Qeveria serbe tërheq nga procedura projektligjet kundër Kosovës. Kështu raportojnë disa aktivistë në Beograd, që tregojnë edhe një dokument zyrtar.
Qeveria e kryeministrit Gjuro Macut tërhoqi ligjin për gjykimin e shqiptarëve nga Kosova dhe ligjin për shpalljen e Kosovës si zonë e mbrojtjes së veçantë sociale. Këto ligje, të cilat presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i shpalli me nuanca urgjence më 13 shtator të vitit 2024, tha në atë kohë se do të miratoheshin brenda 45 ditëve.
Aktivistët theksojnë se ato nuk u miratuan as pas 250 ditësh apo tetë muajsh e gjysmë dhe më 17 prill 2025 u tërhoqën nga procedura.
Në konferencën e 13 shtatorit të vitit të kaluar, Vuçiçi madje do ta shpallte Kosovën një tokë të pushtuar, por presidenti konfirmoi në atë kohë se ishte trembur nga ekspertët e tij juridik. Në vend të kësaj, paraqiti planin me 7 pika, siç tha, kundër shtetit të Kosovës. Konkretisht kërkoi kthimin e gjendjes në Kosovë siç ishte përpara se Albin Kurti të vinte në pushtet: 1, mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri; 2, zbatimin e nenit 9 të marrëveshjes së parë të Brukselit për kthimin kolektiv të serbëve në Polici; 3,Kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksione gjyqësore; 4, tërheqjen e forcave speciale të policisë së Kosovës në veri dhe mbylljen e të gjitha institucioneve që ofrojnë shërbime jetike publike për qytetarët; 5, formimi urgjent dhe përfundimtar i Asociacionit; 6, lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë, që u arrestuan në protesta dhe barrikada; 7, mundësimi i menjëhershëm i transaksioneve të pandërprera të pagesave dhe shërbimeve postare në monedhën dinar.
“Ata mund të ëndërrojnë për pavarësinë e tyre. Dhe ata mund të ëndërrojnë anëtarësimin në OKB dhe mund të ëndërrojnë kështu për dhjetëra vite”, shprehej presidenti serb vitin e kaluar.