Gjykata rrëzon Beqen, e nxjerr zbuluar për për vjedhjen 31 milionë euro

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar pretendimet e Ilir Beqës, i cili u ankua për denoncimet që ka bërë kryetari i PD, Lulzim Basha, për hajdutërinë e tij në shëndetësi, më e madhja se në çdo sektor tjetër të qeverisë, për rrënimin e spitaleve, për mungesën e ilaçeve dhe materialeve bazike. Përmes këtij vendimi, Gjykata pohon se deklaratat në lidhje me vjedhjet e tenderave nga Beqja nuk janë shpifje.
Basha akuzoi Beqen për vjedhjen e disa tenderave të cilët, të gjithë së bashku kapnin vlerën e 31 milionë eurove.
“Nuk ka Kryeministër në Europë si Kryeministri shqiptar, i cili konfrontohet nga të dhëna të pakundërshtueshme të hajdutërisë së ministrave të tij, të Beqajt llogaria e të cilit ka shkuar 31 milionë euro tendera…” denoncoi Basha më 17 nëntor të vitit 2015.
Denoncimet ndaj Beqes kanë të bëjnë me tendera të vjedhura miliona eurosh përmes Ministrisë së Shëndetësisë si dhe zhvatjes së miliona eurove të tjera përmes kompanisë së tij Intech+.
Ndërkohë që, gjendja në spitale është skandaloze, më kritike se kurrë, ku qytetarët nuk marrin shërbimet e duhura, mungojnë medikamentet dhe radhët e prindërve, fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve janë dramatike, me pamjet që kanë dalë në media, biznesi i Ilir Beqës ka njohur këto tre vite vetëm rritje.  Teksa numri i tenderave për Intech +, kompania e themeluar nga Beqja, shtohet çdo ditë, paratë e marra nga taksat e shqiptarëve kanë kaluar shumën e dhjetra miliona eurove.
E ndërsa vetë Beqaj akuzohej thuajse çdo ditë për tenderime e konçesione skandaloze në ministrinë e tij, kompania Intech + lulëzonte në biznesin e saj me administratën e re të partisë së Ilir Beqajt. Kompania ku kishte qenë pronar ministri i Shëndetësisë, e cila ka si objekt të aktivitetit të saj shërbime të ndryshme të sistemeve kompjuterike, gjatë vitit 2014 është shpallur fituese e 10 tenderave në shumën e afro 2 milion euro nga institucione si bashkia Durrës, Albcontrol, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ministria e Financave, Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.Gjatë vitit 2015, Inthech + ka fituar deri tani plot 18 tendera në shumën e rreth 7 milionë euro, ku institucioneve shtetërore të mësipërme u shtohen edhe OSSHE, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, etj. Në total, për 22 muaj kompania që ishte në emër të ministrit Beqaj, ka marrë rreth 11 milionë dollarë nga 28 tenderat e fituar, në 10 prej të cilave është fituese e vetme, të tjerat në bashkëpunim me kompani të ndryshme. Midis tyre vihet re se shumat më të mëdha i ka përfituar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për portalin qeveritar “e albania”.
Gjithsej rreth 3 milionë euro. Basha dhe Partia Demokratike kanë denoncuar ashpër koncesionet e check-up dhe të sterilizimit, afera të pastra financiare, ku Beqaj ka firmosur ndarjen e 350 milionë eurove me klientët e tij dhe të Edi Ramës. Ilir Beqaj ka qenë vazhdimisht i akuzuar nga kryetari i PD dhe nga mbarë opinioni publik, si hajdut me çizme, si kampioni i korrupsionit, që e ka kthyer shëndetësinë në kantierin më të madh të përfitimit për veten e tij e për Ramën, ndërkohë, duke sjellë rrënimin e shërbimit më të rëndësishëm në vend, që i ka kushtuar edhe jetën jo pak qytetarëve. Me Ilir Beqën, spitalet s’kanë ilaçe, mungojnë dorashkat për operacionet, pacientët shtrihen koridoreve, nuk ofrohet kimioterapia sepse nuk punon pajisja e kobaltit, medikamentet e skaduara po bëjnë kërdinë, ndërkohë që ministri u dërgon mesazhe qytetarëve që kanë ndërruar jetë pikërisht për shkak të rrënimit që ai ka shkaktuar. Gjykata e Tiranës, edhe pse nën shantazhet e vazhdueshme të hajdutit Ilir Beqaj, ka çmuar se akuzat për korrupsion në shëndetësi, nuk janë shpifje.

Dosja e Beqes në Prokurori

Tashmë është e çertifikuar edhe zyrtarisht se Ilir Beqaj, është kampioni i Edi Ramës në fushën e vjedhjes, dhe përgjegjës për krimin e madh që bëhet ndaj shqiptarëve me kthimin e shëndetësisë në biznesin më të madh Rama-Beqaj, në kurriz të qytetarëve.
Bilanci i koncesioneve e tenderave në shëndetësi kap një shumë prej afro 350 milionë euro të dhëna këto nga Beqja që nga koha kur ai nisi drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ministri Ilir Beqaj dhe e gjithë kupola drejtuese e Ministrisë së Shëndetësisë do të japin sqarime në Prokurorinë e Përgjithshme për koncesionet e dhëna dy vitet e fundit që në total arrijnë 300 milion euro. Prokuroria ka nisur një hetim të gjerë, kryesisht për 3 koncesionet të firmosura nga ministri Beqaj me vlerë dhjetëra miliona euro. Procedimi penal është regjistruar nga Njësia Antikorrupsion-përgjegjëse për hetimin e zyrtarëve të lartë publikë dhe pritet të shtrihet në të gjithë piramidën drejtuese të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë edhe ministrin Ilir Beqaj. Objekt hetimi do të jetë koncesioni për dializën me vlerë 86 mln dollarë, ose rreth 78 milionë euro, ai për sterilizimin e pajisjesve kirurgjikale me vlerë 100 mln dollarë dhe koncesioni i kontrollit mjekësor falas me vlerë 120 mln euro. Por opozita koncesionet i ka cilësuar thellësisht korruptive, pasi siç argumenton kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi, ministri Beqaj i ka dhënë privatit shërbime, të cilat janë investuar me fonde publike. Koncesionet me vlera mjaft të larta, prej muajsh e kanë vendosur ministrin Beqaj në qendër të akuzave të opozitës, por edhe mediatike, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë rezultojnë përfituese të tyre. Dhënia me koncesion e shërbimeve të ndryshme spitalore nga Ministria e Shëndetësisë, është kundërshtuar gjithmonë nga opozita, duke e vlerësuar si shpërdorim të parave që po dalin nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Arben Shahini

Exit mobile version