Gjykata: Për Skavicën autoritetet nuk bënë informim as konsultime publike mbi mjedisin

Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese deklaroi se Kuvendi dhe qeveria nuk kanë zbatuar të drejtën e informimit mbi mjedisin dhe mbrojtjen e tij, si dhe nuk kanë kryer konsultime me publikun para miratimit të një ligji që parashikon procedura për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

“Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës (me statusin e publikut të ndikuar) të mund të merrte pjesë sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus-it”, thuhet në vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata u vu në lëvizje nga një grup organizatash, që i vlerësojnë ligjin e Kuvendit dhe vendimin e qeverisë për këtë çështje si të papajtueshëm me Kushtetutën, por ato u legjitimuan vetëm sa i takon pretendimit për cenimin e së drejtës së informimit mbi çështjet mjedisore.

Ajo vlerësoi se ligji është ende në fazën e parë të zbatimit të tij, prandaj shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen me përfshirjen konkretisht të publikut në informacion dhe vendimmarrje.

Gjykata urdhëroi autoritetet publike për të riparuar këtë shkelje, duke garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit, si dhe për të marrë parasysh në vijim rezultatet e procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit.

Skavica është për qeverinë projekti strategjik më i rëndësishëm energjitik, por për organizatat e shoqërisë civile është një hidrocentral i panevojshëm, nga përmbytjet e të cilit priten të vijnë dëme të pakthyeshme ekonomike dhe mjedisore në krahinën e Dibrës.

Tre organizata i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të shfuqizojë ligjin e Kuvendit dhe vendimin qeveritar të vitit 2021, sepse sipas tyre, ato shkelin hapur të drejtat kushtetuese, social – ekonomike, mjedisore, të drejtën e informimit, liritë ekonomike dhe barazinë para ligjit.

Këto akte shënojnë procedurat e kontratës dhe studimeve në fazën e parë për ndërtimin nga kompania amerikane Bechtel e një dige në Skavicë të Kukësit.

Përfaqësues të institucioneve shtetërore vlerësojnë se ligji është në përputhje me Kushtetutën dhe, sipas tyre, “pretendimet e shoqatave janë në fazë hipotetike, hamendësime teorike, derisa nuk ka ende përfundime shkencore”, se studimet vazhdojnë dhe mbi to do të mbështeten vlerësimet e mëtejshme.

Përfaqësues të Kuvendit dhe të qeverisë kanë theksuar para Gjykatës se ligji përcakton procedura në dy faza. Në fazën e parë mblidhen të dhëna dhe parashikohen studime, ku do të bazohet propozimi, nëse do të ndërtohet hidrocentrali, e nëse po, ku dhe si do të vendoset. Sipas tyre, kontrata e fazës së dytë do të sillet nga qeveria sërish në Kuvend në formën e një projekt-ligji.

Por Komiteti i Helsinkit, shoqata “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi” si dhe shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” kanë theksuar se diga do të përmbytë mbi 17 mijë hektarë toka bujqësore tepër prodhimtare dhe një territor të njohur me vlera historike e arkeologjike.

Qeveria thotë se hidrocentrali i Skavicës pritet të sjellë me fitime të drejtpërdrejta në energji, punësim, turizëm dhe ekonomi, ndaj ngarkoi kompaninë amerikane Bechtel që të kryejë studime dhe propozime për digën.

Ligji i 23 marsit 2021 bën “përcaktimin e procedurës së veçantë për negocim dhe ekzekutim të kontratës me shoqërinë Bechtel International Inc, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Vendimi i qeverisë në korrik të po atij viti bën miratimin e kontratës së fazës së parë për shërbime teknike – projekti hidroenergjitik i Skavicës ndërmjet KESH dhe Bechtel Limited”, ndërsa kontrata për fazën e parë të projektit u nënshkrua me këtë kompani brenda atij muaji.

Veprimtarët e shoqërisë civile kanë vlerësuar se se me gjysmën e fondeve për një digë ujore në të njëjtin terren mund të ngrihen impiante të energjisë diellore, që mund të prodhojnë dyfishin e energjisë.

Ata e shohin me shqetësim zhvendosjen nga banesat të mijëra banorëve nga përmbytja, që do të sjellë diga, si dhe pasigurinë e tyre për të ardhmen e paqartë për shkak të këtij projekti, për të cilin as nuk u është marrë ndonjë mendim./ VOA

Exit mobile version