinit.
Ndërkohë në dyert e gjykatës qindra qytetarë mbështetën Frrokaj edhe pse reshjet e shiut ishin të dendura.
Në momentin kur makina e policisë solli Frrokajn në oborrin e gjykatës mbështetësit e tij thërrisnin “Fran Frrokaj!” “Fran Frrokaj!” “Drejtësi!” “Drejtësi!”
Fran Frrokaj dhe 11 persona të tjerë akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin duke abuzuar me detyrën dhe falsifikuar dokumente, kanë tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”. Qytetarët e konsiderojnë arrestimin politik.