Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të bllokojë pasaportën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të mos dalë jashtë shtetit. Vendimi i Gjykatës është dhënë pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në vijim të hetimeve për dosjen “Habilaj”. Kjo masë sigurie u dha në kuadër të hetimit për ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri pas përgjimeve të bandës së Habilajve nga Prokuroria e Katanias. Gjykata urdhëron që Saimir Tahiri të paraqitet çdo javë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndaj Saimir Tahirit është vendosur detyrimi për t’u paraqitur pranë Prokurorisë.
Vendimi i Gjykatës jep në mënyrë kronologjike rrjedhën e hetimit të kësaj çështje, që nisi në Shqipëri ndaj Habilajve dhe lidhjet e policisë me narkotrafikun.
Prokuroria thotë se, Saimri Tahiri i njeh Habilajt dhe si argument sjell daljet jashtë shtetit të tij me automjetin “Audi” 003 GB që ndërkohë i ishte shitur Moisi Habilajt. Sipas Prokurorisë, Saimri Tahiri ka dalë nga “Qafë Bota” me datën 8 gusht 2014 pa automjet dhe është kthyer tetë ditë më vonë me mjetin Audi 003 GB.
Duke përdorur këtë argument, thuhet se Tahiri për shkak të lidhjeve farefisnore dyshohet të ketë favorizuar Habilajt për kultivim dhe trafikim kanabisi.
Argumenti tjetër i Prokurorisë është njohja me Orest Sotën, të cilit iu gjetën në makinë 863 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundrimi në emër të ish-minsitrit Tahiri. Prokuroria ka dyshime se kjo shumë e madhe parash ishte e Tahirit dhe jo e biznesmenit që pretendon se me to do bënte një pagese tek “Kurum”.
Po ashtu janë edhe disa mesazhe që janë gjetur në celularin e Orest Sotës. Në këto mesazhe, Orest Sota bisedon me gruan e Saimir Tahirit ku të dy flasin për ndërhyrje në tenderat e Ministrisë së Brendshme.
Tahiri donte diamante…
Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka paraqitur gjykatës prova që implikojnë ish-ministrin e Brendshëm në trafikun e drogës. Bëhet fjalë për përgjimet ambientale dhe komunikimeve telefonike, në të cilat trafikantët, pa e ditur se ishin në përgjigjim, tregojnë lidhjen me Tahirin, ish-ministrin e Brendshëm.
Prova që sipas Prokurorisë, “në tërësinë e tyre përfitohen njoftime për përkrahjen që Moisi Habilaj etj., siguruan në aktivitetin e kundërligjshëm, nga Saimir Tahiri, në kohën e ushtrimit të funksionit të ministrit të Rendit si dhe për sende me vlerë të përfituara padrejtësisht nga ky i fundit, si shpërblim për mbështetjen e ofruar”.
Në një rast, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj, teksa ndodhen në bordin e një makine tip “Fiat Bravo” me targa DG 826 NA më 16 dhjetor 2013, që përdorej nga Moisi Habilaj, flasin për një dhuratë që i ishte blerë gruas dhe nënës së Tahirit: 2 byzylykë 9.000 euro në total, njëri prej tyre me diamante për nënën e ish-ministrit. Data shënonte 16 dhjetor 2013 dhe të dy, Çelaj e Habilaj ndodhen në territorin italian.
Një tjetër provë e fortë është një tjetër përgjim po atë ditë, ku gjatë bisedës mes Habilajt dhe Çelajt, i njohur edhe si “Daja”, Saimir Tahirit i është dhënë para.
Në përgjimet e autoriteteve italiane, që Prokuroria e Krimeve të Rënda ia ka paraqitur gjykatës, në seancën e djeshme thuhet: Më pas, Sabi thotë se është e rëndësishme që të mos bëjë pyetje, të mos thotë emra dhe të mos dalë emri që i kanë dhënë para atij. Moisiu i përgjigjet me jo dhe se nuk do të ndodhë. Sabi përsërit se ka frikë se nipi do flasë me të tjerët për atë që i ka dhënë para atij (duke nënkuptuar Saimirin).
Në një tjetër përgjim ambiental, Moisi Habilaj, teksa bën llogaritë e borxheve që duhet të shlyejë, shprehet “30 mijë duhet t’ia çoj Saimirit”.
“Saimiri” vijon të përmendet edhe më tej në bisedat mes pjesëtarëve të grupit “Habilaj”. Në një përgjim ambiental më 1 janar 2014, në makinën tip “Mercedes Compresor” me targë IHP 2690 në përdorim nga Moisi Habilaj, ndodhet Eneo Sulaj dhe një “burrë shqiptar”.
Në bashkëbisedim e sipër, Eneo Sulaj, kushëriri i Maridian Sulajt, i thotë bashkëbiseduesit: Kur shkova atje, më thoshte pronari (i dyqanit), sepse kishte folur me Saimirin… që i kishte kështu… kostumin…
… E more vesh se çfarë i ka blerë Moisiu bashkëshortes së atij?… Një gjerdan që kushton 15.000 euro… Po përveç Sokolit që mori para për punën, Saimiri nuk donte para. Është e qartë, sepse … me ata.., dhe i dha… gjerdan me diamante.
“03”e ka kushëriri ynë, Saimiri
Më tej, në një tjetër përgjim, Maridian Sulaj, sipas hetimeve njeri shumë i afërt me Moisi Habilajn, të cilit ky i fundit e quan “kushëri”, flet për “Audin” me targa të ministrit të Brendshëm që Tahiri ia shiti Artan Habilajt:
Avduli: E mirë, janë targa të veçanta. Maridiani: Ah, targa të veçanta…(fjalë ta pakuptimta). “03” e ka Artani që ja ka dhënë ai. Burri: Cili Artan! Maridiani: Ishte i kushëririt ai… Kryeministri vëlla, si quhet! Çfarë është tani ai? Avduli: Saimiri. Maridiani: Saimir Tahiri… “01”, e ka Presidenti, “02” Kryeministri, “03” e kishte ky, Saimiri. Maridiani: Po ai është ministri i Brendshëm. Avduli: Targat e qeverisë, u hiqen targat makinave të qeverisë kur shiten. Maridiani: Po ai ia ka dhënë Artanit me të gjitha dokumentat, ta marrë dreqi çfarë thotë ky shiten. Avduli: Ajo dihet. Maridiani: Por në të vërtetë ia ka dhënë Moisiut. Moisiu ia ka blerë me sa ka dashur ai, ia ka blerë.
Në provat e paraqitura nga Prokuroria tregohen edhe udhëtimet e Tahirit me “Audi”-n, pasi ia shiti Artan Habilajt.
Pikat kufitare marrin vendimin për të bllokuar lëvizjet e Tahirit
Pas bllokimit të pasaportës dhe daljes jashtë Shqipërisë për Saimir Tahirin, Gjykata e Krimeve të Rënda e ka shpërndarë vendimin në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Sipas procedurave, ish-ministri Tahiri duhet të pyetet brenda 5 ditëve nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Avokati i Tahirit ka thënë se, pas urdhërit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, pikat kufitare marrin vendimin për të bllokuar çdo lëvizje të klientit të tij. Në një prononcim për mediat, avokati tha se tani Tahiri duhet të dorëzojë pasaportën. Maks Haxhia, avokati i Tahirit e ka konsideruar vendimin ndaj klientit të tij si të vonuar, duke thënë se vjen si “kofini pas të vjelit”. Haxhia tha se, Prokuroria nuk ka paraqitur prova të reja dhe e konsideroi vendimin si qesharak. “Sot në zyrë gjeta vendimin e gjykatëses, e cila ka marrë vendim për ndalimin e klientit tim dhe sekuestrimin e pasaportës. Nuk ka asnjë fakt të ri që gjykata duhet të iniciojë apo të marrë masa për marrjen e një mase të tillë. Nuk ka asnjë vlerë. Ajo masë është si kofini pas të vjelave nuk i shërben fare hetimit”, u shpreh avokati i Tahirit.
R.POLISI