Gjykata: Plani urban i Tiranës u manipulua për të favorizuar pronën e familjes Xoxa

Vendimi i arsyetuar i Gjykatës Administrative të Apelit, i datës 27 mars 2025, tregon se Bashkia e Tiranës ka kryer një manipulim të qëllimshëm të Planit të Detajuar Vendor (PDV), duke zhvendosur një rrugë për të favorizuar ndërtimin e një objekti privat në pronësi të familjes së bashkëshortes së kryebashkiakut Erion Veliaj.

Gjykata vlerëson se përfshirja e rrugës “Hajdar Kërçiku” në PDV është bërë pa asnjë bazë planifikuese dhe urbanistike, vetëm për të shtuar vlerën e pronës private dhe për të krijuar akses në truallin ku do të ndërtohej një pallat i projektuar nga një mik personal i Ajola Xoxës. Sipas vendimit, aktet administrative të miratuara për këtë plan janë nxjerrë në tejkalim të kompetencave ligjore dhe bien ndesh me strategjinë zyrtare të zhvillimit urban. Gjykata i ka shpallur ato të pavlefshme, duke i konsideruar si një rast flagrant të përdorimit të pushtetit vendor për interesa klienteliste.

Rruga e Ajolës

Nën drejtimin e kryetarit Erion Veliaj Bashkia e Tiranës ka manipuluar Planin e Detajuar Vendor (PDV) që përfshin zhvendosjen e një rruge.

Sipas vendimit të 27 marsit 2025, Gjykata Administrative e Apelit, PDV është bërë në mënyrë të paarsyetuar dhe në shkelje të rregullave ligjore për të favorizuar ndërtimin e një objekti privat në pronësi të familjes së bashkëshortes së kryebashkiakut, Ajola Xoxa.

Shteg.org më 8 prill 2025 zbuloi se, përmes një vendimi të Bashkisë Tiranë, rruga e re “Hajdar Kërçiku” u përfshi në planin vendor të zonës, duke rritur vlerën e pronës disafish të familjes Xoxa.

Credits: LSA – Ajola Xoxa Spak

Rruga nuk ishte e përfshirë në versionet fillestare të planit urban dhe u “shpik” për të krijuar akses të drejtpërdrejtë në truallin ku do të ndërtohej një pallat i projektuar nga Alban Eftimiu, mik personal i Ajola Xoxës.

Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar ndryshimet e bëra nga Bashkia e Tiranës në Planin e Përgjithshëm Vendor, duke e konsideruar ndërhyrjen një akt manipulimi urbanistik në funksion të interesave private.

“Ndryshimi në planifikim nuk ka ndodhur si rezultat i një procesi ligjor apo urbanistik të mirëfilltë, por është diktuar nga interesi për të lehtësuar zhvillimin e një prone private” – thuhet në vendimin e gjykatës, i cili ka shpallur të pavlefshëm Planin e Detajuar Vendor (PDV).

Gjykata thekson se Planet e Detajuara Vendore janë dokumente që duhet të hartohen në përputhje të plotë me vizionin dhe rregullat e përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor, i cili është dokumenti bazë për zhvillimin urban të një bashkie.

“Një plan i detajuar nuk mund të ndryshojë apo të kundërshtojë orientimet kryesore të PPV-së, dhe nëse kjo ndodh, ai është i pavlefshëm në mënyrë absolute” – arsyeton Gjykata sipas së cilës planet e Bashkisë kanë cenuar rëndë të drejtën e pronës qytetarëve të thjeshtë.

“Përfshirja në planin e detajuar e një rruge që nuk është parashikuar në PPV, veçanërisht në pronë private dhe pa respektimin e procedurave të shpronësimit apo pa pëlqimin e pronarëve, cenon rëndë të drejtën e pronës dhe sigurinë juridike të qytetarëve” – thuhet në vendim i cili e vlerëson se miratimi i aktive nga Bashkia ishte në tejkalim të kompetencave ligjore.

Hetimi gjyqsor zbuluoi se rruga që ekzistonte në planin e mëparshëm është zhvendosur në mënyrë “artificiale”, duke i hequr pronës publike rolin funksional, për të mundësuar ndërtimin e një objekti shumëkatësh që nuk do të mund të realizohej me planin ekzistues.

Gjykata thekson se nuk janë respektuar procedurat ligjore për ndryshimet në planin vendor, përfshirë detyrimin për konsultim publik.

“Rezulton se dokumentacioni që justifikon ndryshimin ose është jo i plotë, ose është krijuar në mënyrë të pasaktë dhe në kundërshtim me të dhënat zyrtare të mëparshme”- vijon arsyetimi i  trupit gjykues sipas të cilit , Bashkia e Tiranës ka përdorur planifikimin urban si mjet për të maskuar një marrëveshje klienteliste.

“Rruga e planifikuar më parë ishte projektuar për të siguruar lidhje dhe qasje për të gjithë banorët e zonës, ndërsa zhvendosja e saj e bën funksionalisht të pavlefshme për publikun. Ky ndryshim ilegal, cënon parimet themelore të zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe përbën një akt të paprecedent përpjekjeje për të shfrytëzuar mekanizmat shtetërorë në funksion të interesit privat” – argumenton gjykata e cila ka ngritur dyshime për manipulim dhe falsifikim dokumentesh.

“Ka prova që sugjerojnë se dokumentet që mbështesin ndryshimin janë krijuar “post-faktum”, vetëm për të mbuluar ndërtimin që tashmë kishte nisur” – thuhet në vendim i cili ka shpallaur të pavlefshëm Planin e Detajuar Vendor (PDV) i miratuar nga Bashkia Tiranë.

Gjatë gjykimit, avokatët Dorian Matlija dhe Irena Dule, përfaqësonin Qendrën Res Publica, Shoqatën Autoktonase Tironse dhe dy prej familjeve që u prekën nga planet vendore të Bashkisë, provoi se Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka tejkaluar kompetencat e tij, pasi miratimi i ndërtimit të rrugëve të reja bie nën juridiksionin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe jo të Bashkisë.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza ndaj Erion Veliajt për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash.

Ajola Xoxa është gjithashtu nën hetim për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Prokuroria pretendon se përmes një rrjeti prej tetë OJF-sh dhe bizneseve, të lidhura me Xoxën dhe mikun e saj Elman Abule, janë gjeneruar mbi 1.1 milion euro./shteg.org

Exit mobile version